Nga Reldar Dedaj
Ka hyrë në dekadën e pestë të jetës dhe Lulzim Basha ngjan, jo vetëm fizikisht, më i ri se politikanët e tjerë të lartë të vendit. Ai nuk ka pamjen as të një aparatçiku administrate, e as atë të një trendy boy. I gjatë, pa bark. Të krijon gjithmonë përshtypjen se është i njëjti imazh që ka ngecur në celoloid. Dhe koha fizike, në daç edhe ajo politike, madje as goditjet mbi brez e nën brez s’ia kanë dalë dot ta ndryshojnë. Është ai që ka qenë. Është ai që kemi njohur dhe që do e njohim. Demokratët janë në përpjekje për të kuptuar natyrën e tij politike, veçanërisht pas vendimit për të dëbuar nga partia Sali Berishën, i cili ishte dora dhe mendja që e ka drejtuar këtë të fundit që nga themelimi. Ka shumë që e refuzuan përshtatjen me këtë “kafshë” politike që sot quhet Lulzim Basha, ka nga ata që në fillim u duk se e pranuan dhe sigurisht, ka edhe nga ata, që ende sot vazhdojnë të lundrojnë me të në të njëjtën varkë. Pa frikën e mbytjes dhe stuhive që mund t’u dalin para. Ata janë aty dhe, siç duket, do jenë aty në krah të kryetarit të tyre.
Përkundër kritikave dhe ndoshta i grishur prej tyre ai ka preferuar të mbajë stilin e vet, ka folur shumë pak, kur i është dashur të flasë më shumë, ka lëvizur më pak, kur i është dashur të turbullojë më shumë, është shfaqur më pak, kur i është dashur të shfaqet më shumë, ka shpjeguar më pak, kur i është dashur të shpjegojë më shumë, është përballur më pak, kur i është dashur të përballet më shumë, ka qëlluar më pak, kur i është dashur të qëllojë më shumë dhe ka luajtur më pak, kur i është dashur të luajë më shumë. Është ndjerë gjithmonë i rrezikuar, i keqkuptuar dhe i refuzuar nga ata që fillimisht i kanë lakmuar karrigen e kryetarit dhe së dyti, nga ata, të cilët, i kanë dëshiruar humbjen në çdo palë zgjedhje dhe në fund fare këta, të gjithë së bashku, kanë shpresuar se me forca të bjerra dhe nën presionin e shkaktuar nga humbja, do të tërhiqet ose do të detyrohet ta bëjë këtë. Ashtu ndodhi. Erdhi dita që dëshira e të parëve dhe profecia e të dytëve të plotësohet. Dha dorëheqjen. Pas 17 vitesh në politikë, Lulzim Basha vendosi të bëjë një hap pas me idenë për të zhbllokuar krizën e krijuar brenda forcës më të madhe opozitare në vend, siç është Partia Demokratike.
18 muaj pas dorëheqjes, Lulzim Basha u rikthye në krye të Partisë Demokratike. Askush nga kundërshtarët e tij politik nuk arriti dot të krijojë fizionominë e një lideri dhe askush, gati pas një viti e gjysmë, s’ishte i gatshëm për të kandiduar me të në zgjedhjet e përgjithshme për kryetar të Partisë Demokratike. Sigurisht, Shqipëria, nuk e ka luksin të prodhojë lider politik çdo pesë vjet. Italia, një vend me 60 milionë banorë, i janë dashur pothuajse tridhjetë vjet për të prodhuar vetëm tre udhëheqës politik. Shoqëri si e jona dhe për rrjedhojë edhe modelet partiake që kemi pjellë, as nuk mund të imagjinohet të jenë fabrika të prodhimit të liderve politik. Kur la detyrën në marsin e 2022, Lulzim Basha deklaroi se “bëri një hap pas” për të bashkuar partinë, por në kthim e gjeti edhe më të përçarë. Situatën brenda kampit blu e krahasoi me temperaturat e larta që po përjetonte vendi ynë përgjatë asaj periudhe. Ai, në fjalën e tij të parë, pas shpalljes së fitores në garën për kryetar të kësaj force, kërkoi mobilizim të strukturave për betejën e radhës politike, duke iu referuar asaj me qeverinë, pasi, sipas tij, beteja me të nuk është e pamundur.
Ngjarjet rrodhën dhe kryetari i legjitimuar i PD-së, Lulzim Basha, po hezitonte t’i përgjigjej ish-kryetarit të kësaj force Sali Berisha. Pikëpyetjet rreth këtij hezitimi shtoheshin nga dita në ditë. Askush s’dinte saktësisht të jepte një përgjigje se çfarë po ndodhte me Partinë Demokratike dhe mbi të gjitha, askush, nuk e dinte se çfarë mendonte Lulzim Basha në të vërtetë për Sali Berishën dhe familjen e tij, që pas disa muajsh betejë politike, përveç xanxës së shfaqur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, iu shtua edhe ajo e SPAK. Me shpatulla pas murit, ish-kryeministri dhe rrethi i tij i të punësuarve dhe disa besnikëve vazhdonte çdo ditë duke kundërshtuar vendimin e marrë nga partnerët tanë më të ngushtë, por edhe drejtësinë shqiptare, të cilën e akuzonin si vegël në dorë të kryeministrit Rama dhe vetë kreun e demokratëve, si vegël të tij.
Lulzim Basha përgjatë këtyre muajve është gjendur vazhdimisht nën peshën e një lufte të pazakontë dhe të pabarabartë me Sali Berishën, i cili s’ka lënë mjet dhe mënyrë pa përdorur, të paligjshme dhe djallëzore, në format më përçudnuese për ta mposhtur. Kundër tij është përdorur gjithçka: paraja, krimi, shantazhi, kërcënimi, dhuna, shpifja, pabesia, blerja, denigrimi, përçarja, joshja, miklimi dhe karriera. Është përdorur një lukuni mediatike dhe një ushtri mercenarësh politik, pasi mjedisi i shoqërisë shqiptare, sidomos mjedisi politik është toksik, ndaj Sali Berisha përzgjodhi gjithmonë më të ndoturit për të sabotuar Partinë Demokratike. Përdorimi nga Sali Berisha i disa eksponentëve të lartë të Partisë Demokratike, të cilët ishin edhe njerëzit më të besuar të Lulzim Bashës, ishte i pamëshirshëm. Ai nuk kurseu askënd dhe asgjë që ka pak ambicie politike, nuk la dobësi njerëzore pa përdorur, nuk la kompromis të neveritshëm pa bërë vetëm që Lulzim Basha të mos kthehet në krye të Partisë Demokratike.
Ndryshe nga ata, Lulzim Basha pati kurajon të enjten, në një konferencë për mediat, të përballet me gazetarët dhe këdo tjetër që reagonte përmes gazetarëve. I drejtpërdrejtë. Basha, edhe kësaj radhe, nuk preferoi për asnjë moment të zgjedhë konfliktualitetin si strategji politike. Me një gjuhë të moderuar, larg vulgut politik të përditshëm, ai dha përgjigje për shumë dilema që demokratët dhe opinioni publik kishin krijuar në mendje. Me qëndrimin e tij dinjitoz, krijoi bindjen tek demokratët, se janë në kohë dhe mund t’i ndryshohet drejtimi rrymës se nga po shkojnë gjërat, por që për këtë duhet të tregohen të guximshëm dhe me imagjinatë, në vend që të jenë vullnetdobët, hakmarrës, të trembur dhe konvencionalë. Duhet të guxojnë të përmbysin rutinat e të menduarit dhe zakonet e qëndrimeve të tyre, të përmbysin frikërat dhe mllefet e krijuara për të ndërtuar nesër shkallën e përparësive. Me sjelljen e tij, Lulzim Basha tregoi fytyrën e Shqipërisë së nesërme, e cila kërkon të jetë më dinjitoze, më e dashur dhe europiane. Qëndrimi i kreut të PD-së mori akoma edhe më shumë vlerë, pasi tregoi një lider që vepron me realizëm, pa mllef dhe urrejtje politike.
Lulzim Basha ngadalë po ngrihet mbi vetveten, duke qenë vetvetja. Ai as s’ka dalë jashtë saj ndonjëherë me premtimin për t’u rikthyer përsëri shpejt, bashkë me lirinë që do i duhej për t’i dhënë frymëmarrje asaj. Dhe as ka menduar se kjo frazë e dhunuar shpesh nga moskokëçarja e përjetshme e racës njerëzore do t’i nënshtrohet një plani apo rregulli të caktuar. Ai është shfaqur ashtu siç është në realitet dhe pikërisht kjo shfaqje, pra ideja se Lulzim Basha i vertetë doli në media i patrukuar, i pakompromentuar dhe që u mbylli gojën të gjithëve, edhe armiqve më të egër, duket se i ka gjetur të papërgatitur kundërshtarët e tij politik./Liberale.al/