Ronaldo, “Lojtari më i mirë i vitit”

Cristiano Ronaldo fitoi dhe çmimin e “Lojtarit më të mirë të Vitit” të dhënë nga FIFA, pasi triumfoi në mbrëmjen gala të Zyrihut, duke rrëmbyer një tjetër trofe personal pas atij të “Topi i Artë”. Portugezi arriti të mundë sërish në këtë garë dy rivalët e tij Lionel Mesi dhe Antonie Griezmann. Ronaldo, në fakt kishte një vit fantastik, ku fitoi pothuajse gjithçka, Europianin me Portugalinë dhe UEFA Champions League, Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve me Realin, ndërsa Griezmann u penalizua nga dy finalet e humbura me Atleticon dhe Francën, kurse Mesi përgjatë 2016-ës mundi të fitojë vetëm titullin kampion në La Liga me Barcelonën dhe Kupën e Spanjës.
Falë suksesit të arritur me Leicester në Premier League, Claudio Ranieri arriti të marrë çmimin e “Trajnerit të Vitit”, duke lënë pas trajnerin e Portugalisë, Fernando Santos dhe atë të Realit të Madridit, Zinedine Zidane.
Çmimin “Puskas”, për golin më të bukur të vitit e fitoi një futbollist malajzian, Mohd Faiz Subri që më 16 shkurt të vitit 2016 shënoi një gol me një trajektore fantastike në kampionatin malajzian.
Në formacionin e vitit, përzgjedhja e votuesve online ishte për Neuer në portë, më pas Alves, Pique, Ramos, Marcelo në mbrojtje, Modriç, Kross, Iniesta në mesfushë e Mesi, Ronaldo, Suarez në sulm. Surpriza ishte mungesa e Griezmann, që ishte ndërkohë në finalen për çmimin e lojtarit të vitit të FIFA-s.
Sa i përket kategorisë së femrave, lojtarja më e mirë e vitit u shpall amerikania Carli Lloyd, ndërsa trajnerja më e mirë e vitit u shpall, Silvia Neid, që udhëhoqi Gjermaninë në fitimin e medaljes së artë në Olimpiadën e Rios. Ndërkohë, braziliani i futbollit të sallës, Falcao për arritjet në karrierën e tij, mori çmimin e Karrierës së FIFA-s. Çmimin “Tifozi i Vitit”, e fituan tifozët e Liverpool dhe Borussia Dortmund që në nder të viktimave të tragjedisë së Hillsborough kënduan së bashku në ndeshjen e “Europa League” mes skuadrave të tyre “You Will never Walk Alone”. Ndërsa klubi i Atletico Nacional, që pranoi t’i dhuronte titullin e Copa Sudamericana, Chapecoenses pa luajtur në fushë fitoi çmimin FIFA Fair Play. Gjatë ceremonisë pati dhe një moment homazhi për dy legjenda të futbollit botëror, që u ndanë nga jeta në vitin 2016, Carlos Alberto, kapiten i Brazilit të 1970 dhe legjendarit holandez, Johann Cruyff.

Exit mobile version