Fitorja dramatike me përmbysje vetëm në minutën e fundit e Realit të Madridit përballë Sportingut të Lisbonës në Ligën e Kampionëve ishte diçka madhështore për t’u festuar nga lojtarët dhe tifozët madrilenë.
Por ylli i Realit, Kristiano Ronaldo, i cili shënoi golin e barazimit në minutën e 89 nga goditja e dënimit, nuk ndjehet plotësisht i lumtur, duke qenë se ekipi që mposhtën ishte skuadra ku ai hodhi hapat e para të karrierës si profesionist.
“Ne gjithnjë besojmë deri në minutën e fundit. Një ndeshje zgjat mbi 90 minuta dhe një ekip duhet të besojë deri në fund. E morëm lojën në kontroll vetëm në fund, ndryshe nuk do të kishim fituar. Nuk e filluam mirë, sepse menduam që do ta kishim të lehtë, por Sportingu na tregoi që ishte një ekip me vlera dhe që mund të kalojë grupin”, u shpreh Ronaldo për “UEFA.com”.
Ai pranoi se ishte e vështirë nga ana emocionale të ndeshej kundër Sportingut. “Është pak e dhimbshme të luash dhe të shënosh kundër tyre, por unë përfaqësoj ngjyrat e skuadrës sime Realit, të cilën e kam në zemër. Megjithatë, te Sportingu u rrita, dhe ishte e vështirë t’i kisha kundërshtarë”, tha sulmuesi portugez.
Reali i Madridit shpëtoi në minutën e fundit nga zhgënjimi në “Santiago Bernabeu” me Sportingun e Lisbonës, pasi Kristiano Ronaldo barazoi në të 89-ën me një supergol nga goditja e dënimit golin e shënuar nga Sezar në minutën e 48’ dhe Morata përmbysi gjithçka në minutën e 5’ të shtesës.