Rimbursmi i TVSH-së si denoncim për blerje në dyqanet firmato deri në 2 mln euro/ “Zonja Xoxa, faleminderit që ekziston!”

Ka disa informacione, sipas të cilave nga verifikimi i bërë nga SPAK-u, llogarive bankare të zonjës Xoxa, hyrje-daljeve dhe dokumentacionit të gjetur në sportelet duty-free të disa shteteve, zonja Xoxa gjatë 3 viteve ka rimarrë në formë rimbursimi TVSH-je, një shumë të përgjithshme që tejkalon shifrën 200.000 euro.

Sigurisht që nuk bëhet fjalë për blerje në dyqanet duty-free, por për rimbursime të shumave të paguara si TVSH në dyqane të shteteve ku ka qëndruar ose ka vizituar zonja Xoxa.

Vlera e TVSH-së është e ndryshme në shtete të ndryshme dhe në çdo rast, në daljen e fundme të pikës doganore të shtetit, ose zonës së vizituar, shuma e llogaritur si TVSH nuk kthehet e plotë. Një pjesë mbahet si tarifë përpunimi nga sporteli i duty-free ku kryhet rimbursimi.

Në përgjithësi shuma që përfitohet si rimbursim shkon nga 10-12% e shumës së paguar për mallin e blerë.

Në këtë rast, nëse bëjmë kalkulimin mbrapsht, rezulton se për një vlerë rimbursimi në të paktën 200.000 euro, blerjet duhet të kenë kapur shifrën totale të 2 milionë eurove.

Pra, vetëm sipas të dhënave për TVSh-në e rimbursueshme, shpenzimi për blerje mallrash nga zonja Xoxa, në një periudhe 3-vjeçare, duhet të kenë qenë më së paku 2 milionë euro.

Duhet konsideruar që rimbursimi nuk bëhet si proces i pakërkuar. Ai nuk është proces automatik dhe as procedurë që ndodh pavarësisht vullnetit të zonjës Xoxa.

Për të përfituar nga e drejta për kthimin e shumës, zonja Xoxa ka plotësuar formularë dhe dorëzuar fotokopjen e pasaportës pranë çdo dyqani ku ka blerë veshje ose sende të tjera (me sa duket me vlerë).

Është e lehtë që nga ato letra të verifikohet edhe nëse blerjet janë bërë me CASH ose me karta bankare. Siç është e lehtë të mbërrihet te çmimi për çdo fustan të dizajnuar nga gjyshja e zonjës Xoxa.

Në çdo rast do të bëhej fjalë për një total prej më shumë se 2 milionë eurosh. Kjo shifër e shpenzuar për blerje, nuk justifikohet me të ardhurat e çiftit Veliaj-Xoxa.

Është e qartë se ato nuk janë fonde të dala nga puna e zonjës Xoxa si juriste (për diplomimin e së cilës ka shumë dyshime) dhe as nga aktiviteti i saj si kuratore arti në vilën e marrë pa qira në Bllok. Ato fonde sigurisht janë dhurata të padeklaruara ose shuma bakshishi për kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe/ose bashkëshorten e kryetarit të Bashkisë Tiranë.

E megjithëse bëhej fjalë për CASH të siguruar pa lodhje, zonja Xoxa është sjellë si një nikoqire e vërtetë, duke kërkuar kthimin e shumave të paguara si TVSH.

Përtej vlerësimit për nikoqirllëkun e treguar, zonja Xoxa duhet falënderuar edhe sepse me kaq, duke plotësuar kërkesa për rimbursim shpenzimesh, ka provuar shpenzimin përtej fondeve të ligjshme të familjes Xoxa.

Kushdo që ka akuzuar me prova korrupsionin e Erion Veliajt, sot duhet të falënderojë zonjën Xoxa për atë që ajo është.

Duhet ta falënderojnë që ajo ekziston! /CNA.al

Exit mobile version