Elona Caslli
Çfarë bëjnë artistët dhe qytetarët në Sheshin e Teatrit Kombëtar gjatë ditës dhe gjatë natës?!
Ruajnë marrëzinë ditën dhe e përgjojnë atë natën, sikur të përgjonin një të sëmurë rëndë.
Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për të mbërritur tek plot një vit.
Njerëz që janë zhvendosur nga e përditshmja e tyre dhe janë shndërruar në rojtarë të marrëzisë.
Marrëzia ruhet me turne. Është bërë një grafik i posaçëm për orë të ndryshme të ditës dhe të natës për të ruajtur marrëzinë.
Është kaq i saktë ai grafik sa po ta shohësh nga jashtë ke përshtypjen se është një grafik pune për të ndërtuar dhe për të prodhuar diçka të mirë dhe jo për të ruajtur marrëzinë e Kryeministrit.
Ai grafik në pamje të parë të jep përshtypjen e një grupi pune që është duke prodhuar një film, është duke hartuar një projekt apo është duke bërë një kërkim shkencor.
Por e vërteta e trishtë është që ai grafik nuk përmban gjë tjetër veçse emrat e rojtarëve të marrëzisë.
Lind pyetja: Nëse e gjithë kjo energji nuk do të vihej në funksion të marrëzisë, sa gjëra të dobishme mund të bëheshin?!
Sa filma mund të prodhoheshin?! Sa shfaqje mund të viheshin në skenë?! Sa projekte mund të merrnin jetë?!
Ruajmë Kryeministrin që të mos shkelë Kushtetutën e vendit, ndërkohë që është detyrë e Kryeministrit mos ta shkelë Kushtetutën e vendit.
E gjithë kjo energji njerëzore nëse do të përqëndrohej në vullnetin për të ndërtuar dhe jo në mbrojtjen për të mos shkatërruar do të bënte që çdo turn marrëzie të shndërrohej në turn suksesi për këtë vend!
Post Scriptum- Unë jam turni i dytë sot në ruajten e marrëzisë.