Rikthimi i xhunglës dhe sifda e “regjimit” Rama- Berisha ndaj SHBA

Nga Gentian Gaba

Vizita e drejtorit të CIA në Ballkan ishte një sinjal i qartë alarmi për zhvillimet në rajon, i cili mund të kthehet në një teatër tjetër të përballjes me Rusinë. Prania e shefit të inteligjencës amerikane është gjithsesi tregues i vëmëndjes që SHBA ka për zhvillimet në këtë kënd të Europës, e natyrisht dhe i rëndësisë të rolit që luan kjo superfuqi për paqen dhe stabilitetin e vendeve që përkrahin politikat dhe vizionin, duke u treguar partnerëve se do të jenë në krah të tyre në sfidat e një bote përherë e më multipolare, e për shkak të rikthimit të multipolaritetit, përherë e më në nevojë për rend dhe siguri.

Kjo ngjarje natyrisht nuk është e shkëputur nga konteksti i gjerë botëror, i cili po pëson ndryshime përcaktuese për sa i përket balancës së pushteteve, me shtete si Rusia, Kina dhe Irani, që po përpiqen të ripërcaktojnë interesat e tyre në mënyrë antagoniste me fuqinë garnantuese të rendit aktual botëror, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtij skenari Robert Kagan, historiani dhe një nga ekspertët më të njohur dhe influent të politikës së jashtme amerikane, i ka vendosur një metaforë të gjetur, ajo e rikthimit të xhunglës.
Në librin e tij “Xhungla rritet përsëri: Amerika dhe bota jonë e rrezikuar”, Kagan komenton zhvillime thellësisht shqetësuese në mbarë globin, ndjenjën se Amerika po anon gjithnjë e më shumë drejt tërheqjes përballë një rrëmuje të tillë. Robert Kagan sqaron arsyet pse tërheqja amerikane do të ishte përgjigja më e keqe e mundshme, bazuar në një keqlexim themelor dhe të rrezikshëm të botës.

Ashtu si një xhungël që vazhdon të rritet përsëri pasi është prerë, bota ka qenë gjithmonë plot me aktorë të rrezikshëm, të cilët të lënë të pakontrolluar, kanë dëshirën dhe aftësinë për t’i bërë gjërat më keq.

Me qasjen e tij realiste Kagan argumenton se norma historike ka qenë gjithmonë drejt kaosit – se xhungla do të rritet përsëri, nëse amerikanët e lejojnë duke hequr dorë nga roli i tyre botëror.

Dhe angazhimi i SHBA-ve në dosjet e nxehta që shqetësojnë sot botën, është tregues se, xhungla që po rritet përsëri, e ka bërë të detyrueshëm mprehrjen e kosës për të mos lejuar degradimin e rendit botëror dhe avancimin e autokracive, të cilat duket se i kanë mësuar leksionet e historisë dhe po shfaqen me forma të reja, por të udhëhequra nga zakone të vjetra.

Nëse gjatë Luftës së Ftohtë përballja kishte një mbështjellje ideologjike, perdja e re e hekurt mund të jetë e mëndafshtë, por sidoqoftë mbetet aty.

Në këtë përballje, pozicionimi i vendeve si Shqipëria është i përcaktuar nga orientimi i natyrshëm kah vlerave dhe parimeve që SHBA dhe vendet demokratike mbrojnë dhe frymëzojnë. Një rreshtim që mbështetet te preferenca absolute, gati e verbër, e shqiptarëve për perëndimin, me pëlqime marramendëse në sondazhet e ndryshme për SHBA dhe BE.

Një plebishit qytetar që na mban pa hezitim në kampin e duhur në këtë luftë të re të ftohtë, por që kërcënohet herë pas here nga tekat e drejtuesve të lartë politikë, që dështojnë në detyrën historike për të ngritur institucionet shqiptare në lartësinë e atyre perëndimore, sepse nga ngecja dhe dështimi i institucioneve ata mbajnë gjallë xhunglën e tyre, në të cilën lulëzojnë ferrat që mbrojnë ekosistemin e korruptuar që ka varfëruar Shqipërinë dhe ka larguar rininë shqiptare.

Një xhungël 34 vjeçare që është krasitur herë pas herë me ndihmën e partnerëve të shqiptarëve, por që rritet sa herë politikanët e këtushëm shohin mundësinë për të avancuar interesat e tyre në kurriz të interesave të shtetit shqiptar.

Një shembull i mirë i kësaj xhungle është reforma në drejtësi, që u investua fuqimisht nga partnerët e Shqipërisë për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur nga politika, për të krijuar kushtet “sine qua non” për të patur ndarje dhe balancim të pushteteve, të cilat mbajnë në këmbë demokracinë.

Stërkëmbshat dhe përpjekjet për ta ndalur këtë reformë kanë qenë të ethshme dhe bipartizane, sepse votuesit dhe implementuesit lokal të reformës janë dhe viktimat fundore të saj. Jo vetëm sepse do të duhet të hiqnin dorë nga futja dorë në sistemin e drejtësisë, por mbi të gjitha për shkak të institucioneve të reja të kësaj reforme, SPAK dhe GJKKO, që detyrë të vetme kanë të trokasin në ato dyer ku askush nuk ka guxuar në 34 vite.

E ndonëse në publik retorika për reformën ka tingëlluar disi e ndarë në dy kampe, me forcën politike në pushtet që luante “policin e mirë”, pra mbrojtësin pakushte të reformës; ndërsa në kampin e opozitës ishin ata që luanin rolin e “policit të keq”, me sulme për njëanshmërinë e reformës dhe kapjen e saj, në thelb, tetë vite pas miratimit dhe zbatimit të ngadaltë dhe problematik të saj, mund të pohojmë se, si një lumë karstik, pakënaqësia ndaj reformës e atyre që kishin ndërtuar bashkarisht sistemin e deriatëhershëm në drejtësi ishte e njëllojtë, pa dallime, por e maskuar sipas roleve politike.

Një shembull i mirë i kësaj nuk janë vetëm problematikat për selektivitet dhe standarde të dyfishta në procesin e vettingut, që kanë qenë produkt i këmbënguljes së socialistëve për të vendosur me çdo kusht shkopinjtë në rrotat e këtij procesi të rëndësishëm, por edhe përplasja mes ish-ambasadorës Kim dhe kryeministrit Rama për drejtuesin e ri të SPAK, që do të pasonte mandatin e mefshtë të Arben Krajës, drejtuesi i parë i Prokurorisë së Posaçme.

Të gjithë kujtojmë se si Rama kishte kandidatin e tij të preferuar në garën për SPAK, madje shkoi deri aty sa përmes ministres së tij të punëve të jashtme, një tjetër subjekt i SPAK, orkestroi lajmin për largimin iminent të Juri Kim nga Shqipëria, pasi po i përfundonte mandati. Një mesazh gati mafioz për ata që do të votonin në KPK për drejtuesin e ri të SPAK, duke nënkuptuar që zonja ambasadore është e përkohshme, ndërsa pushteti i Ramës jo.

U desh vendosmëria e ambasadores Kim, e cila shkoi fisizkisht në mbledhjen e KPA, për të mos lejuar që drejtuesi i SPAK-ut të votohej përmes klientelizmit të diktuar nga Rama.

Historinë më vonë e dimë të gjithë, sepse rezultatet e Altin Dumanit flasin për të dhe vlejnë dhe si lakmues i vizionin strategjik të SHBA-ve, që përmes SPAK kërkojnë të bëjnë ata që qytetarët shqiptarë nuk bëjnë dot me votë apo përmes aktivizmit politik, të ndëshkojnë të korruptuarit dhe të reformojnë politikën.

Natyrisht mund të flasim edhe për sa e moralshme apo e drejtë është ndërhyrja e një shteti tjetër në punët tona të brendshme, për Konventën e Vjenës dhe sovranitetin e vendit, por në kushtet e rrethimit total të sistemit të zgjedhjeve, të mediave të patronazhuara nga klientelizmi dhe të përdorura si mjete shantazhi politik për përfitime ekonomike, mungesa e ndarjes së pushteteve, lidhjes së politikës me krimin, pra të një nyje gordiane që ka lidhur prej 34 vitesh fytin e demokracisë shqiptare, një shpatë që vjen nga matan Atlantikut mbetet më e preferuar se sa status quo-ja e mbajtur me dhunë.

Pra shembujt e rikthimit të xhungës, në kushtet kur ka një vullnet të qartë ndërkombëtar për ta krasitur atë në favor të një ndryshimi për mirë të Shqipërisë, janë të dallueshme, në veçanti tre vitet e fundit.

Pas shpalosjes së politikës së SHBA-së për përdorimin e sanksionimit për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin në rajon, duke e konsideruar kërcënim edhe për sigurinë e tyre kombëtare, ka një përpjekje të qartë për të mbrojtur ferrat e xhunglës, e udhëhequr nga Rama dhe Berisha, të cilët duan të mbajnë me çdo kusht regjimin që kanë ndërtuar bashkë në 2008-ën, për mbrojtjen e të cilit bashkuan votat jo më larg se një muaj më parë.

Sado retorika e tyre të jetë antagoniste ndaj njëri-tjetrit, sado të përbetohen se nuk bashkëpunojnë me non gratat, apo sado i shpalluri non grata përbetohet se e ka armik Edi Ramën, në fund ata gjejnë gjithmonë rrugën për të mbajtur në këmbë produktin e tyre politik, shembja e të cilit shënon fundin politik e të dyve.

Të dy u betuan përmes emisarëve të tyre se nga amnistia e votuar pak muaj më parë nuk do të përfitojnë subjektet e SPAK dhe GJKKO, por të dy gënjyen.

Të dy u angazhuan se nuk do të kenë bashkëpunim me njëri-tjetrin, të dy bashkuan votat për të mbyllur listat, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme t’i mbushin ato me pasdaran të anti-reformës së tyre, me të cilën duan të mbajnë gjallë xhunglën që SHBA po përpiqet të shkulë me rrënjë.

Përpjekja për rikthimin e xhunglës do të ketë një tjetër moment në të cilin regjimi i Ramës dhe i Berishës do të përpiqen t’i japin goditjen finale SPAK, përmes komisionit Xhafaj, qëllimi i të cilit mbetet rrethimi dhe izolimi i SPAK nën peshën e votave që të dy bashkë kanë në parlament. Vota e përbashkët për amnistimin e të korruptuarve ishte parathënia e kësaj shfaqje fuqie karshi SPAK, të cilën edhe Komisioni Europian përcolli me shqetësim në raportin për Shqipërinë.
Vota për amnistinë, ishte një mesazh si ato që japin terroistët kur marrin peng ndonjë avion, “na jepni atë që kërkojmë apo do ta hedhim në erë”.
Pra, kujdes se kemi kapur parlamentin dhe mund ta përdorim siç duam. Dhe këtë do tentojnë të bëjnë në vijim.

Mund të tingëlloj si guxim i tepruar nga ana e atyre që kanë skeletë në dollapet e pushtetit të tyre, por pikërisht kjo është bash arsyeja pse ata janë gati të dalin në sipërfaqe me regjimin e tyre, me aleancën që kanë dhe që e treguan përmes votimeve të përsëritura në parlament, sepse tani nuk kanë asgjë për të humbur.

Ata nuk duan një kopsht të lulëzuar, në të cilin ka vend për të gjithë, jo, ata duan xhunglën e tyre.

Dhe kthimi i xhunglës ka qenë një përpjekje e ethshme, qysh prej bashkëpunimit të përsëritur vitet e fundit, kur Rama mbështeti Berishën për të goditur Bashën sa herë që Berisha ishte në tapet. Pasi me Berishën përballë luajnë lojën perfekte, të reformatorit dhe gogolit, që u siguron atyre mbarëvajtje politike dhe ekonomike.

Përballë këtij kthimi të xhunglës, kundër të cilës SHBA u investua, nuk mund të qëndrojmë pasiv, duke pritur që 20 prokurorë të SPAK dhe 80 hetues të BKH-së të bëjnë punën e një shoqërie të tërë.

Mungesa e zgjatur e ambasadorit të SHBA i ka dhënë guxim të tepruar regjimit Rama-Berisha, kështu edhe fuqisë ekonomike dhe politike që ata kanë përballë kundërshtarëve të tyre.
Por kjo përballje nuk mund të jetë vetëm detyrë e 20 prokurorëve të SPAK dhe 80 hetuesve të BKH-së, por kërkon një aleancë të gjerë qytetare për mbrojtjen e demokracisë.

Tiparet e këtij fronti janë përcaktuar prej 9 shtatorit 2021.

Detraktorët e Bashës mund të mbajnë kokën mënjanë, por ende sot, kur foltorja u kthye në një aneks të PS-së, me humbje të njëpasnjëshme elektorale, me shkrirje interesash me PS-në dhe rithemelimin, me zhbërjen e angazhimeve për gjasme demokratizim të partisë dhe rrëzim brenda 6 muajve të Ramës, janë bërë pluhur, shumë pak në kampin opozitar kanë guximin për t’u përballur me Berishën, e lëre pastaj të kishin marr mbi supe peshën e rëndë të vendimit të Bashës.

Si shënjestra e preferuar e regjimit Rama-Berisha, Basha mban mbi supe kostot e një beteje të padrejtë e të pabarabartë, me investime milionëshe për ta ekzekutuar politikisht, sepse në skakierën politike mbetet një lider me përvojë dhe eksperiencë qeverisëse, i mbrujtur me idenë e politikës si shërbim ndaj qytetarëve e jo si vetëshërbim.

Nisur nga kjo përvojë, Basha ka barrën e përgjegjësisë për të tubuar të gjithë ata që duan t’i qëndrojnë përballë regjimit Rama-Berisha, në format dhe modalitetet që do të duhet të diskutohen dhe finalizohen në muajt e ardhshëm, në pritje të rekursit në Gjykatën e Lartë, që po ecën me shpejtësi të mbarë, por jo të shtrënguar nga ai vendim, për t’i dhënë formë ekipit dhe një fronti të gjerë pro ndryshimit.

Përballja do të jetë e vështirë, por si kurrë më parë, me Ramën dhe Berishën qartësisht bashkë, forcat opozitare kanë një autostradë përpara.

Ky dallim i pastër mes aktorëve në lojë, është dikotomia më e mirë për çdo fushatë politike.
Ku qartësisht në një anë ke ata që duan të mbajnë xhunglën e tyre të korrupsionit dhe të sistemit të bllokuar politik, që e ka kthyer vendin në një republikë bananesh, pa ndarje pushtetesh, pa konkurrencë ekonomike, me një president kukull dhe me një parlamanet dordolecësh, që nuk u përgjigjen qytetarëve por kryetarëve.
Në anën e kundërt mund të qëndrojnë të gjithë ata që kërkojnë një ndryshim të vërtetë politik, ekonomik dhe social, që i jep fund tranzicionit dhe xhunglës që po rritet përsëri, si një karshillëk i hapur ndaj qytetarëve dhe, pse jo, ndaj SHBA-së.

Exit mobile version