Roli i ridimensionuar i Argjentinës

Nga Ardit Gjinali

Argjentina është një aktor gjeopolitik i rëndësishëm që ka përjetur paqëndrueshmëri të vazhdueshme, politike, ekonomike dhe sociale duke reflektuar të tillat dhe në drejtimin e paqëndrueshëm të vendit në politikën e jashtme kombëtare, gjithashtu. Vendi është ekonomia e tretë më e madhe në Amerikën Latine, është pjesë e G-20, në anëtarësi të bashkëndarë me fuqi të ndryshme rajonale dhe botërore ku dimensioni politik prevalon mbi secilin segment të aktualitetit jo të favorshëm që buron nga rrethanat e brendshme. Paqëndrueshmëria ekonomike, e tilla në përpjestim të drejtë me të njëjtën shoqërore dhe politike kanë shenjuar aktualitetin e këtij vendi të rëndësishëm jo vetëm në arenën sportive.

Vendi po përjetonte përkatësisht një inflacion në shifrat 135 përqind, një shkallë të varfërisë mbi 40 përqind dhe një rritje negative të nivelit të prodhimit të brendshëm bruto në -2.5 përqind;- treguesit e përmendur më lartë përbënin panoramën e plotë të reçesionit të gjashtë që vendi po përjetonte brenda një dekade.
Vala e vazhdueshme e paqëndrueshmërisë shoqërore , ekonomike dhe politike, e tilla si përgjegjësi e plotë e elitave politike disa dekadëshe , ka ndikuar tërësisht në frenimin dhe kufizimin e rolit të Argjentinës në arenën ndërkombëtare duke e drejtuar vendin drejtë vendimeve të diskutueshme dhe jo-strategjike në frymë dhe interes kombëtar, përkatësisht në tentativën për anëtarësimin e vendit në BRIICS ( një organizatë e krijuar në frymëzimin politik të Pekinit zyrtar ku fryma e së njëjtës synon kundërpërgjigjen ndaj aleancës politike perëndimore).

Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale , në të dy raundet zgjedhore Tetor-Nëntor 2023, shënuan një fushatë politike të ethshme ku reagimi qytetar përmes votës përcolli mesazhin e ndryshimit të një rendi status-quo-je disa dekadësh me zhvillime ciklike regresive në interesin kombëtar të vendit. Zgjedhje demokratike, pluraliste, me garë politike të spikatur ku figura e diskutueshme e kandidatit të mëhershëm Presidencial dhe më vonë President i zgjedhur , MILEI spikati në retorikë politike, rezultat zgjedhor dhe në veprimet aktuale të muajve të parë të ushtrimit të detyrës së Presidentit.

Retorika para-zgjedhore e shndërruar në veprim politik dhe institucional si jetësim i premtimeve zgjedhore shënon një strategji për zvogëlimin e administratës publike; privatizimin dhe largimin e monopolit të shtetit mbi kompanitë që menaxhojnë pasuritë kombëtare përkatësisht të naftës; mbylljen dhe ridimensionimin e rolit dhe funksionimit të Bankës Qëndrore të Argjentinës dhe vendosjen e Dollarit si monedha e vetme që do të përdorej për secilin veprim financiar kombëtar apo dhe transaksione ndërkombëtare.

Presidenti MILEI mbetet një figurë polarizuese në nivel kombëtar, kundërshtuese për shkak të retorikës së fortë dhe angazhimit për “një fillim të ri” për vendin;- në të njëjtën kohë, i njëjti mbetet një figurë e fortë në nivel ndërkombëtar ku vizioni i tij politik në koherencë me politikat e djathta në nivel kombëtar do e drejtojë dhe në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në nivel ndërshtetëror apo rreshtimit në aleanca politiko-ushtarake ekonomike ku spikat deklarata e tij që “ne nuk do të ndertojmë asnjë aleancë politike me komunistët”.

Fitorja politike zgjedhore e Presidentit MILEI u përshëndet nga aktorët ndërkombëtarë botërorë varësisht rreshtimeve përkatësisht nga SHBA, Rusi, Kinë, Mbretëri e Bashkuar, Brazili, Kili, Bashkimi Europian, Izraeli apo dhe Ukraina:- dëshmi e vëmendjes së secilit aktor të rëndësishëm ndërkombëtar në kontekstin e ri gjeopolitik botëror.

Konteksti i ri gjeopolitik botëror po e drejton dhe Argjentinën drejtë një rreshtimi të ri ndërkombëtar në vizionin e Presidentit MILEI ku “Liria është mbi të gjitha”- Presidenti MILEI ka shprehur qartësisht dhe publikisht mbështetje politike për Ukrainën duke shpallur idenë e organizimit të një samiti “Amerika Latine-Ukrainë” si thelbi i treguesit të mbështetjes ndaj vendit që vuan agresionin Rus. Në të njëjtën kohë, Presidenti MILEI ka shpallur një politikë të jashtme dhe një marrëdhënie politike të Argjentinës, larg rreshtimit apo marrëdhënies politike me vende ku forma e regjimit apo ideologjia e liderëve shtetërorë mbart vlera të marksizmit dhe komunizmit duke marrë në konsideratë përkatësisht Kinën dhe Brazilin, si dy partnerët kryesorë ekonomikë të Argjentinës.

Interes të madh politik shfaq marrëdhënia e re politike që Argjentina do të ndërtojë me Bashkimin Europian, Izraelin dhe Britaninë e Madhe.

Presidenti MILEI ka kërkuar dhe këmbëngulur për një rishikim të marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Europian dhe katër vendeve përkatësisht Argjentina, Brazili, Paraguaji dhe Uruguaji e nënshkruar më Mars, 2023. Marrëdhënia e ridimensionuar me Izraelin mbetet një qëllim politik i rëndësishëm i Presidentit MILEI ku i njëjti ka deklaruar zhvendosjen e ambasadës së Argjentinës nga Tel Avivi në Jerusalem.

Përshëndetja e Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, CAMERON mbi fitoren politike të MILEI shënon një moment të ri reflektues mbi marrëdhënien e re që do të ndërtohet mes dy vendeve veçanërisht në diskutimin mbi çështjen e “Ishujve Falklands”. Mbi çështjen e “Ishujve Falklands”, MILEI do të shprehej si vijon “ Çfarë propozoj? Sovraniteti i Argjentinës mbi ishujt është i panegociueshëm. Mbetet e qartë që lufta nuk është një mundësi. Ne zhvilluam një luftë, e humbëm dhe tani do të bëjmë çdo përpjekje për fitimin e ishujve përmes rrugës diplomatike”. Nga ana tjetër, MILEI evokoi modelin e “Hong Kongut” si një model zgjidhjeje dhe për çështjen e pazgjidhur të ishujve mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Një tjetër moment i rëndësishëm politik, i jetësuar më Janar 2024, mbetet refuzimi i Argjentinës për të marrë pjesë dhe për të formalizuar anëtarësimin në BRIICS- Presidenti MILEI ka shprehur qartësisht shpjegimin e tij politik mbi refuzimin e anëtarësimit në BRIICS duke nënvizuar ;” Politika jonë e jashtme ndryshon nga ajo e administratës së mëparshme dhe disa prej vendimeve të administratës së mëparshme do të rishikohen”.

Qëllimi i deklaruar i Argjentinës për tu shndërruar në “një partner global” të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) përbën një veprim politik thelbësor pro-aktiv të rreshtimit të Argjentinës kah aleancës perëndimore në secilin dimension përfshirë dhe të njëjtin politiko-ushtarak. Argjentina synon të jetë vendi i dytë në Amerikën Latine në statusin “e partnerit global” pas Kolumbisë dhe synimi mbetet modernizimi përmes rritjes së investimeve dhe efektivitetit të ushtrisë së Argjentinës dhe përcjelljen e një mesazhi të qartë politik përmes rreshtimit në krah të NATO. Bisedimet e mbajtura në Bruksel, mes Zv/Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Mircea GEOANA dhe Ministrit të Mbrojtjes së Argjentinës, Luis PETRI. Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO, GEOANA nënvizoi rëndësinë e ridimensionimit dhe konsolidimit të marrëdhënies mes Argjentinës dhe NATO, marrëdhënie e filluar në vitin 1990, e shoqëruar me një impuls pozitiv në vitin 1998, qeveria Argjentinase e kohës, pro-Amerikane, dërgoi trupa në misionin paqeruajtës në Bosnjë, ku u konsiderua nga administrata e Presidentit CLINTON si një “aleat i rëndësishëm jo anëtar”.

Prej periudhës së përmendur më lart, marrëdhënia ka njohur impulse të munguara dhe vizioni i ri i qeverisë së MILEI ka zhvendosur sërish vëmendjen kah konsolidimit , fakt i cituar dhe nga zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO, GEOANA si vijon” Argjentina luan një rol të rëndësishëm në Amerikën Latine dhe marrëdhënia e dyanshme e ngushtë politike dhe ushtarake do të jetë në avantazh të të dy palëve”.

Fuqizimi i marrëdhënies politike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndikoi në ndihmën e ofruar nga kjo e fundit ndaj Argjentinës në shifrën prej 40 milion dollarë, ndihma e parë pas dy dekadash, një ndihmë që do të ndikojë në modernizimin e ushtrisë dhe në përmbushjen e detyrimit financiar të Argjentinës ndaj Danimarkës, përkatësisht në blerjen e avionëve ushtarakë amerikanë nga kjo e fundit;- blerja e konsideruar nga Ministri Argjentinas i Mbrojtjes “ si më e rëndësishmja prej kohës kur u vendos demokracia në Argjentinë në vitin 1993”. “Statusi i partnerit global” për Argjentinën kërkon konsensusin unanim të vendeve anëtare të NATO, ku vendoset në diskutim qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar për shkak të mosmarrëveshjes historike mes dy vendeve përkatëse.

Roli i ridimensionuar i Argjentinës në arenën ndërkombëtare botërore mbetet i mirëpritur në koherencë me dinamikat e reja politike ndërkombëtare ku vullneti i Aleancës Perëndimore mbetet i pakthyeshëm në ruajtjen dhe konsolidimin e rendit ndërkombëtar të së drejtës dhe frenimin e ambicieve të fuqive të errëta si Rusia zyrtare apo fuqive të tjera të diskutueshme ku shembulli i BRIICS, përbën vizionin e krijimit të një blloku politik varësisht qëllimeve të shprehura tregtare.
Presidenti MILEI mbetet një figurë polarizuese, kundërshtuese, e diskutueshme, përcjell të panjohura në nivel kombëtar të qeverisjes, por qartësia politike në nivelin e marrëdhenieve ndërkombëtare mbetet një vlerë pozitive, e shtuar dhe me vizionin që e tilla të mbetet afatgjatë në boshtin strategjik të politikës së jashtme të Argjentinës. Largimi nga BRIICS dhe era e re në marrëdhëniet me Aleancën e Atlantikut të Veriut, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është oguri i mirë i një rruge të re.

SONDA

Exit mobile version