Nga Luiza Pinderi
Të qenurit një degëz e pavarur në trungun e gjuhëve indo-evropiane, dhe njëkohësisht e dokumentuar shumë vonë, mund të lexohet sot si një “mallkim” për gjuhën shqipe. Herë pas here duhet të afirmojë veten dhe të bindë botën se është aty, e vlefshme, e dobishme, e domosdoshme. Shekujt e kaluar, kur letra njihej, prekej dhe lexohej, ishin studiuesit që i nxirrnin rrënjët nga dheu. Sot, në epokën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, janë platformat online. Prej vitit 2012, Google e ka nxjerrë gjuhën shqipe nga sistemi, e ka degdisur jashtë planetit, sepse të mos figurosh aty është gati si të mos ekzistosh, ose të jetosh i vetëm në shkretëtirën e Marsit. Nuk penalizohet vetëm gjuha, penalizohen shqiptarët në gjithë globin, bizneset, mediat, reklamuesit, të gjithë ata që flasin shqip dhe fitojnë nëpërmjet platformave online, të gjithë ata që prezantojnë një produkt apo shërbim dhe duan që të mbërrijë në sa më shumë persona.
Fatmirësisht, ka ende profesionistë, njerëz të pasionuar, që gjejnë mënyra për të rikthyer “nderin e humbur” të gjuhës shqipe dhe iu japin mundësi shqiptarëve në të gjithë botën të përfitojnë nga të mirat e teknologjisë, në një kohë që jeta është bërë kaq shumë teknologjike. Një prej tyre është Elton Heta. Një i ri i diplomuar, si në ciklin Bachelor ashtu edhe Master, për Teknologji Informacioni. Prej 3 vjetësh ai punon në agjensinë e marketingut, boss.al, dhe ka një eksperiencë të pasur në ndërtimin dhe menaxhimin e web-eve.