“Rithemelimi do pazarin, Rama nuk do ndryshimin”/ Lapardhaja: PD është e vetmja forcë që artikulon propozime konkrete për Reformën Zgjedhore

I ftuar në “Breaking” në Top News, gazetari Namir Lapardhaja u shpreh se, ndërsa Rithemelimi e do bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore për pazare politike, PD zyrtare është e vetmja forcë që ka artikuluar propozime konkrete për Reformën Zgjedhore.

“Partisë Socialiste nuk i intereson ndryshimi i Kodit Zgjedhor, sepse me ndryshimet e Kushtetutës së vitit 2008, që u bë nga Berisha dhe Rama, praktikisht Edi Rama është i pathyeshëm dhe çdo ndryshim do t’i hiqte atij monopolin e të qenurit maxhorancë.” – u shpreh Lapardhaja.

Nga ana tjetër, ai u shpreh se në Komisionin Zgjedhor janë të përfaqësuar të gjitha pjesët e opozitës, mirëpo Rithemelimit të Berishës nuk i duhen ndryshimet, por i duhet vetëm bashkëkryetari.

“Këtyre deputetëve që kanë vajtur te Berisha, nuk i interesojnë listat e hapura dhe ndryshimet e tjera, sepse ata kanë vajt atje me pazarin për të qenë në vende të sigurta në listën e deputetëve, ndërsa ndryshimi i Kodit Zgjedhor do të bënte që të ishin njerëzit ata që do zgjidhnin dhe jo renditja e kryetarit të partisë.” – tha ai.

“Duhet të jemi të vërtetë me veten dhe me publikun. Partia Demokratike e Lulzim Bashës është e vetmja forcë që ka artikuluar propozime konkrete për Reformën Zgjedhore. Mirë ose keq, është çështje tjetër, por askush tjetër, përveç saj, nuk ka një ofertë konkrete për këtë gjë. Vetingu i politikanëve, Shqipëria një zonë zgjedhore, vota e emigrantëve dhe listat e hapura, janë propozitme konkrete të PD-së. Askush tjetër përveç saj nuk ka. PS nuk do ndryshim. Rithemelimi kërkon pazarin e nënkretarit të Komisionit. PD është e qartë në kërkesat e saj publike. Ky është fakti.” – përfundoi Lapardhaja.

Exit mobile version