Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë të forta për të gjithë rivalët në olimpiadë? Mund të mos jetë kështu, pasi këtë tregoi ndeshja me një Australi kurajoze që gjithsesi u mund në fund 98-88, por që vuri në vështirësi të mëdha amerikanët që pak minuta nga fundi ishin duke e humbur ndeshjen.
Trajneri Krzyzewski përziente kartat duke hedhur Paul George në pesëshe në vend të Klay Thompson me Melon menjëherë protagonist, duke firmosur me tri trepikësha 9 pikët e para për amerikanët. Australia me pesëshen e saj që luan e tëra në NBA e nisi pa frikë dhe u përgjigj menjëherë duke vënë në vështirësi mbrojtjen me yje e shirta, ndërsa në aspektin sulmues Delledova me shokë luajtën me një disiplinë për t’u admiruar. Bogut përpara ishte i papërmbajtshëm dhe me një kosh i dhuroi Australisë një avantazh prej 8 pikësh, por sapo titullarët e Australisë shkuan të pushonin në stol amerikanët u kundërpërgjigjën duke e mbyllur periodën e parë në barazim 28-28. Në fillimin e të së dytës SHBA dukej gati për sprintin final me një mbrojtje më agresive dhe duke u përmirësuar edhe në sulm, por magjitë e David Andersen mbajtën në lojë australianët dhe sapo në parket u kthye dhe Bogut ndeshja u bë e komplikuar për amerikanët.
Australia mbylli një pjesë të parë të jashtëzakonshme në avantazh 54-49 pasi kishte gjuajtur me plot 69% të goditjeve të realizuara nga fusha, por Melo me shokë u kthyen në parket me tjetër energji dhe me një rezultat të pjesshëm 9-0 morën kryesimin. Gjithsesi amerikanëve ju duhej të djersisnin ende shumë pasi nuk po arrinin të shkëputeshin nga australianët që me një trepikësh të Andersen përmbysën sërish ndeshjen duke dalë në krye në fillim të periodës së katërt. 6 minuta nga fundi tabela e rezultatit tregonte 80-76, por në finale amerikanët ia dolën të fitonin një ndeshje të luftuar falë Melo e Irving që vazhdoi të shënonte duke i prishur Australisë ëndrrën e një mrekullie që mbeti e parealizuar. Përfundoi 98-88, por me Australinë që doli nga parketi mes duartrokitjeve të merituara të publikut në Rio.