Rilindjen nuk e shpëton as propaganda

Nga Namir LAPARDHAJA

Për 45 vjet në Shqipëri, diktatura u mbështet tek shtypi, librat e shkrimtarëve mediokërr dhe tek Kinostudio “Shqipëria e Re”.

E gjithë kjo makineri kishte vetëm një qëllim: të manipulonte masën e popullit.

Në të gjitha mjetet e deziformimit mbizotëronte metoda e realizmit socialist. Bota është bardhë e zi. Nga një anë të mirët, nga ana tjetër të këqijt. Perëndimi vizatohej i zi.

Edhe pse për 45 vjet me radhë këtij populli iu bë shplarje truri, iu injektuan llojlloj parazitësh në kokë, regjimi, gjithsesi, nuk ia doli për një gjë: nuk ia mbushi dot mendjen, edhe pse e mbajti të nënshtruar, nuk e bëri dot të besonte marrëzitë e tij, edhe pse e shtypi pa asnjë lloj disidence dhe reagimi për gati gjysmë shekulli.

Kur erdhi momenti, njerëzit u dyndën për të ikur nga gjithë ajo marrëzi kolektive.

Të njëjtën vijë propagandistike vijon edhe sot Rilindja. Metodat janë më të avancuara.

Mjetet më moderne. Perëndimit tani i kemi përvetësuar metodologjinë e manipulimit me teknika të avancuara. Shumica e tyre të pakuptuara për njerëzit.

Regjimet autokratike ushqehen nga manipulimi masiv.

Propaganda është sot investimi më i madh i Edi Ramës. Manipulimi ushqehet me tendera të majmë, koncesione dhe leje ndërtimi. Përpjekja e tyre është sizifiane. Do të vijojë edhe në këto muaj që kanë ngelur, por një gjë është e sigurt: Rilindjen më 25 prill nuk e shpëton dot as propaganda.

 

Exit mobile version