Bulevardi “Epidamn” në Durrës, i njohur më së shumti si Rruga Tregtare është mbyllur dy muaj më parë me urdhër të Bashkisë, dhe po shfrytëzohet si pedonale për kalimtarët vendas dhe të huaj, po ashtu dhe për qytetarët durrsakë.
Por ajo ka mbetur e shurdhër, në mungesë të mbështetjes së bizneseve që kërkojnë të gjallërojnë bulevardin me muzikë apo me projekte të tjera artistike e kulturore.
Irfan Uzo, administrator i një bar-kafeje në Rrugën Tregtare, i shikon turistët e shumtë që kalojnë të shumtë para biznesit të tij, por nuk është i kënaqur.
“Tani trotuaret janë bosh, pasi të gjithë shëtisin në rrugën kryesore, aty ku zakonisht qarkullojnë automjetet,” tha Irfani për BIRN, duke shtuar:
“Vura disa tavolina në pjesën që u lirua në trotuar, por policia bashkiake më kërkoi që ti largoj menjëherë, pasi mund të gjobitesha”.
Në fakt, segmenti prej 500 metra, nga pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu” deri te vendi i quajtur “Veliera”, edhe tani në sezonin veror thuajse nuk ka gjallëri.
Përveç veprimtarive kulturore në shkallët e Pallatit të Kulturës, dhe shumë pak të tjera në sheshin “Liria”, pjesa tjetër është e shurdhër nga muzika.
Mungojnë grupet muzikore, të cilat në qytete të ngjashme me Durrësin i japin gjallëri hapësirave publike.
“Duhet marrë si shembull Korça apo Shkodra,” tha Kiço Koçi për BIRN, duke pohuar se në çdo dy-tre javë shkon në qytetin verior, kryesisht për të dëgjuar “artistët e rrugës”.
“Bert Naraçi dhe Lorenc Radovani, bashkë me grupin e tyre muzikore janë artistë të vërtetë, por pranë një publiku që lëviz normalisht në lagjen “Gjuhadol” dhe përballë klientëve të bar-restorantit me 50 tavolina në rrugë, sillen si muzikantë miq.
“Është mrekulli” tha Kiço, duke shtuar se në Durrës duhet nxitur një kulturë e tillë. “Për fat të keq edhe orkestrinat brenda lokaleve mungojnë,” kujton ai.
Rruga Tregtare ishte qendra e ‘xhiros’ së qytetit bregdetar në vitet 90′ – rrugëtimit të përnatshëm të qytetarëve drejt detit në netët e nxehta të verës. Ky ritual kujtohet me dashamirësi nga shumë durrsakë.
Mbyllja e këtij aksi që lehtëson kalimin e automjeteve nga rruga “Aleksandër Goga” drejt shëtitores “Taulantia” e ka detyruar bashkinë e qytetit bregdetar të kthejë me një kalim, disa nga rrugët ndihmëse në zonën kodrinore.
Në disa të tjera është ndaluar përkohësisht parkimi i autoveturave, çka e ka rritur numrin e gjobave nga bashkiakët për vendasit dhe të ardhurit.
“Për të gjallëruar jetën e vizitorëve dhe të vendalinjve, më të interesuar janë sipërmarrësit e vegjël, pasi ata e dallojnë rritjen e fitimit ,” tha Tor Laku, i cili kur iku me anije në Itali 30 vjet më parë, kishte si pasuri vetëm një kitarrë dhe sazen e tij.
“Nuk është e domosdoshme të ketë bend muzikor për të zbavitur turistët,” tha Tori, sipas të cilit duhen angazhuar artistët e rinj të shkollës “Jan Kukuzeli”.
“Edhe në shëtitoren bregdetare duhet krijuar një atmosferë e tillë” – tha artisti durrsak, që kujtohet të shtojë: “Nuk do të ishte magji, sikur në një mjedis të tillë të interpretonte Ver Qerimi, violinisti i shquar?”.
Bizneset e Rrugës Tregtare ende nuk e kanë kërkuar mbështetjen e bashkisë për interesin e përbashkët që mund ta shtojë numrin e turistëve vendas dhe të huaj në akset rrugore, që mbyllen pikërisht për këtë arsye.
Sipas Ed Shukes, i cili ka drejtuar për shumë vite Shoqatën e bizneseve të Rrugës Tregtare “është shumë e vështirë që durrsakët të bëhen bashkë për të kërkuar bashkëpunim.”
“Duhet ndryshuar mentaliteti,” shton 70-vjeçari”.
Nuk ka më shumë se 40 biznese të të gjitha llojeve në rrugën me qarkullimin më të madh të këmbësorëve në Durrës, por nismat e përbashkëta janë të pakta.
Dy muaj pasi bulevardi u bllokua, duke devijuar trafikun e automjeteve, vetëm për të lehtësuar lëvizjen e turistëve dhe kalimtarëve vendas dhe të huaj, Rruga Tregtare vazhdon të jetë e mbyllur.
Sipas vendimit të bashkisë, ajo do të mbetet e mbyllur deri në mesin e muajit shtator, dhe megjithë rënien e temperaturave si dhe numrin gjithnjë e më të pakët të vizitorëve, datat e vendimit fillestar do të respektohen.
“Iku si iku kjo verë, po vitin tjetër do të trokasim të dera e bashkisë dhe do të kërkojmë që të ketë një çikë më shumë entuziazëm në rrugë,” tha Irfan Uzo.
“Në fund të fundit, kemi të gjithë interes, edhe qyteti, edhe biznesi”, përfundoi ai./reporter.al