Pas një dëmtimi muskulor që e mbaj ti jashtë fushave për rreth një muaj, sulmuesi shqiptar i Beshiktashit, Ernest Muçi, është pranë rikthimit në fushë. Futbollisti 23-vjeçar po përgatitet intensivisht në stërvitje, ndërsa rikthimi i tij është planifikuar për dy javët e fundit të kampionatit turk.
Megjithatë, ekziston një dilemë mes stafit teknike dhe mjekësor, nëse ai duhet të aktivizohet menjëherë apo të ruhet për ndeshjet e muajit qershor me Kombëtaren shqiptare, duke qenë se Beshiktashi nuk lufton për ndonjë trofe madhor, madje edhe nga Kupa e Turqisë është eliminuar.
Me një ftesë ende në pritje nga trajneri Silvinjo, forma fizike dhe gjendja shëndetësore e Muçit mund të jenë vendimtare për përfshirjen e tij në grumbullimin e kuqezinjve për ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Megjithatë, ai ka qenë pjesë e rregullt e grumbullimeve të Kombëtares, edhe pse nuk është preferuar shpesh nga trajneri Silvinjo.
LOJËRAT ME RASHICËN
Ndërkohë që rikuperimi po shkon drejt fundit, Muçi ka shfrytëzuar kohën e lirë për të marrë pjesë në disa aktivitete argëtuese të organizuara nga klubi i Beshiktashit. Ai është parë bashkë me shokun e skuadrës, Milot Rashica, duke marrë pjesë në lojëra me shigjeta, një sfidë miqësore për të testuar saktësinë dhe për të shkëputur mendjen nga presioni i rikuperimit. Atmosfera pozitive në grup dhe mbështetja e bashkëlojtarëve kanë qenë elementë kyç në rikthimin gradual të Muçit.
Në një tjetër moment të publikuar nga klubi, ai shihet në sallën e brendshme së bashku me grupin, duke shijuar bashkëpunimin dhe shpirtin e ekipit. Tashmë, vëmendja është te vendimi i stafit për aktivizimin ose ruajtjen e tij, ndërsa vetë lojtari mbetet i fokusuar dhe pozitiv, me sytë nga rikthimi si në fushë, ashtu edhe në fanellën kuqezi. Në ditët e fundit, Muçi ka marrë vesh edhe një lajm tjetër shumë të mirë. Partnerja e tij ka zbuluar se pret një fëmijë me lojtarin e Kombëtares që do të bëhet baba për herë të parë dhe, e veçanta, në moshën 23-vjeçare.