Firma deri në vitin 2021 me Realin e Madridit tashmë është një realitet. Cristiano Ronaldo nuk mund të fshihte lumturinë për rinovimin e kontratës me Los Blancos, por në të njëjtën kohë ylli portugez edhe pse në vitin 2021 do të jetë 36 vjeç la të kuptohet se kjo që sapo ka firmosur nuk do të jetë marrëveshja e tij e fundit me Los Blancos. “Dua të luaj futboll deri në moshën 41-vjeçare deklaroi Ronaldo dhe dua ta bëj diçka të tillë me Realin e Madridit. Ky është rinovimi i dytë i kontratës së CR7-tës me klubin madrilen që pas mbërritjes së tij te Reali në vitin 2009, për 94 milionë euro nga Manchester United. Ndryshe nga lojtarë të tjerë si Modriç apo Kroos që kanë rinovuar sëfundmi, si futbollisti më i rëndësishëm i klubit madrilen dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Realit, Cristianos iu bë një trajtim i veçantë.
Nën praninë e presidentit Florentino Perez, krerëve më të lartë të Los Blancos, agjentit Jorge Mendes dhe familjes së tij, Cristiano mesditën e kësaj të hëne u shfaq në podiumin e nderit të stadiumit “Santiago Bernabeu” për të folur për rinovimin e kontratës. Fillimisht, fjalën e mori presidenti Florentino Perez, i cili e cilësoi Cristiano Ronaldon një legjendë të madridizmit. Vetë Ronaldo falenderoi drejtuesit, tifozët, por edhe shokët e skuadrës, të cilët e kanë ndihmuar për të arritur në këtë pikë ku ndodhet sot. Luzitani e konsideroi Realin si klubin më të madh në botë dhe më të rëndësishmin në karrierën e tij, teksa shtoi se kjo nuk do të jetë kontrata e tij e fundit me Los Blancos.
Cristiano Ronaldo me një kontratë të re. Reali i Madridit njoftoi në faqen zyrtare se Los Blancos dhe futbollisti kanë arritur akordin total për zgjatjen e bashkëpunimit kontraktual të portugezit. Kontrata aktuale e Ronaldos që përfundon në verën e vitit 2018 është zgjatur deri në vitin 2021, kur futbollisti do të jetë 36 vjeç çka do të thotë se Ronaldo praktikisht është i lidhur me Realin deri në fund të karrierës së tij futbollistike, dhe në të është përfshirë një rritje shumë e rëndësishme e pagës. Këtë të hënë në orën 13:30, Ronaldo në prani të presidentit Florentino Perez do të ngjitet në podiumin e nderit të stadiumit “Santiago Bernabeu” për të shprehur ndjesitë e tij pas zgjatjes së bashkëpunimit me klubin merengues. Ndryshe nga lojtarë të tjerë si Kroos apo Modriç, Ronaldos do t’i bëhet një trajtim i veçantë, pasi ai është futbollisti simbol i Los Blancos gjatë 7 viteve të fundit.
Ky operacion inkuadrohet në politikën e rinovimeve që po ndjek Reali i Madridit me rinovimet e mëparshme të Tony Kroos, Luka Modriç, Lucas Vazques dhe Gareth Bale. Në këtë aspekt mbeten ende pa një zgjatje të marrëveshjes Isco dhe Pepe, i cili do të jetë i lirë në fund të sezonit, dhe duke filluar që nga janari mund të hyjë në bisedime me çdo ekip tjetër.