Rinumërimi i votave nuk e ndal dot Trumpin

Rinumërimi i votave në tri shtete me rëndësi vendimtare me siguri që nuk do të ndryshojë gjë në fitoren elektorale të Trumpit.
Për shumë kundërshtarë të Trumpit, kemi të bëjmë me një shkëndijë të fundit shprese: kandidatja kryesore e të Gjelbërve amerikanë, Jill Stein kërkon të arrijë një rinumërim të votave në tri shtete amerikane, ku konkurrenca qe e fortë. Për projektin e saj Stein arriti të mbledhë brenda një kohe relativisht të shkurtër donacione në shumën prej më shumë se gjashtë milionë dollarësh. Fakti që për fushatën e saj elektorale Steinit iu desh të mjaftohej me vetëm 3,5 milionë dollarë, tregon se mbështetja për këtë iniciativë është masive. Po të sjellë rezultat të ri elektoral rinumërimi i votave në shtetet Uiskonsi, Miçigan dhe Pensilvani, kjo do të kishte pasoja për vendimin e Kolegjit Elektoral – dhe Clintoni do të bëhej vërtet Presidente e SHBA. Në këto tri shtete, për të cilat beteja ishte shumë e ashpër, fitimtar doli Donald Trumpi.

Jo më shumë se një shans “minimal”
Mbështetës të shquar të rinumërimit të votave, si Alex Halderman, profesor i informatikës në Universitetin e Michiganit, kanë shprehur dyshime në legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve: ai tha se ka mundësi që të jetë ndërmarrë ndonjë sulm kibernetik kundër pajisjeve të votimit në shtetet me rëndësi vendimtare. Shkencëtarë të tjerë, si Charles Stewart nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) u vënë pikëpyetje këtyre pohimeve.
Në ekipin elektoral të Hillary Clintonit, pas analizës që u bënë zgjedhjeve, fillimisht nuk u konsiderua e nevojshme që të kërkohet një rinumërim i votave, siç bëri të ditur ekipi në një artikull në faqen e internetit “Medium”. Ndërkohë, Hillary Clinton e mbështet iniciativën e Jill Steinit. Ndërsa, qeveria Obama bëri të ditur javën e kaluar se nuk janë gjetur dëshmi për mashtrim në zgjedhje, ajo është e bindur se rezultati i zgjedhjeve përfaqëson “vullnetin e popullit amerikan”.
Si “minimal” e quan edhe Edward Foley, drejtues i Departamentit të së Drejtës Elektorale në Fakultetin Juridik të Ohio State University shansin për një rezultat tjetër zgjedhor. “Kur në një shtet të SHBA rinumërohen plotësisht votat, rezultati elektoral zakonisht dallon më e shumta 100 vota. Dallimi më i vogël në votat e dy kandidatëve në zgjedhjet e këtij viti ishte në Miçigan. Atje Clintonin dhe Trumpin i ndajnë rreth 10.000 vota”.
Rritjen më të madhe të numrit të votave përmes një rinumërimi e arriti në vitin 2000 Al Gore në Florida. Pas rinumërimit atij iu njohën edhe 1200 vota të tjera. Por kjo nuk mjaftoi për të fituar dhe George W. Bush u zgjodh President. Për t’ia kaluar Trumpit në shtetet me rëndësi kyçe, Hillary Clintonit do t’i duheshin jo vetëm 10.000 vota shtesë në Miçigan, por edhe më shumë se 68.000 vota në Pensilvani dhe më shumë se 27.000 në Uisconsi.

Fjalën e fundit e ka Kongresi
Edhe një përpjekje tjetër, po kaq iluzore, synon ta mbajë larg postit të Presidentit Trumpin: rreth 4,5 milionë vetë kanë nënshkruar në internet një peticion, në të cilin i kërkohet Kolegjit Elektoral që të zgjedhë më 19 dhjetor Hillary Clintonin si presidente. 149 anëtarëve të Kolegjit Elektoral në 14 shtete federale, që i fitoi Trumpi, u kërkohet që në vend që të votojnë për të, të votojnë për Hillary Clintonin. Por ekspertët kujtojnë se nuk ekziston një rast precedent për këtë. Edhe nëse do të gjendeshin mjaft anëtarë të Kolegjit, që do të votonin për Clintonin në vend të Trumpit, rezultati duhet të aprovohet nga Kongresi. Dhe shanset janë shumë të vogla, që Kongresi të pranojë një rezultat zgjedhor të paraqitur nga anëtarë joseriozë të Kolegjit Elektoral.
Më 6 janar Kongresi i SHBA do të shpallë fituesin e zgjedhjeve.

Artikulli paraprakMarrëveshje Turqi-Rusi për armëpushim në Siri
Artikulli tjetërRama në llumin e plehrave të historisë, mos kërcëno BE