Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të shkojë kërkesa e Leskajt dhe Sulit, por duhet të shkojë vendimi i Parlamentit, së bashku me kërkesën e deputetëve të PD. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani tha dje se mazhoranca e kapur ngushtë prej arrogancës së saj për shkak të moszbatimit të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese kërkon të gjejë mjet shpëtimi nëpërmjet formulimeve evazive për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
“Në fakt nuk është e rregullt ligjërisht diçka e tillë, duhet të shkojë po e njëjta në Gjykatën Kushtetuese, shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të PD, të cilët kërkojnë që këtyre dy deputetëve për shkak të abuzimit me mandatin në përfitimin e fondeve publike, t’u mbarojë mandati. Megjithatë është një diskutim që nuk u mbyll me një dakordësi sepse vendimi i mazhorancës është goxha evaziv. Përsa i përket PD, ne do ta vendosim në forumet tona për të marrë një qëndrim për seancën plenare. Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të shkojnë kërkesa e zonjës Leskaj dhe e zotit Suli. Në Gjykatën Kushtetuese duhet të shkojë vendimi i Parlamentit, së bashku me kërkesën e deputetëve të PD, të cilët kërkojnë mbarimin e mandatit”, tha Ristani.
Ai tha se për të vendosur në raport me sjelljen e PD, në sencën parlamentare do të vendosin forumet. “Do të ishte shumë e thjeshtë që kur u paraqit kërkesa në Parlament, Parlamenti të kishte vendosur ashtu siç është shprehur Gjykata Kushtetuese, që çështja t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Pra, të mos përpiqen të gjejnë makinacione të fshehin deputetët nga shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, aq më tepër që sot kemi një vendim të qartë të kësaj gjykate sesi duhet të sillet Parlamenti në raste të tilla. Ndaj ne kemi vendosur siç e dini dhe ju një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, që ka të bëjë jo vetëm me zbatimin e vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por ka të bëjë dhe me amendamentin e ligjit për dekriminalizimin dhe me amendamentin e ligjit për komisionet hetimore parlamentare. Pra, situata është pak më e komplikuar nga ç’duket”, u shpreh Ristani.