Rindërtimi: Tre familje të ish-komunales fitojnë gjyqin ndaj bashkisë Tiranë

Nga Erisa Kryeziu

Tre familje të ish-Komunales fituan në Gjykatën Administrative përballë bashkisë Tiranë, e cila i kishte përjashtuar nga programi i rindërtimit. Vendimi ka ngjallur shpresë për 22 familje të tjera, të cilat kanë hasur të njëjtën problematikë.

Në ish-konviktet e Komunales në rrugën Myslym Keta strehoheshin rreth 90 familje. Por tërmeti i vitit 2019 i detyroi të shpërnguleshin, pasi një nga godinat rezultoi e dëmtuar rëndë duke u shembur më pas.

Autoritetet u premtuan përkrahje sociale dhe banesa nga programi i rindërtimit. Por pesë vite më vonë, shumica e tyre gjenden pa bonus qiraje dhe jashtë programit.

Falë mbështetjes së organizatës “Drejtësi Sociale”, 25 familje iu drejtuan Gjykatës Administrative, e cila deri më sot është shprehur pozitivisht për të paktën tre prej tyre.

Në vendimet e dhëna të hënën dhe të martën, gjykata ka urdhëruar bashkinë t’i rifusë në programin e rindërtimit e kësisoj t’i trajtojë edhe me bonus qiraje.

“Familjet do të trajtohen menjëherë me bonusin e qirasë dhe do të jenë pjesë e familjeve që do të përfitojnë në programet e rindërtimit”, shpjegoi për Citizens.al Gentian Sejrani, avokati i banorëve dhe përfaqësues i organizatës “Drejtësi Sociale”.

Sipas Sejranit, vendimi nën cilësimin e ekzekutimt të përkohshëm dhënë nga gjykata e kalon atë direkt në zbatim pa pritur apelin duke i lehtësuar ndjeshëm situatën familjeve të prekura.

“Këto familje që në përbërje të tyre kanë fëmijë të mitur, kanë fëmijë me aftësi të kufizuar, kanë gratë shtatzëna dhe të tjera që nuk mundet që për dy vite e gjysmë ata të jetojnë në qiell të hapur apo të jetojnë në shtëpi me qira duke marrë borxh apo duke lypur që të sigurojnë paratë e qirasë”, theksoi Sejrani.

Njoftimi për këtë fitore domethënëse për banorët e përfshirë u dha në rrënojat e një prej dy godinave të ish-Komunales, shembur gjatë vitit 2023 nga bashkia Tiranë.

Banorët e pranishëm treguan për Citizens.al se e kanë pasur të vështirë të përballojnë qiratë pasi gjenden në kushte të mjerueshme financiare.

“Na mbajtën katër vjet me bonus, na e hoqën. Unë dal e lyp për fëmijët që laj qiranë. Dal edhe vetë lyp. Te varrezat, nëpër rrugë”, u shpreh Artjola Nazja për Citizens.al.

Nazja tregon se ka ndjerë shpërfillje nga autoritetet edhe përballë këmbënguljeve të saj dhe banorëve të tjerë për të kërkuar zgjidhje.

“Sa herë që kemi shkuar atje [në bashki] na kanë përcjellë, na kanë mbyllur dyert, na kanë nxjerrë me polici. Na kanë lenë rrugëve”.

Berti Dhiaj u vendos në godinën numër 1, tanimë të shembur, gjatë viteve ’90 pasi mbylli vitet e internimit në Berat. Edhe pse banues në Tiranë deri në vitin 1972, ai u internua për shkak të arratisjes së xhaxhait të tij jashtë vendit.

Sot, Dhiaj është pa shtëpi, ndërsa pensioni që merr bashkë me bashkëshorten nuk u del për qira.

“Nga 87 familje që ishim, kanë marrë [shtëpi] 19 familje, të tjerët janë të gjithë me qira, që edhe bonusin na e kanë prerë, nuk marrim fare bonus. Unë pensionin, marr 117 mijë lekë, nusja merr 135 mijë lekë. 150 paguaj qiranë që nuk me del me ngrënë”, rrëfen Berti, ndonëse këto vite ka dëgjuar pa reshtur premtimet nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj për të marrë shtëpi.

Shpëtim Islami sqaron se përpos premtimeve, sot, rezulton i përjashtuar nga procesi i rindërtimit.

“Dola i skualifikuar për arsye se prona ishte e nënës dhe e babës. Unë atyre iu thashë a të shkoj tani në Tufinë që të ngre nënën e babën. A jam pjesëtar i familjes, a jam në trungun e familjes? Po! Nuk e përfiton. Për çfarë arsye? Jo duhet të jetë nëna dhe baba. Ku t’i gjej unë ata?!”, shprehet Shpëtim Islami.

Një vendim i qeverisë në vitin 2009, ngarkoi Entin Kombëtar të Banesave për të vijuar procesin e privatizimit të dy ish-konvikteve të Komunales me banorët që ishin strehuar aty. Në VKM-në e asaj kohe listoheshin të paktën 106 banorë përfitues ndërsa dhjetëra të tjerë thuhet se u lanë jashtë.

Sidoqoftë, një pjesë nuk arriti ta përmbyllë procesin për shkak të mungesës së informacioneve, ndërsa disa të tjerë për shkak të kushteve financiare. Pikërisht mungesa e titujve të qartë të pronësisë ishte një nga shkaqet që bashkia Tiranë i nxori nga programi i rindërtimit.

Prej janarit të vitit 2024 banorët e mbetur pastrehë dhe pa bonus qiraje kanë protestuar disa herë para bashkisë.

Por, sipas avokatit Sejrani, tre çështjet e fituara janë një precedent i mirë edhe për 22 të tjera që pritet të shqyrtohen në gjykatë. Ai thotë se kjo qasje mund t’u japë zgjidhje edhe atyre që nuk e kishin emrin në listën shoqëruese të VKM-së së priavtizimit pavarësisht se banonin aty.

“Vendimi është qartazi, që ata duhet të trajtohen me programin e rindërtimit, pra të përfitojnë banesë, të trajtohen me bonusin e qirasë deri në marrjen e banesës, por tashmë ky vendim duhet të jetë edhe një lloj garanti për familjet që nuk e kanë emrin te VKM-ja, por kanë zotëruar godinën ku ata kanë jetuar”, përfundoi Sejrani./citizens.al

Exit mobile version