Zinedine Zidane i del në mbrojtje Crisitano Ronaldos. Sulmuesi portugez është kritikuar ashpër nga mediat për paraqitjen e tij në ndeshjen e fundit ndaj Athletic Bilbaos, pasi u tregua egoist, duke menduar vetëm për vete në më shumë se një rast. Megjithatë, në konferencën për shtyp përpara sfidës ndaj Alaves-it, trajneri francez i Los Blancos foli me superlativa për 3-herë fituesin e “Topit të Artë”, i cili ka shënuar shumë pak gola në këtë sezon dhe nuk po kalon një moment pozitiv.
“Nuk e shikoj në ankth Ronaldon, por i zemëruar mund të jetë. Ai dëshiron të shënojë gola dhe kjo është normale. Cristiano është unik për atë që ka bërë dhe po bën. E ka rritur në atë fare mase nivelin e tij, saqë kur nuk shënon njerëzit jashtë skuadrës fillojnë të shqetësohen. Ronaldo duhet të jetojë me presionin, pasi me atë që janë fenomenë ndodh gjithmonë diçka e tillë”, u shpreh Zidane.
Nga Ronaldo te sfida ndaj Deportivo Alaves. Zidane vlerësoi kundërshtarin e radhës, ndërsa foli edhe për gjendjen e futbollistëve të dëmtuar në skuadrën e tij. “Pres një ndeshje shumë të komplikuar. Alaves nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi dhe ka fituar ndaj Barcelonës në transfertë. Ata po zhvillojnë një sezon të jashtëzakonshëm. I kemi të qarta vështirësitë që na presin. Ramos, Casemiro dhe Modriç? Për momentin nuk mund të flas shumë për asnjërin prej tyre. Modriç është më afër rikthimit, ndërsa Ramos dhe Casemiro kanë pak ditë që kanë rifilluar stërvitjen. Të presim javën e ardhshme dhe të shohim se çfarë do të ndodhë me ta”, përfundoi trajneri i Real Madridit.
Cristiano Ronaldo është i vetëdijshëm se shumë njerëz nuk e kanë aspak qejf, por ai thekson se ka nevojë për armiqtë e tij. Në një intervistë dhënë për “Coach Magazine” shton se, armiqtë e tij e kanë ndihmuar që të fitojë. Me pak fjalë, sulmuesit luzitan nuk i intereson aspak ajo çfarë thuhet për të pasi sipas tij, futbolli e ka mësuar të menaxhojë kritikat për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.
Një koment, CR7 e shkëputi edhe për ish-trajnerin e tij, Jose Murinjo. “Kam punuar me trajnerë të mëdhenj, por Murinjo është njeriu që analizonte gjithçka deri në detaje. Zidane është shembulli perfekt se si mund të ndërtosh marrëdhënie të mira në dhomat e zhveshjes. Sezonin e shkuar e mbylla në mënyrën më pozitive me suksesin në Champions League dhe në Euro 2016”, tha Ronaldo.