Rinovimi i Kupolës së Kapitolit

Kompania American Iron Works është një ndër firmat që po punojnë për të restauruar Kupolën e famshme të Kapitolit.
Kompania punëson imigrantë të kulturave dhe traditave nga më të ndryshmet në këtë projekt në një prej objekteve më të njohura të demokracisë amerikane:
Një prej simboleve më identifikuese të demokracisë amerikane, Kupola e Kongresit, u ndërtua prej hekuri 150 vjet më parë dhe u restaurua për herë të fundit më 1960. Që nga ajo kohë, vitet dhe elementët klimatikë kanë shkaktuar mbi 1000 çarje dhe defekte të tjera.
Vahe Tanashian, shtetas amerikan i lindur në Siri, punon për një kompani që po e restauron kupolën:
“Jemi krenarë që punojmë në këtë projekt. E kemi parë me kujdes, po përpiqemi të bëjmë punë sa më të mirë”.
Kompania American Iron Works, e cila punëson emigrantë të ardhur nga e gjithë bota, ka vendosur skela rrotull kupolës në mënyrë që specialistët të kryejnë riparime në strukturën prej hekuri.
Traditat profesionale e etnike të punëtorëve ndërthuren në këtë projekt, thotë Mohammed Samiri nga Maroku:
“Punëtorë nga Siria, Armenia, Xhamajka, Haiti, Amerika Latine, pra nga kultura të ndryshme, punojnë së bashku. Ne shkëmbejmë traditat, përvojën. Më pëlqen, pasi për herë të parë po punoj me njerëz nga kultura të ndryshme”.
Kompania ka punuar edhe në projektin për të rindërtuar Pentagonin, pasi një pjesë e tij u shkatërrua nga sulmet e 11 shtatorit 2001.
Nerses Nazarian, lindur nga prindër imigrantë, thotë se i pëlqen të punojë me hekurin.
“Më pëlqen ideja që kam lënë gjurmët e mia në objekte të ndryshme të Uashingtonit. I gjithë ky çelik që sheh në ndërtesat përreth, që shpresoj se do të mbijetojë për qindra vjet, është pjesërisht edhe puna ime”.

Exit mobile version