Cristiano Ronaldo, Gareth Bale dhe Antoine Griezmann janë tre kandidatët për çmimin e futbollistit më të mirë në Europë për vitin 2016. Të trija këto kandidatura u zyrtarizuan gjatë hedhjes së shortit për fazën Play-Off të UEFA Champions League. Nga 10 të nominuarit dy lojtarët e Realit të Madridit, të cilët fituan Championsin dhe shkëlqyen në Euro 2016 si dhe sulmuesi i Atleticos, që u shpall golashënuesi më i mirë në turneun e zhvilluar në Francë morën më shumë vota, duke lënë pas dy yjet e Barcelonës, Luiz Suarez dhe Lionel Mesi, që u renditen përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë. Pozicioni i gjashtë për Gianluiggi Bufon të Juventusit, ndërsa dhjetëshja kompletohet nga Pepe, Mauel Neuer, Toni Kroos dhe Thomas Muller.
Nga tre të nominuarit për ta fituar këtë çmim individual më i avantazhuari është Cristiano Ronaldo, i cili ka shënuar 51 gola në 48 ndjeshje për Los Blancos si dhe ka dhënë 15 asist për shokët e tij të skuadrës. 16 finalizimet e tij ndihmuan Realin të fitonte Champions Leaguen, pa harruar faktin se ishte kapiteni i Portugalisë në suksesin historik në kampionatin europian.
Finalisti i dytë është Antonine Griezmman, që luajti në dy finale të mëdha me Atleticon në Champion dhe me Francën në Europian, por pa mundur të ngrejë lart asnjë nga këto dy trofe. Francezi shënoi 32 gola në 54 ndeshje me Atleticon, ndërsa në Europian realizoi 6 gola.
Treshja finaliste kompletohet nga Bale, që sikurse Ronaldo fitoi Championsin me Realin. Uellsiani realizoi 19 gola dhe dha 15 asist në 31 ndeshje me Realin, ndërsa udhëhoqi Uellsin deri në gjysmëfinale të Euro 2016, duke shënuar 3 gola për kombëtaren e tij, që arriti një sukses historik në këtë turne. Fituesi i çmimit të futbollistit më të mirë në Europë do të shpallet me 25 gusht gjatë hedhjes së shortit të fazës së grupeve të Championsit.