Rivaliteti anglo-amerikan për vajgurin shqiptar: pse kompania britanike financoi rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet

Nga dr. Hasan Bello

Në fund të vitit 1920, qeveria britanike me anën e ministrit të saj në Shqipëri i propozoi qeverisë së Iliaz Vrionit për t`i dhënë me koncension Shoqërisë Anglo-Persiane të drejtën e eksplorimit të një sipërfaqje toke prej 200 000 hektarësh. Në rast se ajo do të zbulonte rezerva vajguri më pas do të kërkonte akordimin e një koncensioni tjetër për një sipërfaqe më të vogël, që shkonte në 50 000 hektarë. Si shpërblim, qeveria britanike do të mbështeste anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Kjo ishte një ofertë e jashtzakonshme për kohën, për dy arsye: e para, shteti shqiptar nuk kishte asnjë specialist për të studiuar nëntokën dhe pasuritë e saj dhe, e dyta, më tepër se interes ekonomik, ai kishte përftim në aspektin politik. Mbështetja e Britanisë, në këtë moment, ishte garancia më e madhe për shqiptarët, për të konsoliduar pozitën e tyre në arenën ndërkombëtare.

Por njëkohësisht me britanikët, në Tiranë mbërritën përfaqësuesit e kompanisë amerikane Standard Oil dhe të shoqërive të tjera franceze dhe italiane. Rivaliteti anglo-amerikan për burimet vajgurore ashtu si në të gjith botën ka qenë i tmerrshëm.

Kompania amerikane për të siguruar mbështetjen e opinionit publik, përveç një avokati shumë të njohur në ato vite, siç ishte Elmas Kokona, dispononte edhe një gazetë private. Në prapaskenë, ajo financonte edhe gazetarë të “pavarur” dhe ndonjë përfaqësues të opozitës. Kjo e fundit mbështeste kompaninë amerikane. Ndërsa “Partia Popullore” dhe qeveria që kishte shumicën, për shkak të interesit në politikën e jashtme mbështeste britanikët.

Oferta e kompanisë amerkane e ndihmoi qeverinë që t`i bënte presion asaj britanike për të përmirësuar kushtet. Në këtë mënyrë, ajo siguroi kushte pothuajse të barabarta.

Po cili ishte interesi i Britanisë për vajgurin shqiptar? Britania e Madhe kërkonte të siguronte nevojat e flotës së Mesdheut për mazut, në vend që ta sillte atë nga Irani që ishte 7000 milje larg.

Me plotësimin e kushteve të kontratës, qeveria e dërgoi atë në Parlament për ta ratifikuar. Por disa përfaqësues të opozitës kundërshtuan. Këtu bënte pjesë edhe Noli, i cili, sipas një bashkëkohësi të tij, këtë e bëri për oportunitet politik, sepse, donte ta jepte kur të vinte vetë në qeveri. Kështu vepruan edhe disa deputetë nga radhët e pozitës apo siç ishte për shembull Luigj Gurakuqi, i cili gjeti rastin për t`u hakmarrë për Kongresin e Lushnjes; për të mos forcuar pozitën e “Partisë Popullore” dhe mbi të gjitha duke mbrojtur interesin e madh që Italia kishte për vajgurin shqiptar.

Në kohën kur lufta mes dy kompanive për të dominuar shfrytëzimin e nëntokës shqiptare kishte arritur kulmin, diku nga vera e vitit 1923, përfaqësuesi i kompanisë amerikane i tha në mënyrë konfindenciale Andon Frashërit, i cili pak kohë më pas do të bëhej sekretar i Fan Nolit: “Pavarësisht nga lufta që ne i bëjmë shoqërisë britanike, ju, si popull i vogël dhe i pafuqishëm që jeni, koncensionin e vajgurit duhet t`ia jepni Anglisë, pasi Amerika nuk përzihet në punët e Europës”.

Kjo është një nga arsyet që britanikët mbështetën rikthimin e Zogut, përveç gabimeve në politikën e jashtme që Noli bëri duke lidhur marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe keqadministrimin e vendit.

Në kohën që ishte si emigrant politik në Paris në vitin 1934, Sejfi Vllamasi tregon për një bisedë që kishte zhvilluar me ish-përfaqësuesin britanik në Shqipëri, i cili i kishte thënë se: “Vajguri që ia shkëputi Turqisë vilajetin e Mosulit për shkak burimeve vajgurore për t`ia dhënë Irakut, po ai vajguri ju përzuri juve nga Shqipëria dhe pruri Zogun në fuqi”.

Në fakt Zogu ishte për koncensionin Anglo-Persianes për shkak të interesave që Shqipëria kishte për Britaninë në politikën e jashtme, e cila me anën e vendeve që ishin nën influencën e saj ndikoi për anëtarësimin e shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve.

Fakt është që kur ishte në Beograd në qershor-dhjetor 1924 kompania në fjalë loboi dhe financoi (bashkë me qeverinë britanike) për rikthimin e Zogut.

Artikulli paraprakHamasi plotëson kushtin, dorëzon emrat e pengjeve izraelite që do të lirohen, mes tyre djali 2-vjeçar! Hyn në fuqi marrëveshja e armëpushimit
Artikulli tjetërTrafikanti i shqiptarëve me kamion, publikon foto duke luajtur golf në Londër