Rishfaqet Platini: Sep Blater ishte gati të vdiste në FIFA

Mishel Platini kthehet përsëri të flasë për mënyrën se si e larguan nga ëndrra e tij për t’u bërë lideri i futbollit botëror. Francezi, në një intervistë të dhënë për “Le Monde” i ka idetë shumë të qarta se kush është fajtori kryesor në këtë çështje: Sep Blater.
Platini nuk e përjashton që “një njeri pranë Blater, Marko Villiger, drejtori juridik i FIFA-s, të ketë informuar organet përkatëse për pagesën e vitit 2011”. Bëhet fjalë për rreth 2 milionë eurot që sollën përjashtimin katërvjeçar të francezit nga të gjitha aktivitetet futbollistike. “Po kërkonin diçka për të më dëmtuar. Instancat e ndryshme brenda FIFA-s u instrumentalizuan. Kam jetuar gjithmonë me shpresën se do të thoshin të vërtetën. Por nuk ndodhi kurrë”, vijoi francezi.
Më pas, nuk kursehet ndaj Blater. “Ma ka thënë disa herë, dëshironte të vdiste në FIFA. Nuk duhet të harrojmë se unë prezantova kandidaturën time kur ai u tërhoq. Më kishte thënë gjithmonë se do të isha pasardhësi i tij”, tha ai.
Në këtë intervistë, e cila do të botohet e plotë nesër nga “Le Monde”, Platini ka mbrojtur vendimin për të çuar Botërorin 2022 në Katar, ndërsa premton se historia e tij me futbollin nuk ka marrë fund. Në fund të fundit, i kanë mbetur vetëm 3 vite pezullim…

Artikulli paraprakLiverpool theu rregullin, bllokoi lojtarin minoren
Artikulli tjetërArgjentina rrezikon