Nga Ardit Gjinali
India është një aktor politik i diskutueshëm në kontekstin e marrëdhënieve diplomatiko-politike të ndërtuara me aktorë të nivelit të njëjtë politik, por dhe në mjedisin kombëtar politik ku diskutimi kundërshtues mbi temën e të drejtave të njeriut është objekt i një diskutimi ndërkombëtar jo vetëm në nivel mediatik, por i tilli tejkalohet në kontekstin e marrëdhënieve politike ndërshtetërore në koherencë me sfidat që vendosin në diskutim ligjshmërinë e rendit botëror.
Përtej një rezolute të miratuar në korrik 2023 nga Parlamenti Europian mbi situatën në Mianmar, e njëjta bën thirrje për një dialog të hapur BE-Indi në cështjet e të drejtave të njeriut duke mbetur në koherencë me shqetësimet e vazhdueshme mbi çështjet e të drejtave të njeriut. Qeveria e Indisë ka reaguar duke cilësuar situatat përkatëse si çështje të brendshme të vendit dhe në të njëjtën kohë ka konsideruar ndërhyrjet e Indisë si një shërbim shtetëror kombëtar në mbrojtje të stabilitetit.
Një aktor i rëndësishëm si India është në fokusin e dialogut politik të ndërmarrë nga liderë të ndryshëm botërorë në funksion të përballimit të sfidave të reja në nivel botëror, vendi është anëtar i organizatave të ndryshme, varësisht faktit që të njëjtat janë në thelb në antagonizëm politik me njëra tjetrën. “BRIICCS” është një shembull, por “QUAD” mbetet kundërshembulli i së parës; -dy aleancat e përmendura më lartë nuk shënojnë asfare një mungesë serioziteti politik të Indisë, as paqartësi politike të së njëjtës, por një interes politik pragmatik i shpërfaqur në boshtin e drejtimit të politikës së Jashtme të vendit si një “urë ndërlidhëse politike mes Veriut dhe Jugut”.
India konsiderohet në grupin e quajtur të “fuqive të mesme” ku të njëjtët dallohen si “shtete të lëkundura” në kontekstin e aleancave në raport me SHBA apo dhe pozicionit të tyre mbi ngjarje të ndryshme si e tilla e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Në grupin e këtyre shteteve, të quajtura pjesë të Jugut global , gjithashtu pjesë të G-20 , ku përfshihen India, Brazili, Afrika e Jugut, Indonezia, Arabia Saudite dhe Turqia. India mbajti presidencën e G-20 gjatë vitit 2023 , organizëm ku bëjnë pjesë SHBA, Kina dhe Rusia, dhe vendi organizoi samitin përkatës ku varësisht kundërshtive mes shteteve pjesëmarrëse, u miratua një deklaratë e përbashkët në frymën dhe vizionin e politikës së Jashtme të Indisë.
Viti 2024 është një vit zgjedhor në një numër të madh të vendeve të botës, India do të zhvillojë zgjedhje të rregullta parlamentare në Maj 2024, në një skenë të polarizuar politike , ku spikat përballja politike mes partisë në pushtet Bahratia Janata ( BJP) dhe “Kongresi Kombëtar Indian”, partia kryesore e opozitës. Varësisht rezultatit zgjedhor në Majin 2023 në rajonin Jugor Karnataka ku opozita fitoi zgjedhjet , partia në pushtet shfaqet e favorizuar për zgjedhjet e 2024 ku konfirmimi i Kryeministrit MODI në një mandat të tretë do të shënonte vazhdimësinë dhe konsolidimin e kursit të politikës së Jashtme të Indisë.
India shënoi festimet e ditës së 75-të të Republikës përmes një parade madhështore që synoi të përcjellë mesazhe të rëndësishme në nivel ndërkombëtar përkatësisht mbi fuqinë ushtarake të vendit, shumëllojshmërinë e kulturave, zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e rolit të grave në shoqëri. Në të njëjtën kohë, dita e 75-të e Republikës u festua në frymën e entuziasmit patriotik kombëtar në frymën e mesazheve politike të Kryeministrit MODI, mesazhe të vazhdueshme në koherencë me rritjen e fuqisë së vendit, përkatësisht në rritje ekonomike, ulje të papunësisë, ulje të varfërisë, rritje të klasës së mesme të shoqërisë dhe në fuqinë thelbësore demografike të vendit, zyrtarisht vendi me popullsinë më të madhe në botë. Kryeministri MODI ka parashtruar qartë qëllimin kombëtar mbi renditjen e Indisë si një vend i zhvilluar deri në vitin 2047, vit që do të shënonte 100 vite të ditës së Republikës.
Dita e Pavarësisë së Indisë u përshëndet përmes pjesëmarrjes nga Presidenti i Francës MACRON, një vijimësi e një marrëdhënieje politike në konsolidim ku një dëshmi e rëndësishme mbetet pjesëmarrja e Kryeministrit MODI në festën e Bastijës më Korrik 2023 dhe takimet e zhvilluara mes dy liderëve në samitet përkatëse pjesëmarrës, si një moment i rëndësishëm i fuqizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me interes të njëjtë politik ku Presidenti MACRON e ka cilësuar Indinë si “një gjigant në historinë e botës që do ketë një rol përcaktues në të ardhmen tonë’. Përtej samiteve ndërkombëtare, të dy vendet, India dhe Franca ndajnë anëtarësi dhe pjesëmarrje të barabartë në organizatat rajonale Indo -Oqeanike të quajtur IORA ku përfshihen 22 shtete nga kontinente të ndryshme apo dhe në IOC ( Komisioni Oqeanik Indian), dëshmi e një angazhimi koherent mbi sfidat aktuale dhe të tilla të reja që mund të shfaqen në rajonin e Indo-Paqësorit.
India ka zhvilluar një veprim politik pro-aktiv në politikën e Jashtme përkatësisht në fuqizimin e marrëdhënive dy-palëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australinë , Japoninë, Gjermaninë apo dhe Greqinë.
2022 ishte viti që njohu marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Indisë dhe Australisë, përkatësisht mes Kryeministrit Australian të kohës, MORRISON dhe atij të Indisë, që vijon të jetë në detyrë , MODI si një qëllim i Australisë për të zvogëluar varësinë përkatëse nga Kina, partneri më i madh tregtar i kohës. Kryeministri Australian i kohës, MORRISON do të nënvizonte;” Ekonomia indiane vlen miliarda dhe për këtë arsye ka shumë vende që duan të bëjnë më shumë biznes me Indinë, por në fakt është Australia ajo që ka mundur ta sigurojë një marrëveshje që vetëm ne mundëm ta arrinim”.
Në të njëjtën kohë, vlen të theksohet që ndryshimi politik i qeverisjes në Australi nuk kufizoi hapësirën e bashkëpunimit mes dy vendeve, por i tilli u thellua përkatësisht me nënshkrimin e marrëveshjes dy palëshe Australi -Indi mbi migracionin, një marrëveshje, pjesë e thellimit të bashkëpunimit të gjerë ekonomik.
Maj 2023, Kryeministri i Indisë MODI vizitoi Australinë duke pasuar vizitën e mëhershme të homologut të tij Australian ALBANESE më Mars 2023 , dhe nënshkroi me Kryeministrin Australian ALBANESE, një marrëveshje që synon “të promovojë lëvizshmërinë e dyanshme të studentëve, të diplomuarve, studiuesve akademikë dhe njerëzve të biznesit”.
Gjatë vizitës në Australi, Kryeministri MODI e konsideroi marrëdhënien mes dy vendeve si “Marrëdhënia midis Indisë dhe Australisë bazohet në besimin dhe respektin reciprok” dhe komuniteti Indian që jeton në Australi u konsiderua si një “urë e gjallë mes dy vendeve. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve mbetet në vëmendje të interesit kombëtar të dyanshëm.
Samiti në nivel Kryeministrash, i mbajtur më Mars 2023, në New-Dehli, me pjesëmarrjen e dy Kryeministrave MODI dhe ALBANESE shënoi bisedimet mbi zgjerimin e tregtisë së mineraleve kryesore, si pjesë e një marrëveshje tregtare tërësore mes dy vendeve ku Ministri Indian i Tregtisë GOYAL theksoi si vijon;” “India ka mungesë të mineraleve kryesore. Australia ka një rezervë të madhe të atyre mineraleve që futen në bateritë e veturave elektrike, të cilat nuk janë plotësisht të përpunuara ose të prodhuara aktualisht”. Nga ana tjetër, Ministri Australian FARELL theksoi që; “ Mineralet kryesore, bashkë me teknologjinë hapësinore dhe mundësitë në sektorin digjital, do të jenë pikat kyçe të marrëveshjes së planifikuar”.
Në kontekstin politik, India dhe Australia bashkëndajnë anëtarësinë në aleancën “QUAD” bashkë me SHBA dhe Japoni, gjithashtu. Në vitin 2024, India do të jetë pritësja e rradhës së zhvillimit të punimeve të aleancës “QUAD.
Një tjetër aleat i rëndësishëm pjesë e “QUAD” që shënon bashkëpunim me Indinë, është Japonia, një aktor i rëndësishëm politik në Indo-Paqësor. Në Janar të vitit 2023, të dy vendet, Japonia dhe India zhvilluan stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake, përkatësisht në trupa ushtarakë, avionë luftarakë,avionë transporti ku qëllimi kryesor i stërvitjes u shpall veprimi i përbashkët i sigurisë në mjedise ajrore komplekse.
Stërvitja ushtarake nuk ishte thjeshtë një mesazh politik mbi konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Indisë dhe Japonisë, por gjithashtu një mesazh politik bashkërendues ndaj secilës tendencë së Kinës mbi zgjerimin e ndikimit politik, ekonomik dhe ushtarak të së njëjtës.
Marrëdhënia me SHBA shënon një rëndësi të veçantë politike si në kontekstin e aleancës “QUAD” dhe në fuqinë politike të secilit prej dy vendeve, SHBA dhe Indi.
Kryeministri i Indisë, MODI zhvilloi një vizitë zyrtare të nivelit të lartë në muajin Qershor 2023 në SHBA, Washington ku takimi me Presidentin BIDEN shënoi një dimension të ri në marrëdhëniet dy palëshe, fakt i shprehur nga MODI dhe BIDEN përkatësisht si vijon; – Presidenti BIDEN theksoi që “Partneriteti është më i fortë, më i ngushtë dhe më dinamik se në çdo periudhë tjetër të historisë”. Fryma konstruktive gjatë vizitës zyrtare u konfirmua dhe nga Kryeministri Indian MODI që konfirmoi ; “një kapitull të ri në kuadër të “partneritetit strategjik të dy vendeve”. Vizita shënoi nënshkrimin e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes dhe të tregtisë, marrëveshje të rëndësishme që shënojnë kundërpeshën politike ndaj veprimit politik të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit dhe përtej hapësirës gjeografike dhe politike përkatëse.
Shtator 2023 shënon vizitën zyrtare të Presidentit të SHBA BIDEN në Indi, një vizitë vijuese në mesazhet e rëndësishme të ndërsjellta në bashkëpunimin jo vetëm dy palësh mes dy vendeve, SHBA-Indi, por gjithashtu dhe konsolidimin në nivel të aleancës “QUAD”, aleancë ku SHBA dhe India bashkëndajnë anëtarësinë.
Në deklaratën e përbashkët mes dy vendeve theksohet rëndësia e QUAD” ku pika 4 e deklaratës së përbashkët thekson “ Kryeministri MODI dhe Presdenti BIDEN konfirmuan rëndësinë e “QUAD” në mbështetje të një Indo-Paqësori të lirë, të hapur dhe përfshirës”. Në pikën 29 të deklaratës theksohet qartë si vijon;” Të dy udhëheqësit angazhohen për një angazhim dypalësh të nivelit të lartë mes qeverive, industrive dhe institucioneve akademike që mbeten thelbësore në aspiratën e dy vendeve për tërësinë eprosperitetit të rajonit të Indo-Paqësorit”.
Gjermania është një aktor tjetër i rëndësishëm ku marrëdhënia dy palëshe me Indinë është në konsolidim në përputhje me sfidat e reja përkatësisht në uljen e varësisë së Indisë nga Rusia në lidhje me furnizimin me armë apo dhe investimet ekonomike apo shkëmbimet tregtare përfshirë dhe nivelin përkatës të ekspertizës.
Gjatë vizitës zyrtare të Kancelarit Gjerman SCHOLZ, më Shkurt 2023, në New Dehli ku takimi me Kryeministrin MODI konfirmoi nivelin e ri të marrëdhënies dy palëshe ku partneriteti dypalësh tregtar është në koherencë me investimet Gjermane në vend dhe me nevojën pozitive të kompanive Gjermane për nivelin e lartë të ekspertëve Indianë në fusha të ndryshme profesionale ku spikat teknologjia e informacionit.
Greqia, është një aktor politik në Bashkimin Europian, një partner i konfirmuar i Indisë, përkatësisht në vizitën zyrtare të Kryeministrit MODI në Athinë, një vizitë në një shtet me ndikim në Mesdhe dhe i cilësuar nga kryeministri MODI si një “portë hyrëse e Indisë në Bashkimin Europian” duke theksuar “Duke pasur parasysh vendndodhjen dhe lidhjet tona të ngushta historike, unë e shoh Greqinë si një portë të rëndësishme ekonomike, logjistike dhe strategjike për Indinë në Bashkimin Evropian dhe në rajonin e Evropës Lindore në përgjithësi”.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Indian MODI thekson rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik duke nënvizuar : “ Kompanitë indiane janë gjithmonë në kërkim të investimit jashtë vendit. Programi ynë “Make in India” po e transformon Indinë në një qendër globale të prodhimit. Do të doja të shihja kompanitë indiane dhe greke, duke përdorur gjeografinë strategjike të Republikës Helenike për të krijuar zinxhirë vlerash që do t’i lidhnin ato me tregun më të gjerë të BE-së”.
Kryeministri Indian MODI shpalosi vizionin e tij të qëndrimit të vendit në politikën e Jashtme ku sipas tij, India nuk e kategorizon partnerët në “Jug” dhe “Veri”, por “ Një parim themelor i politikës sonë të jashtme është se ne kurrë nuk e ndajmë botën në “Veri” ose “Jug”, “Udhëheqës” ose “Ndjekës”. Të gjithë jemi kombe sovrane dhe të barabarta. Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që ‘askush të mos mbetet prapa.’ Ne e shohim rolin e Indisë si një shpatull, mbështetja e të cilit mund të përdoret nga vendet e Jugut Global për të kapërcyer gjendjen ku ndodhen”.
Një tjetër moment i rëndësishëm i qëndrimit politik të Indisë qëndron në qasjen mbi mundësinë e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë duke theksuar si vijon; “ Ne kemi mbrojtur vazhdimisht diplomacinë dhe dialogun për të zgjidhur çështjen e Ukrainës. Ne besojmë fort se kjo nuk është vetëm një çështje politike apo ekonomike, por mbi të gjitha është një çështje njerëzore. Efekti i konfliktit të vazhdueshëm ka qenë më shumë në botën në zhvillim. India është e gatshme të mbështesë të gjitha përpjekjet e vërteta për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon”.
Përtej deklaratave dhe vizionit të shpallur nga Kryeministri MODI, dinamikat e reja politike ndërkombëtare thërrasin për një rol pro-aktiv dhe të thelluar të Indisë, si një aktor thelbësor në frenimin e ambicieve zgjeruese të fuqive me karakter politik destruktiv si Rusia, përtej thirrjeve njerëzore për diplomaci. Koha politike e së sotmes, e tilla gjatë periudhës së këtij viti të rëndësishëm zgjedhor botëror , kërkon një veprim politik të fuqishëm në nivel ndërkombëtar si shembull i interesit politik kombëtar të secilit aktor të moderuar, përfshirë Indinë. Pjesëmarrja e Indisë në “QUAD” është një sinjal politik i rëndësishëm, përfshirë dhe të tillin ushtarak dhe përballimi i obskurantizmit politik në nivel ndërkombëtar kërkon një rishikim të secilës aleancë apo ri-modelime të të tillave ku të njëjtat nuk mund të jenë në funksion të interesave politike të një aktori, një aktor që kërkon grumbullimin e fuqisë politike të aktorëve të ndryshëm si një tentativë kundërvepruese ndaj tërësisë së rendit ndërkombëtar, përkatësisht në aleancën BRIICCS ku roli qëndror i Kinës mund të rrezikojë keqpërdorimin e qëllimeve të aktorëve konstruktivë si India.
India është një aktor i rëndësishëm politik dhe rritja e bashkëpunimit me aktorë politikë të veçantë Europianë është i rëndësishëm, por mbetet me rëndësi rritja e bashkëpunimit me Bashkimin Europian, si Union politik në tërësi. Verdikti i Post-zgjedhjeve 2024 në Parlamentin Europian dhe Presidencialeve në SHBA nuk do të ndryshojë qasjen pro-aktive të rritjes së bashkëpunimit me Indinë dhe rritjen e përfshirjes së të njëjtës në aleancat apo forumet si një zë politik i shtuar në koherencë me aleancën Perëndimore në mbrojtje të rendit ndërkombëtar në tërësi.
Drejtimi i G-20 në një periudhë të vështirë politike ndërkombëtare ishte një dëshmi e maturisë politike të Indisë dhe mund të shërbejë si një evokues pozitiv i përballimit të kompleksitetit të sfidave politike të së ardhmes.