Roland Bejko: Berisha u kthye për konflikt, po e përdor PD-së si bunker për t’u fshehur

Nënkryetari i PD, Roland Bejko foli për tensionet dhe përplasjet e brendshme në opozitës.

Gjatë një interviste në “Tirana Live” Bejko tha se ish-kryeministri Sali Berisha është kthyer tashmë në njeriun kryesor që sjell konfliktet në Partinë Demokratike.

Bejko po ashtu theksoi se kryetar i Grupit parlamentar ngelet Lulzim Basha, duke shtuar se Gazment Bardhi referuar statutit nuk mund të jetë kryetar, pasi PD funksionon në bazë të statutit të datës 2 shtator.

“Partitë në përgjithësi nuk janë trupa të ngrirë, por reflektime të emocioneve ndjenjave apo interesave. Por unë garantoj që PD është e sigurt që do të rritet”, u shpreh Bejko.

Ndër të tjera Bejko ka akuzuar Gazment Bardhin se vazhdimisht ka ndryshuar qëndrimet e tij sipas interesit personal. Gjithashtu theksoi se Berisha po përdor PD si bunker për t’u fshehur.

“Ne kërkojmë një parlament normal, po ashtu edhe qytetarët shqiptarë duan një parlament normal. Është një dalldi e Sali Berishës për t’i iku problemet, është fiks rasti që ai përdor PD si bunker për t’u fshehur dhe nuk kanë aksion opozitar, por një lëvizje të ç’organizuar.

Aksion opozitar kemi ne, pra që kërkohet Vetting, lista të hapura, po ashtu aksion opozitar është edhe Komision Hetimor”, ka thënë ndër të tjera Bejko.

Exit mobile version