Ervis Iljazaj
Pas lajmërimit të Ambasadës Amerikane në Shqipëri se të gjitha projektet ishin pezulluar me qëllim auditimin e funskioneve të tyre si pasojë e një urdhri të Departamentit të Shtetit, kishte një entuziazëm të madh në politikën shqiptare. Ky entuziazëm u shpreh më së shumti për ndërprerjen e asistencës amerikane ndaj SPAK. Të dyja palët politike, PS dhe PD, e përdorën këtë lajm në favor të tyre.
Partia Demokratike kërkoi t’i mbushë mendjen shqiptarëve se SPAK është një projekt korruptiv dhe për këtë arsye Donald Trump dhe administrata e tij nuk do ta mbështeste më për këtë fakt. Më këtë arsyetim, PD është munduar gjithë këto kohë të jusitifokojë hetimet që bien mbi liderin e saj Berisha.
Nga ana tjetër Edi Rama në një dalje publike i tha shqiptarëve se tashmë amerikanët kanë ikur, dhe SPAK ka vetëm mbështetjen e tij dhe të Partisë Socialiste. Të dyja qëndrimet ndaj SPAK, edhe pse në mënyra të ndryshme, janë formë e pastër presioni ndaj Prokurosisë së Posaçme. Dihet tashmë se një nga elementët kryesorë që ka bërë që kjo prokurori të jetë e pavarur është mbështetja ndërkombëtare, sidomos ajo amerikane. Dhe kur kjo u pezullua përkohësisht, politika shqiptare ishte në festë.
Tanimë që ekspertët e OPDAT janë rikthyer për të asistuar prokurorët e SPAK në hetimet e tyre, në politikën shqiptare ka rënë heshtja. Ky është një lajm i keq për ta dhe një lajm i mirë për drejtësinë shqiptare dhe shqiptarët vetë. Kjo është një shenjë e qartë e vazhdimit të mbështetjes që aleatët e Shqipërisë kanë për drejtësinë tonë.
Megjithëse publikisht palët kanë një qëndrim të ndryshëm në raport me SPAK, që të dyja dëshirojnë mbylljen e tij. Partia Demokratike e ka qëndrim publik, madje premtim elektoral mbylljen e SPAK. Nuk lë moment pa e përmendur se me ardhjen e saj në pushtet SPAK do të çmontohet. Ndërsa PS, edhe pse e mbështet publikisht, nën rrogoz bënë çmos për ta penguar në punën e tij. E gjitha është një propagandë elektorale duke qenë se SPAK është insitucioni më i besueshëm në Shqipëri. Nëse do të mundte, PS do ti bashkonte votat me PD për ta shkrirë SPAK. Çështja është se nuk munden dhe nuk i lejon kush.
Pavarësisht mbështetjes amerikane ose jo, SPAK ka mbështetjen e plotë nga Bashkimi Europian. Ambasadori i BE në Shqipëri nuk lë rast pa e përmendur se SPAK është një institucion që gëzon mbështetjen e plotë të BE. Dhe nëse Shqipëria kërkon të integrohet dhe të bëhet pjesë e saj me të drejta të plota, kushti thelbësor është SPAK dhe vashdimi i luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Për të gjitha këto rrethana, SPAK duket se është një projekt që nuk mund të kthehet me mbrapsht. Duan apo s’duan politikanët tanë duhet të bëjnë llogaritë me të. SPAK është një dhuratë që aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë i kanë bërë asaj. Dhe sigurisht që deri më tani kjo prokurori e ka shpërblyer besimin e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve. Për politikën shqiptare do të ishte shumë komode dhe e dëshiruar që të ulen bashkërisht dhe të bëjnë një drejtësi të re me kushtet e tyre dhe jo të ndërkombëtarëve. Një drejtësi që ne e kemi provuar 30 vjet se si është dhe nuk do shumë mend për ta kuptuar se si do të jetë nëse do të ulen përsëri bashkë për të ribërë drejtësinë edhe njëherë nga e para në mënyrë sovranë, pa ndërhyrje ndërkombëtare.