Rindërtimi përtej 2024, ku po shkojnë 115 milionë eurot e buxhetit të rishikuar 2023

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një përgjigje zyrtare për “Monitor”, pohoi se vlera prej 7 miliardë lekësh që është parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme për të mbyllur financiarisht nevojat e projekteve që janë ende në vijim.

“Referuar projekteve të investimeve në kuadër të procesit të rindërtimit, të cilat janë vijimësi, fondeve të miratuara dhe fondeve të akorduara deri më tani, nevojat për fonde për mbylljen financiarisht të këtyre projekteve, shkojnë përtej fondit të rindërtimit, prej 7 miliardë lekësh, të parashikuar për t’u miratuar për vitin 2024” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pak javë më parë, me një akt normativ, qeveria ndryshoi buxhetin e vitit 2023, duke rialokuar për programin e rindërtimit edhe 12 miliardë lekë të tjera të cilat duket se kanë shkuar thuajse tek të gjithë njësitë vendore të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Bëhet fjalë për projekte të miratuara më herët në vite, por të pafinancuara.

“Referuar nenit 7 të ligjit nr. 84, datë 24.11.2022 “ Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, fondi i rindërtimit, i miratuar për vitin 2023, është përdorur për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara të viteve të mëparshme.

Kanë përfituar nga fondi i rindërtimit, i miratuar për vitin 2023, të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore të cilat janë prekur nga fatkeqësia natyrore, tërmeti i datë 26.11.2019, konkretisht bashkitë Tiranë, Kamzë, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, Durrës, Krujë, Shijak, Lezhë, Kurbin, Mirditë, si dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Ministria e Brendshme, në cilësinë e njësisë zbatuese” nënvizon MIE.

Rindërtimi, 730 milionë euro nga 2020 deri në nëntor 2023

Prej fillimit të vitit 2020 e deri në nëntor 2023, shpenzimet faktike për rindërtimin, programin më të madh që ka zbatuar ndonjëherë një qeveri në vendin tonë, ishin rreth 80 miliardë lekë ( 730 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Ky program nisi në funksion të rikuperimit të pasojave që shkaktoi tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 dhe ende vijon me kantiere të hapura dhe mijëra familje vijojnë të mbeten në banesa me qira në pritje të shtëpisë së premtuar.

Rindërtimi pati kontraste edhe në zbatim, ku projektet që u menaxhuan nga donatorët përfunduan ndërsa projektet me mbështetjen e buxhetit vijojnë. Në këtë kontekst, krahasimi është i thjeshtë.

Turqia, që u angazhua me një projekt të madh në Laç, përfundoi në kohë rekord ndërtimin e mbi 500 apartamenteve që u kaluan më pas qytetarëve. Më shpejt përfundoi edhe Thumana, ku u ndërtuan 278 apartamente dhe 155 njësi individuale.

Pak më shumë se 500 njësi individuale banimi janë përfunduar që vitin e kaluar edhe në rrethinat e Tiranës në zona si Vaqarri, Zall Herri, Ndroqi.

Dy lagjet e reja që po ngrihen në kryeqytet lidhur me rindërtimin, siç është “5 Maji” dhe “KombinArt” janë ende në proces. Në Durrës, deri më tani, kanë marrë një banesë të re 331 familje, por më të shumtë janë ata që ende nuk e kanë marrë një të tillë dhe që pritet të transferohen në Spitallë, ku punimet vijojnë./MONITOR

Exit mobile version