“Ronaldo është Zot i vërtetë futbolli”

Ish-mbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, e ka quajtur Cristiano Ronaldon “Zot të vërtetë futbolli”, pasi ylli i Juventusit arriti ta shënojë një het-trik në ndeshjen e mbrëmshme kundër Atletico Madridit.
Juventusi kishte pësuar disfatë me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kundër Atleticos. Ronaldo i shënoi tri gola në ndeshjen kthyese dhe Juventusi e zuri një vend në çerekfinale, me rezultat të përgjithshëm 3:2, transmeton Gazeta Express.
Ylli portugez e shënoi një gol në pjesën e parë për ta përgjysmuar epërsinë e madrilenëve, para se ta barazonte rezultatin në pjesën e dytë. Në minutën e 86-të të ndeshjes, ai e shënoi golin e fitores, nga pika e penalltisë.
“Ai është Zot i vërtetë futbolli, është qesharake çfarë ai arrin të bëjë. Në Ligën e Kampionëve, ai e mban çdo rekord që mund ta imagjinosh. Ai ka baras het-trike të shënuara me Messin”, ka thënë Ferdinand.
“Kjo ishte një skuadër e Atletico Madridit, që njihet për mbrojtje të jashtëzakonshme. Dhe Juventusi arriti t’i shënojë tri gola kundër tyre, e Ronaldo e gjeti het-trikun”.
Para kësaj ndeshjeje, Ronaldo kishte qenë më i heshtur se zakonisht në Ligën e Kampionëve, pasi e kishte shënuar vetëm një gol në gjithsej gjashtë paraqitjet e tij në këtë garë.

Exit mobile version