Rikthimi i Ronaldos

Rikthehet Cristiano Ronaldo dhe kur ai është në fushë spektakli është i garantuar. CR7 i dha ekipit të tij atë që konsiderohet benzinë për motorët e futbollit, pikërisht golat. Nuk e ndali në rrugën drejt portës as fakti që ka qëndruar jashtë fushe duke e kthyer në gol të parin top që preku. Me dy golat e së mërkurës kundër Apoel Nicosias, Ronaldo tashmë shkon në kuotën e 6 të tillëve për këtë sezon, përfshi dhe ata me kombëtaren e Portugalisë. 6 gola në vetëm 300 minuta, tregojnë edhe një herë se Ronaldo është i pangopur. Me këtë panoramë edhe të duash nuk mund të mos e çosh nëpërmend Messin. Në një mënyrë ose një tjetër këta dy yje janë gjithnjë në garë mes tyre.
Gjithsesi, flasim për Ronaldon. 12 minuta për golin e parë, më pas në pjesën e dytë në minutën e 51 portugezi shkëlqeu sërish, kjo vërteton edhe një herë se ky Ronaldo po kthehet në një killer golash. Të mërkurën i gjithë “Bernabeu” ishte me sulmuesin 32-vjeçar duke pohuar njëzëri për të disatën herë në këto 8 vite se nuk ka dhe me shumë probabilitet nuk do të ketë një tjetër si ai. Në mbrëmjen e së mërkurës Cristianos iu desh të konfirmonte veten me një dygolësh përballë Apoelit, duke e zgjeruar shifrën stratosferike të golave të tij në Champions në 107. Ai me Sociedad do të jetë takimi i fundit i Los Blancos pa CR7 që përfundon qëndrimin jashtë për 5 ndeshje radhazi, me francezin Zizou që u dëgjua të lutet: Qoftë përgjithmonë e fundit ndeshje pa të!
Dani Ceballos e ka përshkruar bashkëlojtarin e vet Cristiano Ronaldon si shpirtin e skuadrës pas fitores bindëse 3-0 të Real Madridit ndaj APOEL mbrëmjen e së mërkurës në Ligë të Kampionëve. Ylli portugez i shënoi dy gola duke e çuar në 107 totalin e golave personale në këtë garë dhe duke ia siguruar skuadrës së Zidane një fillim të mbarë në mbrojtje të titullit në garën më prestigjioze në Evropë.
“Me Cristianon në fushë, ne gjithmonë jemi më të rehatshëm pasi ai na jep vetëbesim, i cili shndërrohet në gola. Ai është shpirti i ekipit. Ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe ambicia e tij e bën më të mirin në botë”, ka thënë Ceballos.
Mesfushori brazilian i Real Madridit, Casemiro, e ka lavdëruar yllin portugez Cristiano Ronaldo, ndërsa në anën tjetër e ka mbrojtur uellsjanin Gareth Bale, i cili u vërshëllye nga tifozët e Real Madridit. Casemiro ka thënë se të flasësh për Cristiano Ronaldon është shumë e lehtë, pas fitores së Real Madridit 3-0 ndaj Apoel, në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, ku Ronaldo shënoi dy gola. “Të flasësh për Cristianon është shumë e lehtë, ne e dimë se ai është më i miri në botë”, ka thënë braziliani.
Ai ka theksuar se është i lumtur që Ronaldo është rikthyer. “Jemi të lumtur që ai është kthyer dhe duket i fortë. Me aftësitë që ka ne gjithmonë duam të kemi në dispozicion”, ka shtuar Casemiro.

Artikulli paraprakE ardhmja e Karlo Ançelotit në dyshim
Artikulli tjetërJa se si Valverde ringjalli Barcelonën