Joao Mario bën të ëndërrojnë tifozët e Interit. Mesfushori portugez i zikaltërve, një mik i Kristiano Ronaldos, është shprehur për mediat italiane se mund ta bindë sulmuesin e Realit që në të ardhmen të transferohet tek Interi. “Nëse një ditë Ronaldos i duhet të largohet nga Reali dhe do të mendojë të luajë në Serinë A, mendoj se do të isha në gjendje ta bindja që të vishte fanellën ziklatër”, u shpreh Joao Mario.
Një lëvizje e tillë vështirë se mund të ndodhë pavarësisht dëshirës së tifozëve të Interit për ta parë CR7 me ngjyrat ziklatër. “Për Interin do të ishte krenari të firmoste me Ronaldon, por ne e dimë që ai sot është lojtar i Realit të Madridit. Luan dhe po fiton atje prej shumë kohësh dhe është simbol i skuadrës”, tha ai.
Nga ëndrrat për Kristiano Ronaldon tek aktualiteti zikaltër. Joao Mario e sheh të mundshëm klasifikimin në treshen e parë të Serisë A në fund të kampionatit. “Championsi është i mundur, edhe matematika na e lejon. Duhet të zhvillojmë një fazë të dytë perfekte. Sassuolo dhe Lazio? Duhet të zbresim në fushë sikur të mos ketë një të nesërme, pa duhet të fitojmë 4-5 ndeshje radhazi për të rigjetur besimin”, tha portugezi i Interit.
23-vjeçari dalëngadalë po imponohet me lojën e tij në formacionin zikaltër, por ai shton se ka ende vend për përmirësim dhe këtë ia lejon edhe mosha e re.