Rikthimet…

Nga Ardi Stefa

Në politikë lehtësisht ikën, por vështirë se rikthehesh. Shumë pak veta kanë qenë përjashtmi i rregullit.

Përsa i përket Berishës, kjo nuk vlen (sikundër pretendojnë disa analistë), sepse ai nuk u largua kurrë.

Humbi zgjedhjet, ngeli kryetar i partisë dhe i opozitës, i fitoi ato pas disa vitesh; i rifitoi; i humbi për t’u “larguar”, i humbi përsëri edhe pse ishte në hije dhe përsëri do t’i humbasë, pavarësisht se pretendon se do të fitojë e do ta bëjë Shqipërinë Madhështore…

Arsyeja?
Ka një milion arsye pse opozita duhet të fitojë, ashtu sikundër ka po një milion arsye pse duhet t’i humbasë…

Dhe arsyeja e parë dhe më kryesore është reformimi, ndryshimi, modernizimi dhe përshtatja e opozitës me epokën e re. Reformimi në ide, burime njerëzore, vlera, meritokraci, program, retorikë e veprim.

Por a mund të ndodhë? Vështirë!

E kapur me thonj e dhëmbë pas së kaluarës; në kulte, njerëz, ide, retorikë e mentalitet opozita jonë nuk e ka seriozisht marrjen e pushtetit. Të qenët në opozitë është më komode për të. E “ngrin” kohën atje ku e tek kush i intereson, pa llogaritur që bota përreth nuk “ngrin”, as qëndron e as pret bashkë me të. Dhe, sa kohë që ajo ngujohet në pritje në kullën e saj të fildishtë, bota e njerëzit jashtë ndryshojnë e evoluojnë vazhdimisht pa pritur të zgjohet e të ndryshojë opozita që “do të rikthehet”!

Ndërkohë përpjekja e organizuar e qeverisë për të investuar e për të mos lejuar ekzistencën e një opozite serioze e konkurruese përkohësisht i ka dhënë dorë, por në fund të fundit në një moment do t’i kthehet kundër. Sepse ky investim kundër opozitës nuk ishte gjë tjetër veçse rezultat i një qëndrimi arrogant, ngaqë te pozita mbizotëron perceptimi autoritar se, duke qenë se nuk kishte opozitë për të ushtruar presion, gjithçka do të “rregullohej” siç donte ajo.

Opozita si kundërshtare e qeverisë nuk i intereson shumicës së elektoratit, përveç opozitës dhe ndjekësve të saj.

Në të kundërt, opozita si “qeveri e ardhshme” na intereson të gjithëve.

Natyrisht fragmentarizimi dhe pamundësia rrugëtojnë bashkë në politikë. Sa më shumë të ngelet jashtë e larg pushtetit opozita, aq më shumë e ka të pamundur, dobësohet e zbehen karakteristikat e saj qeverisëse.

Dikur Xhulio Andreoti ka thënë: “Pushteti dobëson atë që nuk e ka!”

Dhe le të mos gënjejmë veten. Do të jetë e vështirë që të ketë ndryshim të qeverisë aktuale në 11 maj 2025.

Përveç se nëse “qeveria e ardhshme” do të jetë e sotmja me ndonjë shtesë: të ndonjërit apo disave nga opozita e sotme.

Vullnetarët? Janë të rrallë, por jo e pamundur të gjenden…

Artikulli paraprakPSD rikthen kandidatë “të dënuar” në zgjedhjet parlamentare
Artikulli tjetërImportoi në vend 18 ton mish pule me salmonelë, shpallet në kërkim administratori i kompanisë! E pëson i vëllai dhe 3 inspektorë të AKU-së