Ceremonia e hapjes në stadiumin mitik “Maracana” të Brazilit, nisi zyrtarisht Lojërat Olimpike Rio 2016. Starti i Olimpiadës së parë në histori në Amerikën e Jugut ishte një spektakël i dominuar nga muzika, ngjyrat e festa, por edhe nga reflektimi për të ardhmen e planetit. Pjesa e parë e spektaklit u realizua nga qindra aktorë në mes të impiantit, dhe pas tyre himni brazilian në versionin akustik të Paulinho da Viola.
Show vazhdoi me moluskët gjigantë mekanikë që në mënyrë kompjuterike u paraqitën në fushë për të nisur ciklin e jetës, duke krijuar pyllin e Amazonës. Një rikujtim i historisë, nga indigjenët, për të vazhduar me anijet që transportonin skllevër nga Afrika dhe konkuistadorët.
Pas kolonizimit, spektakli u spostua te Brazili i ditëve të sotme, me pallatet që pushtuan hapësirën e fushës. Fluturimi i parë sipas brazilianëve nga pionieri i aviacionit, Alberto Santos Dumont, që nëpërmjet imazheve video doli nga “Maracana” për t’i prezantuar botës Rio de Janeiro.
Show u kthye në stadium me Gisele Bundchen që prezantoi pjesën muzikore, kulmi i së cilës ishte “Pais Tropical” i kënduar nga Elza Soares dhe Jorge Ben Jor. Më pas, ceremonia vijoi me pjesën që lidhet me ambientin: emetimet e gazrave që po dëmtojnë planetin, shkrirja e akullnajave dhe rritja e nivelit të detit, që rrezikojnë mushkrinë e gjelbërt të botës, me një pyll të ri që u mboll në stadium në mënyrë simbolike nga filizi i një fëmije.
Brazili dukej sikur i bënte thirrje 207 vendeve pjesëmarrëse: Të shpëtojmë planetin. Në ceremoninë që zgjati afro 4 orë, zërat e njerëzve nga lagjet famëkeqe, “favelas”, i lanë vendin parakalimit të 11 mijë sportistëve dhe delegacioneve nga 207 të vende pjesëmarrëse. Në orën 1:50 shqiptare nisi parakalimi i ekipeve, me surprizën ku çdo atlet mbante një filiz, i cili do të mbillet për të krijuar zonën e re të gjelbërt të Rios.
Greqia, simboli i lindjes së Lojërave, parakaloi e para. Shqipëria e katërta, e udhëhequr nga nënkampionia e Europës në atletikë, Luiza Gega, pas Afganistanit dhe Afrikës së Jugut. Publiku nuk i kurseu vërshëllimat për rivalët argjentinas dhe duartrokitjet për rusët, që në një farë mënyre i mbijetoi përjashtimit nga Anti-Dopingu. Në parakalim kishte edhe atletë të pavarur, por ky nuk ishte rasti i Kosovës.
Me Majlinda Kelmendin si flamurmbajtëse, shteti më i ri Europian parakaloi i 107-ti në listë, në atë që është pjesëmarrja e parë historike në Lojërat Olimpike.
Pas sfilatës së gjatë, u shpalos një tjetër mesazh i gjelbërt, me rrathët olimpikë në qendër të fushës, që krijoheshin nga pemët e mbira aty ku më parë atletët kishin mbjellë filizët. Mesazhet institucionale u shoqëruan me dorëzimin e titullit të parë Laurel të Olimpiadës për legjendën keniane, Kipchoge Keino, ndërsa mes fërshëllimave presidenti i përkohëshëm i Brazilit, hapi zyrtarisht Lojërat Olimpike.
Pak përpara orës 5 të mëngjesit të kësaj të shtune, u ndez edhe flaka olimpike me pishtarin që kaloi në duart e disa prej emrave më të mëdhenj të sportit brazilian.
Në “Maracana” i pari me flakën hyri ish-tenisti Gustavo Kuerten, që ia kaloi pishtarin basketbollistes Hortencia Marcari, ndërsa në mungesë të legjendës Pele, që u dorëzua përballë problemeve shëndetësore, flaka olimpike u ndez nga një tjetër legjendë, Vanderlei de Lima.
Një flakë e vogël, për të mos ndotur ambientin, që përhapet falë reflektimit të pasqyrave. Olimpiada në Rio nisi. Edicioni i 31-të në histori kërkon të tregojë se edhe pas Lojërave ka jetë. Një jetë për të cilën duhet të kujdesemi, ashtu siç na mësoi Brazili.