Rikthimi ndryshe i Berishës

Bledi KASMI

Nëse sot do të ishin ditë të bukura për një PD në pushtet, ai do të ishte në cepin e tij të urtisë, ndoshta i interesuar jo më shumë për PD që do të ishte në udhë të mbarë, por për projektin tjetër të tij që ai e lançoi si të mundshëm, mbi krijimin e fondacionit politik me emrin e tij, pse jo të ngjashëm me atë të Konrad Adenauer në Gjermani.
25 Qershori i ka prishur qetësinë Sali Berishës. Ditët e vështira të demokratëve mund të jenë për të mundimi më i madh. Ai është rikthyer ndryshe. Ashtu heshtur dhe me pak rreshta të shkruara në facebookun e tij, fjalë që peshojnë shumë për demokratët. Ndoshta nuk e kishte menduar se fëmija që ai e rriti dhe e shoqëroi në këto 27 vite, sot në vend që të ecte me këmbët e veta, ka më shumë se kurrë nevojë për dorën e tij që të ringrihet.
Si një njeri që e njeh në çdo qelizë PD, si një njeri që e ka themeluar atë dhe e ka drejtuar në ditë të mira dhe në ditë të këqija, fjalët e Berishës janë ato që vlejnë më shumë se të askujt tjetër në këto momente të tronditjes së madhe që kanë demokratët për rezultatin e zgjedhjeve të 25 Qershorit.
Ai e di mirë se çdo të thotë një humbje e këtyre përmasave. Ka mundur ta përjetojë vetë në vitin 1997 në kushte krejt të tjera, ku më shumë se çereku i territorit ishte jashtë kontrollit të strukturave shtetërore si shkak i rebelimit të armatosur të atij viti. Ai e rimori PD dhe e ringriti. Fraza e tij e atëhershme frymëzuese për demokratët ishte “Qëndrestarë”.
Orët dhe ditët ishin të vështira, por PD u riorganizua në një mënyrë të shpejtë dhe brenda tre muajsh nga humbja e zgjedhjeve nisi një tur protestash të pandalshme kundër qeverisë së asaj kohe. Protesta niste në selinë e PD dhe vazhdonte përgjatë Sheshit “Skënderbej” për të vazhduar me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në krye të saj ishte Berisha, por edhe Azem Hajdari dhe të gjithë drejtuesit e PD të atyre ditëve. Numri i demokratëve nuk ishte i madh në fillim. Mund të thuhet se ishin 300 apo 400 demokratë që protestonin, burra dhe gra që nuk trembeshin nga pushteti që kishte dalë nga gryka e pushkës.
Përballë atij pushteti, demokratët kishin bërë zgjidhjen e tyre, duke zgjedhur edhe vetëmohimin. Zëri i demokratëve po dëgjohej sërish. Demokratët po ringriheshin. Ky ishte mesazhi që po jepej në të gjithë vendin. Rebelimi nuk kishte mundur t’i asgjësonte.
Berisha e dinte shumë mirë se ato protesta nuk do të rrëzonin qeverinë e Fatos Nanos së atyre ditëve. Ai e dinte mirë destinacionin e këtyre protestave dhe ai kishte vetëm një qëllim madhor; të vriste frikën e shqiptarëve të injektuar nga bandat e armatosura dhe kriminale të rebelimit të atyre muajve.
Fjalët e Berishës përpara demokratëve si dhe mesazhet e zjarrta të Azemit e ndiznin atmosferën. Nga dita në ditë, numri i protestuesve erdhi duke u rritur, ndërsa shtrirja e riorganizimit dhe protestave u shtri edhe në qytete të tjera.
Kjo ishte frymëmarrja që opozita po i jepet shqiptarëve në ato kohë të vështira. Ajo ishte në këmbë dhe e vendosur për të qenë një mbrojtëse e të drejtave të popullit opozitar. Në ato ditë kishte edhe sulme me armë, kishte edhe atentate ndaj opozitës, kishte edhe të plagosur dhe madje të vrarë, por PD nuk u gjunjëzua për asnjë moment.
Deklarata e Berishës e dy ditëve më parë jepte mesazhin e rikthimit ndryshe të Berishës në PD. Jo duke rihyrë në skemën e kandidimit për Kryetar, jo duke ndërhyrë në këtë garë, por duke përcaktuar me përvojën e tij shtegun nga duhet të kalojë PD për t’u ringritur.
Askush si ai nuk e di se çfarë do të thotë copëtim i PD për shkak të inateve personale të individëve të caktuar apo tekave të tyre, askush si ai nuk e di se çfarë do të thotë përçarje e PD në këto momente dhe askush si ai nuk e di se çfarë është përjashtimi. Dhe PD është më e madhe se të gjithë këta që mendojnë se mund ta marrin peng të aventurës së tyre politike.
Ndaj sot sytë janë kthyer tek Berisha. Ai foli qartë dhe prerë për të gjithë ata që duhet ta kuptojnë atë politikisht. Ai ka vendosur udhëzuesin që demokratët duhet të ndjekin ditët e ardhshme, dhe ky udhëzues është vetëm bashkimi. Ai që do të kandidojë për Kryetar të PD do të duhet të dalë si vullnet i bashkimit të demokratëve, pavarësisht ndarjes në votë, por të bashkuar në vizion.
Ka disa çiliminj këto ditë që në rrjetet sociale apo edhe në media bëjnë partizanin dhe servilin duke sharë dhe ofenduar e duke ndezur një zjarr dasie mes demokratëve. Këto janë lojëra të sponsorizuara nga pushteti. Shikojini ata si insekte që duhen shtypur, sepse nuk kanë asgjë të përbashkët me demokratët.
Berisha erdhi në pushtet në vitin 2005, 8 vjet pas rebelimit të armatosur të vitit 1997, vetëm pasi mundi të reagojë me mjeshtërinë e një profesionisti politik një bashkim të madh të të gjithë demokratëve dhe ku harmonizoi në përfaqësimin politik evoluimin e brezave dhe të kontributeve.
Sa keq që këtë leksion të 12 viteve më parë nuk e kanë lexuar akoma sot në vitin 2017.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërNjë mision jetik për PD