Pas letrës së ministres së Kulturës, drejtuar aktorit të madh të skenës dhe ekranit, Robert Ndrenika, artisti i madh i është përgjigjur po me një letër ministres Mirela Kumbaro. Në letrën, dhënë ekskluzivisht për “Panorama”, me titullin “Mirela paska bërë një gabim”, Ndrenika shkruan se “përveç fjalisë së parë që “je në një mendje me mua”, të tjerat m’u dukën kunja dhe jo shumë të sinqerta”.
Ndrenika thekson në letrën e tij se, “përveç mënyrës së të shprehurit, që ndoshta vjen nga profesioni im, (mirë do ishte të kisha studiuar për diplomaci) unë nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë”.
Letra e Robert Ndrenikes
E dashur Mirela!
Lexova me vëmendje letrën tënde. Përveç fjalisë së parë që “je në një mendje me mua”, të tjerat m’u dukën kunja dhe jo shumë të sinqerta.
Përsa më përket mua, përveç mënyrës së të shprehurit, që ndoshta vjen nga profesioni im, (mirë do ishte të kisha studiuar për diplomaci) unë nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë.
Bingoja u hap në një situatë emergjente me aprovimin e tërë komunitetit teatror dhe kur paraardhësit e tu në Ministrinë e Kulturës deri në vitin 2000 nuk lanë hapësirë pa dhënë me qira.
Përsa i përket ndërtimit të sallave te “Piramida” dhe “Turbina” e kishit ju për detyrë të kishit bërë dhe të bënit transparencën. “Transparencë” që edhe sot e kësaj dite ne po e kërkojmë. Vazhdimin e bisedës do ta bëjmë në sallën e Teatrit Kombëtar.
Me respekt
Roberti
Çfarë i shkruante Kumbaro-Ndrenikës
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në letrën drejtuar aktorit të madh të skenës shqiptare Robert Ndrenika, shkruante ndër të tjera se artistët dhe skena shqiptare e Teatrit, nuk mund të lihej mbi 60 vjet në një godinë të ndërtuar për të rezistuar jo më shumë se 15 vjet, siç është ajo ‘ngrehinë e ushtrisë musoliniane’. “Unë mendoj, ma do mendja siç duhet të mendoni dhe ju, se kjo nevojë do duhej të ishte marrë përsipër nga shteti shumë vite më parë, dhe sot do të kishim teatrin që duam, dhe ndërkohë humbëm shumë kohë.
Por unë mendoj gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert.
Unë mendoj se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë duhej të kishte reaguar fort kur qeveria në vitin 2008-2009 vendosi të investojë rreth 6 milionë dollarë për të ndërtuar një teatër brenda Piramidës, dhe ku pasi shpenzoi gjysmën e kësaj shume e braktisi atë projekt për ta shkatërruar krejt piramidën në përfitim të një projekti tjetër për parlament, duke na lënë sot një ngrehinë të dëmtuar rëndë nga këto ndërhyrje dhe për çka duhen të paktën 20 milionë euro për ta rehabilituar e rifunksionalizuar. Nuk kujtoj që aktorët të kenë reaguar asokohe për paratë e groposura për dreq, gjynah! për të mos thënë kriminale!
Unë mendoj se komuniteti i aktorëve ka pasur të drejtë kur mërzitej ndonëse nuk u ngrit në protestë kur aktorët në Teatër Kombëtar dhe muzikantët në TOB emëroheshin pa kurrëfarë konkursi, me një telefonatë politike nga lart, dhe kur aktorë të rinj nuk e arrinin dot skenën, ndonëse në Teatrin Kombëtar kishte jo pak aktorë që prej vitesh merrnin rrogën pa hypur një herë në skenë.
Unë mendoj se ishte shumë e trishtuar kur Teatri Kombëtar u katandis me 2 premiera në vit dhe me javë të tëra ku s’jepej asnjë shfaqje, por nuk kujtoj ndonjë protestë për këtë, ndonëse me shumë të drejtë të gjithë qaheshin nëpër kafene”, shkruante Kumbaro.