Rikthimi i Kavajës

Bledi KASMI

Isa Sakja ka rikthyer Kavajën në shtëpinë e vet politike pas 6 vitesh të drejtuar nga një përdhunues dhe trafikant droge. Kavaja është shembulli si fitohet, por edhe si humbet një bastion, i cili meriton një analizë të plotë të gjithë faktorëve të fitores së të dielës në Kavajë, por edhe të faktorëve të humbjes që asnjëherë nuk u analizua 6 vjet më parë, jo se atëherë kjo parti nuk kishte të njëjtin emër që ka edhe sot Partia Demokratike, por se ndryshe nga sot kur analizat e humbjes me të drejtë kërkohen të bëhen të hapura, atëherë dukej të ishin një “mollë e ndalueme”.
Kavajës së demokracisë iu deshëm 6 vjet për t’u rikthyer në shtëpinë e vet. 6 vjet u la ky qytet në duart e individëve ordinerë të botës së krimit, të cilët blenin vota dhe me presione arrinin tek fitorja. Një fitore e mundimshme, e cila i ka rikthyer sot qytetit dinjitetin dhe duhet të na bëjë të reflektojmë për të mos harruar faktorët e humbjes së këtij bastioni të PD 6 vjet më parë dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime.
A u gjendën ndonjëherë përgjegjësit e humbjes së Kavajës 6 vjet më parë? Kush ishin ata dhe ku janë sot ata? Kjo jo për t’i vendosur përgjegjësit e humbjes në gijotinë, por të paktën për të kuptuar kushdo se memoria historike e kësaj partie ka të regjistruar jo vetëm triumfatorë, por edhe humbës bastionesh.
Pesha e fitores të së dielës në Kavajë ka një simbolikë të fortë në këto momente mjaft të vështira për PD, por edhe një inkurajim domethënës, për të vetmen arsye; se është rikthyer një bastion historik i demokratëve.
Një djalë i ri kavajas, guximtar, me zemër të madhe demokrati, i thjeshtë, i qeshur, me flokë të shpupuritur e pa makiazh, që gjatë të gjithë fushatës e shikoje thuajse të veshur me të njëjtat pantallona xhins dhe të njëjtat këpucë të sheshta, arriti të nxjerrë qytetin nga një llum i madh ku e kishin zhytur miliarderët e rrejshëm të politikës së këtij vendi.
Mundi të fitojë thuajse i vetëm mbi bandat që qarkullonin miliarda para të pista, ku ishte angazhuar përveç krimit edhe ministri i parave të Financave të koncesioneve dhe tenderave, ku votat bliheshin nga 100 mijë lekë. Fitoi për një arsye mjaft të thjeshtë, por që është më e rëndësishmja për politikën, sepse mbi të gjitha arriti të krijonte besim.
Ky është modeli që i duhet sot PD për t’u ringritur. Modeli i demokratëve që harrohen në ditë të mira dhe konsiderohen thjesht si numra për të mbushur sheshet, por që në ditë të vështira të zbardhin faqen. Janë punëtorë, fjalëpak, të vendosur dhe të paepur në beteja. Nuk shiten as nuk blihen, nuk tërhiqen nga beteja dhe bëjnë të tjerët të besojnë se edhe ajo që mund të konsiderohet si e paimagjinueshme mund të bëhet e prekshme.
Shumë zhurmë ka këto ditë për humbjen e madhe, por le të kthejmë pak kokën tek fitorja e vogël e Kavajës për të kuptuar se brenda nesh ka shumë njerëz që mund të gjenerojnë shpresë jo vetëm për demokratët, por për të gjithë Shqipërinë.
Deri dje, askush nuk e njihte Isa Saken dhe askush nuk i kushtoi rëndësi betejës elektorale të Kavajës. Edhe sot, ai nuk është hero. Eshtë thjesht një demokrat që ka bërë detyrën; ka ditur të fitojë.

Exit mobile version