Nga Ardit Gjinali
Përkatësia gjeografike në Detin Balltik bashkë me dy shtetet e tjera Letoni dhe Lituani, historia e së shkuarës moderne, anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Europian, fqinjësia me Finlandën dhe kufiri i afërt me Rusinë përbëjnë disa prej elementëve që përcaktojnë Estoninë si një vend politikisht strategjik, i tillë përtej gjeografisë dhe nivelit demografik.
Estonia, një aktor thelbësor politik, i ekspozuar në qëllimet e errëta terriroriale të Kremlinit zyrtar , mbetet vendi i parë që ka shpallur fuqishëm prej vitit 2022 ndaj Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pas sulmit Rus ndaj tërësisë territoriale të Ukrainës, mbi krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi terrorin e Ukrainës për frenimin e rritjes së numrit të viktimave të pafajshme në rradhët e popullsisë. Qëndrimi vizionar politik Estonez mbi dinamikën e konfliktit Rusi-Ukrainë u shpërfaq në një apel të hapur ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut mbi krijimin e një baze të përhershme të Aleancës në rajon për të ndalur ofensivën Ruse, deklaratë e mbajtur nga përfaqësuesi Estonez i kohës, Jonatan Vseviov përpara zhvillimit të samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut më 2022.
Pro-aktiviteti politik Estonez në çështjet e politikës së Jashtme buron nga rrugëtimi historik i vendit, i tilli që ka përjetuar jo vetëm realitetin e zymtë të pushtimit territorial, por gjithashtu dhe trajtimin me rëndësinë e duhur, larg miopisë, së secilit rrezik, të tillët të shpërfaqur retorikisht, politikisht dhe ushtarakisht, gjithashtu;- Ky proaktivitet shfaqet dhe në veprimin politik të Estonisë në dimensionin kombëtar dhe ndërkombëtar varësisht spektrit politik që ka qeverisur vendin.
Partia politike që ka qeverisur kryesisht vendin pas vitit 2005, është përkatësisht Partia Reformiste, spektri i së Djathtës, pjesë e grupimit të Partive Popullore Europiane ( PPE), së fundmi, e njëjta udhëheq vendin prej vitit 2021, nga ana tjetër , Partia e Qendrës është partia kryesore garuese, e njëjta ka qeverisur vendin prej vitit 2016-2021; të dy partitë , në periudha të kufizuara politike kanë bashkëqeverisur vendin, në përgjigje të realitetit politik dhe sfidave kombëtare. Partia e Ekstremit të Djathtë, EKRE, është një ndër partitë kryesore konkurruese në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, përkatësisht më 2019 dhe 2023, gjithashtu.
Sulmi Rus ndaj sovranitetit territorial të Ukrainës, Shkurt 2022, përkoi me qeverisjen e Estonisë nga Partia Reformiste, përkatësisht nën lidershipin e Kaia KALLAS, një mbështetëse e zëshme e Ukrainës, një zë politik ndikues për rritjen e mëtejshme të pranisë së Aleancës së Atlantikut të Veriut në hapësirën e Balltikut , gishtuese e drejtpërdrejtë e efektit të mundshëm domino si shkak i një mungese vëmendje ndaj trajtimit thelbësor të rrezikut së mendësisë zgjeruese të Kremlinit zyrtar, retorikisht aktive në apelin për një bashkërendim perëndimore me qëllim fundor përkatësisht një fitore politike dhe frenim të qëllimeve pushtuese të Rusisë, mbështetëse e qartë ndaj Ukrainës përkatësisht me rreth 44 përqind të buxhetit tërësor të Estonisë për mbrojtjen, mbështetje në armatime, trajnime ushtarake, mbështetje financiare në disa faza, ndihmë humanitare në sektorin e shëndetësisë përmes ndërtimit të përbashkët të spitaleve me Gjermaninë dhe Hollandën, dhe vend pritës për rreth mbi 60 mijë qytetarë të larguar për shkak të konfliktit .
Individualiteti dhe personaliteti i figurës politike të Kryeministres së kohës KALLAS , Kryeministre e vendit prej vitit 2021, e konfirmuar si fituese me shumicën e vendeve në Parlamentin kombëtar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, ka kultivuar një sensibilitet të shtuar politik mbi mënyrën e përballimit dhe reagimit të aleancës perëndimore në tërësi ndaj konfliktit të shkaktuar nga Rusia, mendimi dhe veprimi politik i Kryeministres KALLAS është një vlerë e shtuar në enumeracionin pozitiv të shumë-dimensionalitetit historik, gjeografik apo politik që përfaqëson Republika e Estonisë.
Pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian, përkatësisht më Qershor 2024, të tillat të mbajtura në një kontekst sfidues për Bashkimin Europian, proçesi i negociatave pas-zgjedhore u finalizua me propozimin, emërimin dhe votëbesimin e Kryeministes së Estonisë, KALLAS si Përfaqësuesja e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe njëkohësisht zëvendës-Presidente e Komisionit Europian, i drejtuar në një mandat të dytë nga Ursula VON DER LEYEN;- një emërim dhe votëbesim jo vetëm për Kryeministren KALLAS , por gjithashtu për Estoninë- një mesazh mbi një dimension të ri qartësie në politikën e Jashtme përmes një pozicioni të ri pro-aktiv në secilën tryezë negociatash dhe në secilën aleancë ku vizioni mbi Europën e së nesërmes nuk mund të jetë i plotë në mungesë të përgjigjeve të përshtatshme dhe veprimeve efektive Europiane mbi Zgjerimin, marrëdhëniet trans-Atlantike, konfliktet aktuale dhe të mundshme në perspektivë, marrëveshjet ekonomike të Bashkimit Europian në nivel ndër-kontinental:- përtej nivelit strategjik të boshtit të politikës së Jashtme së Bashkimit Europian, personaliteti karizmatik dhe qasja pro-aktive, e tilla në nivel individual dhe përkatësi kombëtare, do të ndikojnë në rritjen e veprimit dhe efektivitetit në dërgimin përpara të proçeseve të mbetura pezull gjatë pesë viteve të mandatit të shkuar të drejtimit të Bashkimit Europian.
Prania politike e Estonisë është thelbësore dhe në rajonin e Ballkanit ku spikat mbështetja për Republikën e Kosovës, e tilla përkatësisht jo vetëm në vizitat e ndërsjellta zyrtare dhe në deklaratat mbështetëse të Kryeministres KALLAS mbi domosdoshmërinë e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, por gjithashtu dhe në përcaktimin e një raportuesi Estonez për Kosovën, përkatësisht Eurodeputeti Riho TERRAS, pjesë e grupit të Partive Popullore Europiane, pozicioni i të njëjtit do të jetë ndikues pozitivisht mbi pozicionin e Kosovës, në kuadër të çështjeve të dialogut me Serbinë, aplikimit të dorëzuar në Bashkimin Europian, zë i shtuar ndikues në heqjen e sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Kosovës apo dhe në pasqyrimin realist të përparimit të Kosovës, në një mjedis të ri ku përfaqësuesja e politikës së Jashtme së Bashkimit Europian është Kaia KALLAS ish-Kryeministre e Estonisë, Komisionerja për Zgjerimin është Marta KOS, me përkatësi kombëtare Sllovene, një tjetër vend përkrahës ndaj Kosovës dhe zgjedhja e ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, një vend që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, gjithashtu.
Pas emërimit të zonjës KALLAS si Përfaqësuese e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, vendi po drejtohet nga pasaardhësi i saj, me përkatësi të njëjtë partiake, partia “Reformiste”, e qendrës së Djathtë, ish-Ministri për Klimën në kabinetin qeveritar “Kallas 3”, Kristen MICHAL. Kryeministri MICHAL po vijon të njëjtin angazhimin politik në nivel ndërkombëtar, si një pasqyrë e qasjes kombëtare të Estonisë ndaj ngjarjeve në Europë, përkatësisht me konfliktin Rusi-Ukrainë. Qeverisja e zotit MICHAL vijon bashkërendimin në nivel politik dhe ushtarak me dy vendet e tjera të Balltikut, Letoni dhe Lituani, ku ndërtimi i përbashkët i një linje mbrojtjeje i njohur si “Dhëmbët e Dragoit” është dëshmia e përmbushjes së angazhimeve në fushën e sigurisë, pavarësisht mbrojtjes së përbashkët që buron nga anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Dëmtimi i kabllove nën-ujore “ EstLink 2 “, pjesë thelbësore e infrastrukturës energjetike, që lidh Estoninë me Finlandën, është dëshmi e ekspozimit tërësor të Estonisë ndaj secilës tentativë të mundshme sabotazhi nga Kremlini zyrtar, shqetësim i shprehur nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Mark RUTTE si vijon;- “Unë shpreha solidaritetin dhe mbështetjen time të plotë për Finlandën dhe Estoninë,” duke nënvizuar vëmendjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut për të garantuar sigurinë e infrastrukturës thelbësore në rajonin e Balltikut. Në të njëjtën frymë me reagimin e mësipërm të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, përgjigja politike ndaj aktit me autorësi të dyshuar të Rusisë u përcoll pas një mbledhje të përbashkët në Helsinki mes vendeve të Detit Balltik dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO ku u vendos një patrullim i përbashkët NATO-BE në Balltik ku nënvizohet si vijon ;” Luftimi i dëmtimeve të kabllove dhe tubacioneve nënujore është një problem global”. Kjo praktikë e dënueshme po ashtu kërcënon integritetin e infrastrukturës nënujore, rrit rreziqet që lidhen me municionet kimike të hedhura në det dhe mbështet ndjeshëm financimin e luftës së paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës”.
Një tjetër moment shqetësues, përgjigje ndaj reagimit perëndimor, ditëve të shkuara gjatë Janarit, lidhet me sulmin Rus ndaj një avioni zbulues Francez , i angazhuar në mbrojtjen e kabllove nën-ujore në Balltik, të njëjtët të sulmuar më parë gjatë muajit Dhjetor, 2024.
Në përgjigje të sfidave të sigurisë, Estonia ka dëshmuar një vullnet të konsoliduar në fuqizimin ushtarak përmes rritjes së vazhdueshme të buxhetit për mbrojtjen ku planifikon të rrisë buxhetin deri në 3.3 përqind dhe si rezultat i marrëveshjeve dy palëshe, mes Estonisë dhe SHBA ku pritet mbërritja e raketa -hedhësve “HIMARS” dhe një rritje e mëtejshme e arsenalit të armatimeve gjatë këtij viti përkatësisht nga sistemi i mbrojtjes ajrore me rreze të mesme Iris-T, dhe Brigada e 2-të e Këmbësorisë do të pajiset me rreth 220 automjete të reja të blinduara.
Ministri i Mbrojtjes së Estonisë PEVKUR do të theksonte si vijon “Disa sisteme të mbikqyrjes tashmë janë dorëzuar dhe instaluar, të tjerët po mbërrijnë aktualisht dhe disa janë duke iu nënshtruar certifikimit. Një pjesë e konsiderueshme e aftësive të vëzhgimit të Estonisë, duke përfshirë radarët aktivë ose pasivë dhe radarët bregdetar, ose do të përmirësohen ose zgjerohen me sisteme të reja”.
Gjatë ditëve të para të vitit 2025, Kryeministri Estonez, MICHAL ka dëshmuar një angazhim të shtuar diplomatik, përkatësisht në vizitën zyrtare të mbajtur në Berlin, ku spikat takimi me homologun Gjerman, SCHOLZ, vizitë e mbajtur pas toneve kritike të shprehura nga Kryeministri Estonez ndaj telefonatës dypalëshe mes Kancelarit Gjerman SCHOLZ dhe Presidentit Rus PUTIN. Gjatë takimit nënvizohet qartë qasja e Estonisë mbi secilin skenar të mundshëm negociatash për konfliktin Rusi-Ukrainë ku MICHAL theksoi; “ Sot, Ukrainasit po luftojnë jo vetëm për lirinë e tyre, por gjithashtu dhe për lirinë tonë. Mënyra e përfundimit të luftës do të përcaktojë sigurinë e Europës në terma afatgjatë”. Kryeministri Estonez theksoi qartë që secila marrëveshje e mundshme mbi përfundimin e konfliktit duhet të ketë patjetër si pjesë përbërëse të së njëjtës palën Ukrainase.
Telefonata dypalëshe mes Kryeministrit Estonez MICHAL dhe Kryeministrit Britanik STARMER nënvizoi angazhimin e përbashkët të të dy vendeve në mbështetje të Ukrainës, përmbushja e sfidave në Aleancën e Atlantikut të Veriut përfshirë miratimin e të dy vendeve për një anëtarësim të mundshëm të Ukrainës në NATO dhe një konsolidim të bashkëpunimit jo vetëm mes dy vendeve, por gjithashtu dhe në kontekstin e anëtarësisë së Estonisë në Bashkimin Europian, si shkak i një vizioni të ri mbi ridimensionimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Një shembull i qartë i rëndësisë thelbësore e pozitëa gjeo-strategjike të Estonisë shënon vëmendja e Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi përcaktimin e një emri të ri si Ambasador të SHBA në Estoni, përkatësisht Roman PIPKO, i deklaruar nga zoti TRUMP, i njëjti i lindur në Estoni, në pritje të miratimit të Senatit pas 20 Janarit, por dëshmi e një vëmendjeje të posaçme si shkak i pozicionit gjeografik të Estonisë dhe qartësisë në pozicionimin gjeopolitik të së njëjtës në koherencë me aleancën Perëndimore
Estonia është një aleat i palëkundur që do të shenjojë jo vetëm në nivel kombëtar por gjithashtu në nivel Europian për shkak të të zgjedhurve që do të përfaqësojnë Bashkimin Europian në nivele të ndryshme institucionale duke evokuar një ndryshim pro-aktiv pozitiv të një Europe në veprim si parathënie e një dimensioni të ri të Unionit në raport me aleatët dhe rivalët në nivel botëror, gjithashtu.