Ronaldo arkëton… sa një klub i madh

Që Cristiano Ronaldo është një makinë parash kjo nuk ka asnjë dyshim, por askush arrin ta imagjinojë shumën e saktë të të ardhurave të tij. Për herë të parë, stafi i luzitanit publikon online deklaratën e plotë të të ardhurave të tij vetëm gjatë vitit 2015. Sipas të dhënave, vitin e shkuar Ronaldo ka deklaruar tek autoritetet spanjolle 203.79 milionë euro. Në teori, marka Ronaldo arrin të arkëtojë pothuajse sa një klub prestigjoz. Vendimi për të publikuar dokumentat e deklarimit të pasurisë vjen pas akuzave për fshehje të të ardhurave në vitet 2011-2013.
Dokumentat e “Football Leaks” e akuzonin luzitanin për fshehjen e të ardhurave në një parajsë fiskale. “Lojtari është në dijeni të të gjitha detyrimeve fiskale që në hapat e parë të karrierës së tij në të gjitha vendet ku ka punuar e jetuar”, është komenti i faqes online “Gestifute”, që kujdeset për të drejtat e imazhit të sulmuesit të Realit.
Vendimi për të publikuar dokumentat nuk është i diktuar nga ligji, por Cristiano Ronaldo në këtë mënyrë dëshiron të bëjë transparente gjithë të ardhurat për të hequr baltën e hedhur mbi emrin e tij. Aktualisht, ai përfiton 21 milionë euro në sezon nga Reali i Madridit, por të ardhurat e tij janë disafish më të mëdha, pasi Cristiano Ronaldo është kthyer në një markë botërore. Pjesa tjetër e fitimeve të tre herë fituesit të Topit të Artë vijnë nga marrëveshjet komerciale apo sponsorët personalë të portugezit që mund të konsiderohet pa frikë edhe si një nga sportistët më të pasur të planetit.

Exit mobile version