Lojërat Olimpike “Rio 2016” rrezik për sportdashësit. Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga nisja e këtij kompeticioni sportiv, Brazili, që është dhe vendi mikpritës i zhvillimit të lojërave olimpike është ende një kantier ndërtimi. Por, përveç kësaj, kohët e fundit Brazili është pushtuar nga destabiliteti politik, si dhe kriza ekonomike. E si pasojë e kësaj, situata kriminale në rrugët e Brazilit është në rritje. Për këtë të fundit alarmin e jep ish-kampioni i botës me kombëtaren e Brazilit, Rivaldo.
Sipas tij, në ndryshim nga Botërori i vitit 2014 të zhvilluar në Rio, gjendja duket se është edhe më alarmante. Në faqen e tij në Instagram, ish-sulmuesi ka publikuar foton e një vajzë 17-vjeçare, e cila është gjendur e vrarë në rrugët e Rios. Më tej, Rivaldo në postimin e tij paralajmëron të gjithë ata që kanë planifikuar t’i shijojnë nga afër lojërat olimpike, të bëjnë kujdes, pasi rrezikojnë të kenë fatin e 17-vjeçares. Gjithashtu, ai shprehet i keqardhur për situatën e rëndë që po kalon vendi i tij. Postimi i tij shkon edhe më tej, duke përshkruar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen spitalet e Brazilit, ku sipas tij stafi mjekësor e ka të pamundur të japë ndihmën e parë. I gjendur përballë këtij kaosi, Rivaldo e mbyll postimin e tij me fjalinë se vetëm Zoti mund ta ndihmojë Brazilin në këto momente.