Dy vjet më parë në stadiumin e famshëm “Maracana” u mbyll me sukses edicioni i 20 i Kampionatit Botëror të Futbollit. 26 muaj më vonë, Brazili hap dyert për një tjetër ngjarje të madhe sportive, këtë herë me përmasa gjigante, teksa Rio de Janeiro bëhet gati për Lojërat Olimpike. Bëhet fjalë për Olimpiadën e 31, me lojërat e këtij edicioni, që zyrtarisht do të zhvillohen nga data 5 deri më 21 gusht, ndonëse disa aktivitete kanë nisur në fakt që dy ditë përpara ceremonisë hapëse. Gjithçka filloi më 2 tetor në Kopenhagen, kur pas eliminimit fillestar të Tokios dhe Cikagos, kandidatura braziliane mundi bindshëm qytetin e Madridit. Kështu Rio bëhet i pari qytet i Amerikës së Jugut që do të presë Lojërat Olimpike, ndërkohë kjo do të jetë edhe Olimpiada e parë që mbahet në një vend portugalisht folës. Për herë të parë, një event i këtyre përmasave do të zhvillohet i gjithi gjatë stinës së dimrit, ndërkaq Brazili bëhet vendi i 18 që organizon Lojërat Olimpike.
Një ndërmarrje e guximshme që konfirmon padyshim zhvillimin ekonomik të këtij vendi, duke patur parasysh që deri më tani një aktivitet i tillë është mbajtur plot 4 herë në Shtetet e Bashkuara dhe 3 herë në Britaninë e Madhe, me Londrën që spikat si qyteti që ka mirëpritur më shumë olimpiada në histori. Zyrtarisht këto lojëra do të marrin udhë pikërisht në Stadiumin “Maracana”, me ceremoninë hapëse, sidoqoftë kjo do të jetë edhe olimpiada e parë që organizohet nën presidencën e gjermanit Thomas Bach, numrit 1 të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Olimpiada e Rios do të thyejë rekordet si për numrin e vendeve që marrin pjesë gjithashtu edhe përsa i përket numrit të sporteve. Janë plot 11.239 sportistë që do të përfaqësojnë 206 Komitete Olimpike, ku figurojnë për herë të parë Kosova dhe Sudani i Jugut.
Do të shpërndahen 306 medalje në 28 sporte të ndryshme, ku përfshihen edhe regbia me 7 lojtarë që mungonte prej 92 vjetësh, si dhe sporti i golfit, që për hir të së vërtetës i rikthehet lojërave për herë të parë që nga Olimpiada e vitit 1.904, në Saint Louis. Kuptohet qartë që tashmë Lojërat Olimpike janë zgjeruar akoma më shumë, madje ditën e mërkurë drejtuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ranë dakort që në olimpiadën e ardhshme që do të mbahet në Tokio pas katër vjetësh të shtohen edhe pesë disiplina të tjera, ku përfshihet rikthimi i sporteve të tillë si baskeball e softball, por do të çelet rruga edhe për sporte që reflektojnë tendencate e reja të të rinjve si skateboard dhe surf.
Garat do të mbahen në 33 impiante sportive të Rios, por një pjesë e tyre do të zhvillohet gjithashtu edhe në Sao Paulo, Belo Horizonte, Salvador, Brasilia si dhe Manaus. Krejt ndryshe nga herët e tjera, kur nuk lejohej garimi i sportistëve refugjatë, këtë radhë për shkak të krizës së emigrantëve që ka përfshirë Evropën si dhe për arsye të tjera KON-I ka lejuar konkurrimin e sportistëve të pavarur, të cilët do të prezantohen nën Flamurin Olimpik. Shqipëria do të marrë pjesë me 6 sportistë, ndërsa Kosova me 8, por padyshim shpresat më të mëdha për medalje janë varur te Majlinda Kelmendi, me 25-vjeçaren nga Peja që ka në CV dy tituj botërorë dhe dy evropianë, madje medaljen e parë të artë në karrierë xhudistja kosovare e ka fituar pikërisht në Rio de Janeiro, tre vjet më parë. Sportistët do të kenë privilegjin për të shijuar pamjet që ofron një prej qyteteve më të bukur të botës, me garat që do të zhvillohen në katër zona të ndryshme të Rios: Barra, Copacabana, Deodoro dhe Maracana, që të gjitha të lidhura në mënyrë perfekte nëpërmjet shërbimeve të ndryshme të transportit.
Afërsisht gjysma e sportistëve do të ketë mundësinë për të mbërritur në vendet e stërvitjes apo garimit në më pak se 10′, ndërsa 75% e tyre do ta bëjnë këtë në më pak se 25′. 18 nga 34 impiantet e këtyre lojërave shfrytëzohen prej kohësh. 8 prej tyre organizatorët kanë ndër mend t’i përmirësojnë, 7 do të përdoren përkohësisht, ndërsa 9 impiante janë ndërtuar enkas për këto lojëra dhe do të përdoren në vazhdim nga sportistët vendas.