Është mbledhur pasditen e djeshme, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Mësohet se mbledhja e Këshillit është bërë me kërkesë të kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Sakaq, kryeparlamentari kërkoi mbledhjen për interpretim të rregullores në lidhje me draftin e Reformës në Drejtësi.
Gjatë mbledhjes është diskutuar për procedurën që duhet të ndjekë drafti për të kaluar në Parlament.
Pas mbledhjes deputeti demokrat, Arben Ristani tha se deputetë të mazhorancës u përpoqën që të anashkalojnë nenin 77 të rregullores për kalimin e draftit të Reformës në Drejtësi. Ristani tha se drafti duhet të kalojë në Konferencën e Kryetarëve dhe se opozita di këtë rrugë të vetme, zbatimin e nenit 77.
“Ishte një kërkesë jashtë ligjit, jashtë normales mesa duket menduan ta shtrojnë në Komisionin e Rregullores për t’ju përgjigjur pyetjes nëse duhet të zbatohet neni 77. Neve nuk na bind logjika e të majtëve, por rregullorja e Kuvendit. Edhe ne duhet ta fusim shpejt, por rregullores nuk kemi çfarë të bëjmë. Do të kalojë nga Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë sigurisht në bazë të rregullores. Kemi të bëjmë me një reformë të rëndësishme që mesa duket do të shkojë pa konsensus sepse ata nuk duan të ecin me shpejtësinë veneciane. Është një ecje arrogante, shumë vite prapa për Shqipërinë. Edhe për dekriminalizimin është ndjekur e njëjta procedurë sipas nenit 77. Kur kalohet në seancë kalohet mbi bazën e nenit 77 të rregullores. Kjo është e shkruar dhe nuk di tjetër. Duhet të ecim në bazë të rregullave të shkruara. Praktika e kësaj mazhorance që ecën sipas kohës së Enverit: ‘Pse ligjet tona do të na pengojnë ne?!’”, deklaroi Ristani.
Dy ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka e cilësoi kërkesën e kreut të grupit parlamentar socialist Ruçi për futjen e Reformës në Drejtësi në kalendarin e Kuvendit si një provokim të rëndë ndaj opozitës. Përmes një reagimi për mediat, Paloka edhe njëherë bëri thirrje për miratim të Reformës në Drejtwsi sipas rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Paloka tha se ky provokim i Ramës është akt lufte për opozitën.
“Kërkesa për të futur në kalendarin e Kuvendit projektin për kapjen politike të gjyqësorit është një provokim i rëndë ndaj opozitës, parlamentarizmit dhe qytetarëve shqiptarë që nuk mund ta konceptojnë kurrë reformën e domosdoshme në drejtësi si një dorëzim peshqesh të drejtësisë tek Edi Rama. Rruga e vetme për miratimin e Reformës në Drejtësi që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias. Çdo akt tjetër është shpallje lufte ndaj opozitës, parlamentit dhe aspiratës popullore për drejtësi të pavarur. Dhe fundi i kësaj betejë padyshim nuk do të jetë fitorja por shkrumbimi i oligarkisë kriminale dhe të korruptuar të Edi Ramës” tha Paloka në reagimin e tij.