Rinisin në paligjshmëri punimet për HEC-in në Thirrë të Mirditës

Megjithëse u janë pezulluar punimet për paligjshmëri, makineritë e kompanisë “Sang 1” janë rikthyer ditët e fundit në Thirrë të Mirditës për të vijuar punimet për ndërtimin e hidrocentralit në këtë zonë.

Ato u pikasën nga banorët, të cilët prej pesë vitesh kundërshtojnë punimet përmes protestave dhe nisjes së proceseve gjyqësore.

“Nga kjo çështje ne nuk do të lëvizim deri sa të na marrë zoti shpirtin. Jemi në të drejtën tonë, prandaj i lutem edhe njëherë shtetit tonë, Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, krimit ekonomik, të mos na sorollatin, por të vijnë dhe të na sjellin një vendim. Ose jemi ne të paligjshëm, ose të marrin masa të na e heqin ne si popull këtë paligjshmëri se ne besimin te shteti e kemi”,- u shpreh Ndue Prenga, banor i zonës.

Në shtator të vitit 2023, zyra përmbarimore Lezhë pezulloi punimet për hidrocentralin. Pasi panë makineritë në terren, banorët iu drejtuan sërish kësaj zyre , e cila u shpreh se pezullimi i punimeve prej saj është ende në fuqi.

“Në Zyrën e Përmbarimit Lezhë nuk është regjistruar deri më tani asnjë vendim gjykate që ka vendosur anulimin e veprimeve tona përmbarimore ndaj Shoqërisë “Sang 1” shpk. Përsa i përket vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 16.11.2023, e cila ka vendosur “prishjen e vendimit nr.152 datë 15.06.2023 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe kthimin për rishqyrtim në po atë gjykatë me të njëjtin trup gjykues, ju bëjmë me dije se akoma nuk kemi një vendim të kësaj gjykate e cila na jep kompetencë ligjore për të anuluar veprimet përmbarimore”,- tha në përgjigjen e saj Zyra Përmbarimore Lezhë.

prgjigja e zyres permbarimore lezhe 1

Sipas Pashk Bajraktarit, banor i zonës, punimet po kryhen në mënyrë të paligjshme.

“Kemi ardhur në vendin e ngjarjes që quhet përroi i Qarrit ku po punohet në mënyrë të paligjshme. Ne banorët e tre fshatrave kemi një vendim të zyrës përmbarimore që firma “Sang sh.p.k” punon në mënyrë të paligjshme. Prandaj, ju lutemi institucioneve shtetërore që të marrin masë për këtë paligjshmëri”,- u shpreh Bajraktari.

Banorët kanë konstatuar se përpos nisjes së punimeve ata kanë prekur edhe tubacionet e ujit të pijshëm.

Këta jo vetëm kanë vijuar punimet e paligjshme, por kanë prishur edhe ujësjellësin e fshatit. Kanë prishur vijat e ujit që janë që në vitin 1, jazet e ujit, kanë prishur bazamentet e mullinjve dhe sot shikoni këtu një tubacion që ka furnizuar fshatin poshtë me ujë të pijshëm nga lart dhe e kanë prishur. Pra kjo kompani vazhdon punimet në mënyrë të kundërligjshme, në kundërshtim në vullnetin e popullatës”,- u shpreh Besnik Paci.

Banorët i janë drejtuar institucioneve vendore dhe qendrore për të reaguar dhe marrë masa për situatën.

“Kemi lajmëruar Policinë e Shtetit, drejtorinë e policisë së qarkut Lezhë, sektorin e krimit ekonomik. Kemi lajmëruar me shkresë komisariatin e policisë Rrëshen. Kemi lajmëruar me shkresë, bashkinë Mirditë, IMT-në Mirditë, njësinë administrative Fan të Mirditës. Të gjitha këto kanë qenë prezent ditën kur zyra përmbarimore i ka bllokuar punimet”,-tha Besnik Paci.

Rezistenca e banorëve ndër vite

Banorët e fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, të ndodhura në afërsi të “Rrugës së Kombit”, si pjesë e njësisë administrative Fan në bashkinë Mirditë, protestuan në prill të vitit 2021 kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve dhe një fabrike uji.

Kompania që po ndërtonte HEC-in në Thirrë të Mirditës, “Sang 1” SH.P.K mori licencën me një vendim të 26 qershorit të vitit 2019 për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar.

Banorët nuk u thirrën në dëgjesa publike asokohe nga kompania. Mes të tjerash ata denoncuan edhe faktin se kompania kishte falsifikuar firmat e tyre.

Në shkurt të 2023-it, gjykata administrative e shkallës së parë në Tiranë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Thirrë të Mirditës.

Edhe pse një çështje në proces gjykimi, punimet vijonin dhe si rrjedhojë edhe shfrytëzimi i burimeve ujore të zonës.

Banorët iu drejtuan gjykatës administrative për shfuqizimin e lejes për përdorim të burimeve ujore, të dhënë nga Këshilli i Basenit Ujor Mat. Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor lejet e shfrytëzimit të burimeve ujore e përfunduan afatin dhe gjykata arsyetoi se nuk mund të shfuqizonte një akt që nuk ka më fuqi.

Në mars të vitit 2022, ata i drejtuan një kërkesë prefektit të qarkut Lezhë, Këshillit të Basenit Ujor Mat, bashkisë Mirditë dhe njësisë administrative Fan, ku kërkuan pajisjen e njësisë administrative Fan me leje për përdorim të burimit ujor për ujë të pijshëm, për vaditje dhe për blegtori.

Kjo kërkesë sipas banorëve nuk u mor parasysh, pasi institucionet e rinovuan lejen e përdorimit të ujit ndaj shoqërisë “Sang 1 sh.p.k”, gjatë kohës që çështja ishte në gjykim.

Në shtator të 2023-it, zyra e përmbarimit në Lezhë zbatoi vendimin e gjykatës administrative të apelit të datës 15 qershor të 2023 për pezullimin e punimeve për HEC-in dhe për fabrikën e përpunimit të ujit.

Në shkurt 2024, kompania rifillon punimet me arsyetimin se ka një vendim të Gjykatës së Lartë për të kthyer për rishqyrtim vendimin e gjykatës së apelit që pezulloi punimet. Por ky vendim, ashtu sikurse të tjera dokumente ligjore nuk i janë venë në dispozicion bashkisë Mirditë, banorëve dhe zyrës përmbarimore Lezhë.

Në mars 2024, banorët ngritën një çadër në formë proteste për të kundërshtuar vijimin e punimeve për këtë hidrocentral.

Citizens Channel

Exit mobile version