Rilindja & Rithemelimi, dy koka një model!

NGA NERITAN VLADI*

 

Modelet që i ofrohen shoqërisë nga politika dhe media në këto 33 vite pluralizëm janë jo vetëm nga më negativet, por po shkatërrojnë edhe brezat e ardhshëm.

Ajo që e konsolidoi dhe e ktheu në sistem modelin negativ është Rilindja, gjatë këtyre 12 viteve në pushtet.

Ajo e vendosi kusht, ligj të pashkruar se për të qenë pjesë e saj dhe pushtetit që zotëron, duhet të jesh:

Ose me të shkuar kriminale;

Ose i korruptueshëm lehtësisht; Ose pjesë e krimit të organizuar, i forti i lagjes, etj, etj.

Aktualisht në Shqipër rreth 90% e njerëzve, fatkeqësisht e shikojnë këtë pakicë që pasurohet me shpejtësi në kohë reale, por “nuk e kuptojnë” dot se cila është aftësia dhe merita e tyre, përveçse shërbimeve që i bëjnë Rilindjes.

Ata vetë kanë vështirësi për të mbyllur muajin tek dyqani i lagjes, kanë vështirësi të paguajnë dritat në fund muajit, kurse dikush tjetër vetëm se i shërben partisë në pushtet, noton në bollëk dhe luks.

Ky pardoks përveçse është i padrejtë dhe jo meritor, krijon një depresion kolektiv i cili shkarkohet vazhdimisht me largime masive jashtë vendit, veçanërisht të rinisë por edhe familjeve të tëra, komplet.

Ky sistem politiko-oligarkik i ndërtuar prej vitesh në Shqipëri, por i kthyer në sistem nga Rilindja, nuk ka asnjë lidhje me demokracinë dhe konkurencën në kapitalizëm në bazë të aftësisë, ideve dhe profesionalizmit në çdo fushë.

Shkatërron ekonominë dhe mbi të gjitha demoralizonë rininë, e cila nuk e sheh më arsimimin dhe meritokracinë si rrugë për të çarë me sukses në jetë.

Ky sistem, jo vetëm i varfëroi shqiptarët, por me anë të blerjes dhe korruptimit të medias, propagandonë fuqishëm se ky 5% apo 10% i njerëzve që po pasurohen kaq shpejt, janë elita e tyre dhe këta janë më të aftë se të tjerët!

Kjo e ka bërë shumicën e shqiptarëve që të ndihen, “të dështuar dhe të paaftë“, vetëm për faktin se nuk plotësojnë kushtet për të qenë shërbëtorë dhe pjesë e këtij sistemi kleptokratik që ka instaluar Rilindja.

Ndaj tani jemi në kushtet e tragjedisë më të madhe që mund ti ndodhë një Kombi: Largim masiv i brezit të ri dhe të trurit të vendit. Dhe pikërisht këtë ka synuar gjithmonë Rilindja.

Themi gjithmonë “Rilindja“, pasi ajo nuk është një parti tipike në kushtet e pluralizmit, por një organizatë oligo-mafioze e cila merr e mban pushtet për tu pasuruar dhe më pas, me miliardat e vjedhura ble sërish pushtet, duke shkatërruar kështu votën e lirë.

Partia Socialiste u pushtua nga Rilindja, e cila tashmë edhe brenda saj nuk denjon më që të bëjë garë, të votojë, të zgjedhë në mënyrë të lirë lidershipin e saj.

Ata emërohen e caktohen sipas klaneve brenda saj dhe koontributit për të bërë sa më shumë korrupsion, me të cilin më pas blihen votat për të rikonfirmuar sërish pushtetin.

Njësoj si Mafia përdorin “Omertën“, kanë marrëveshje të heshtur midis tyre: Kush kapet paguan, por nuk tregon shokët.

Dhe fatkeqësisht deri më sot, u ka funksionuar. Nëse do të shohësh sa demokratike do jetë një parti politike në qeverisje, shikoje si respekton rregullat e statutit brenda partisë kur është në opozitë.

Rilindja që kur e mori PS-në nuk zbatoi asnjë rregull partiak në opozitë, dhe sot nuk zbaton asnjë ligj në qeveri.

Thjesht zbatohen dëshirat e Njëshit dhe asgjë më tepër.

Por fundja kjo është një parti me origjinë nga Partia e Punës dhe ata e kanë pasur slogan këtë mënyrë funksionimi: Kur themi partia nënkuptojmë udhëheqësin, (Ramën), kur themi udhëheqësi, nënkuptojmë partinë!

Nuk na pengojnë rregullat që kemi bërë ne që të bëjmë atë që duam, sepse ne i ndryshojmë ato si të na duhen“- është skema e tyre.

Dy fjalë edhe për Rithemelimin që në shumë aspekte ngjan si dy pika uji me Rilindjen(Kur themi Berisha nënkuptojmë Rithemelim dhe anasjelltas):

Do ndryshohen disa nene të statutit, pasi duhet të sistemojmë disa njerëz në poste të rëndësishme.

Kemi dy nënkryetarë, do ti bëjmë 4 nënkryetarë. Kemi kryesi me (x) veta, do të shtojmë dhe disa të tjerë që të sistemohen dhe këta. Por pa zgjedhje, thjesht t’i emërojmë, etj, etj, të këtij lloji.

Po mirë përse mos të ndryshoni dhe nenin ku flet për kryetarin. Për shembull: Nga 1 kryetar ta bëni me 2 kryetar?!

Pavarësisht nga fjalët dhe ngjyrat e flamurit, Rilindja dhe Rithemelimi janë një model. Ndaj është koha që të hidhen poshtë me neveri këto modele që kanë uzurpuar politikën dhe pluralizmin për 34 vite.

Shoqëria shqiptare duhet të vlerësojë të mirin, të aftin, punëtorin, të ndershmin, dhe jo të kundërtën.

Partitë dhe grupimet politike duhet të japim shembullin e tyre që nuk mund të ndryshojnë rregullat sipas interesave okulte të momentit.

Partia Demokratike po e jep këtë shembull. Uroj shumë që kjo të ndiqet dhe nga partitë dhe grupimet e tjera.

*Anëtar i Këshillit Kombëtarë të PD

Exit mobile version