“Rio 2016”, medalja e parë e Artë Olimpike shqiptare, Majlinda Kelmendi shkruan historinë!

Historike! Majlinda Kelmendi ka marrë medaljen e artë në Olimpiadën e Rios, duke i dhënë edhe Kosovës të parën medalje të artë në pjesëmarrjen e parë në një garë kaq të madhe. Xhudisjta kosovare ka arritur të fitojë të Artën në Rio, duke mundur në finale italianen Odette Giuffrida, në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Medalja e artë e Lojërave Olimpike, ishte e vetmja medalje që i mungonte krenarisë së Kosovës, por që e arrin atë duke bërë historinë në debutimin e parë të Kosovës në Lojëra Olimpike, shkruan Lajmi.net.
Majlinda rrugëtimin drejt medaljes e nisi duke e kaluar raundin e parë pa luftë, ndërsa në luftën e parë mundi zviceranen Tschopp, pas vetëm 20 sekondave. Në çerekfinale, Majlinda mundi Legentil, nga e cila ishte mposhtur në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012.
Kalimin në finale, xhudistja kosovare e arriti duke mposhtur garuesen e papërshtatshme japoneze, Misato Nakamura. Majlinda ishte pjesë e Lojërave Olimpike të Londrës së vitit 2012, dhe në pamundësi për të përfaqësuar Kosovën, ajo ishte pjesë e ekipit olimpik të Shqipërisë.

Artikulli paraprakKryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, i ftuar në Forumin e kryebashkiakëve në Filipine
Artikulli tjetërMisteri i botës së përtejme