Kandidati republikan për President, Donald Trump në të kaluarën ka bërë komente të ashpra ndaj mylimanëve, megjithatë ai ka mbështetje nga grupe votuesish myslimanë. Ata thonë se Trump po zbulon disa të vërteta të vështira mbi emigracionin dhe terrorizmin dhe po flet për komunitetin e tyre në një mënyrë që askush tjetër nuk mund ta bëjë. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Katherine Gypson në Kuvendin Republikan shpjegon se si vota e myslimano-amerikanëve mund ta ndihmojë ose dëmtojë kandidaturën e zotit Trump.
Një moment i papritur në këtë Kuvend Republikan, një mysliman amerikan duke dhënë mbështetjen e tij për kandidatin Donald Trump natën e emërimit të tij.
“Ai donte të dinte se nga vinte urrejtja brenda fesë Islame”, thotë Sajid Tarar, mbështetës i zotit Trump.
Sajid Tarar, në orët para fjalimit të tij në konventë foli me gazetarët duke u thënë atyre se votuesit myslimano-amerikanë vërtet janë të hapur ndaj propozimeve të debatueshme të zotit Trump.
“Unë do të pezulloja emigracionin nga zonat e botës me histori të terrorizmit kundër Shteteve të Bashkuara, Europës apo aleatëve tanë derisa ne ta kuptojmë plotësisht se si mund t’i japim fund këtyre kërcënimeve”.
Ideja e zotit Trump për pezullimin e emigracionit ka nxitur zotin Tarar dhe të tjerët në grupin Myslimanët për Trumpin që të mbështesin kandidaturën e tij.
Në Uashington, disa ditë para kuvendit, këta votues i thanë “Zërit të Amerikës” se përse e mbështesin zotin Trump. “Siguria e Amerikës është përparësia e parë për Donald Trumpin, edhe për mua si myslimano-amerikan ajo është përparësia kryesore”, thotë Tajid Farar.
“Është shumë mirë nëse Trump ndalon përkohësisht hyrjen e myslimanëve për të kontrolluar biografinë e tyre”, thotë Rabia Kazan. Rabia Kazan është rritur në një familje konservatore myslimane në Turqi dhe më pas ajo imigroi në Amerikë.
Ajo mbështet kritikat e zotit Trump ndaj kundërshtarit të tij demokrat.
“Përdorimi i shprehjes islami radikal është shumë i rëndësishëm. Sepse të gjithë janë duke u fshehur dhe kanë frikë se do të fyejnë myslimanët. Feja islame ka nevojë për reformim të menjëhershëm, por Hillary Clinton dhe Obama nuk dëshirojnë të na ndihmojnë neve”.
Por çështja kryesore është se, a mund vota e myslimano-amerikanëve të ndihmojë zotin Trump në shtetet e pavendosura në nëntor?
Në bazë të një studimi të shkurtit të këtij viti, vota e tyre nuk ka gjasa ta ndihmojë atë. Studimi zbuloi se dy të tretat e votuesve myslimano-amerikanë e konsiderojnë veten demokratë dhe vetëm 11 për qind e tyre thanë se do të votonin për republikanin Trump. Studimi u krye nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, i cili e konsideron veten si grupi më i madh mysliman i vendit për të drejtat civile.
“Ne shohim disa nga përqendrimet më të larta të xhamive në Amerikë në Florida dhe Ohajo. Ka pak më shumë se njëqind mijë myslimanë në Virxhinia dhe kjo është një mënyrë e mirë që komuniteti ynë të ketë ndikim në zgjedhje. Nga qindra apo mijëra myslimanët që kam takuar, vetëm disa prej tyre ishin përkrahës të zotit Trump”.
Por zoti Tarar mendon se mesazhi i zotit Trump mund ta ndryshojë këtë.
“Ne para së gjithash jemi në thelb republikanë, sepse kemi ardhur nga vende konservatore me vlera konservatore. Tani që Donald Trump është duke u përpjekur ta shpjegojë më në hollësi idenë e ndalimit të islamikëve dhe përjashtimet, padyshim unë jam me shpresë se myslimanët do të bashkohen me atë”, thotë ai.