Në momentin më të mirë të sezonit, Zinedin Zidan duhet t’i bëjë llogaritë pa disa nga lojtarët më kryesorë të Realit. Pas përmbysjes spektakolare në kampionat dhe kualifikimit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, tani duket se ka ardhur momenti më i vështirë për madrilenët. Mungesa e Ronaldos në sfidën e së martës dëshmoi qartë se, Reali e ka shumë të vështirë të luajë pa të, sepse ai është pikë referimi për skuadrën. Si të mos mungojë vetëm dëmtimi i Ronaldos, Zidan duhet të shqetësohet edhe për situatën e Benzemasë dhe Heses.
Klubi madrilen i siguroi të gjithë se Kristiano Ronaldo nuk kishte asnjë dëmtim të rëndë dhe se do të ishte i gatshëm për ndeshjen e ardhshme ndaj Mançester Sitit. Deklarata e Zidanit një ditë përpara ndeshjes rezultoi një gënjeshtër e madhe, sepse portugezi nuk ia doli.
Madje, ai rrezikon të luajë edhe në sfidën e kthimit. Mediat në Spanjë kanë zbuluar se, Ronaldo ka dëmtuar fibrat e muskujve të kofshës dhe nuk mund të rrezikojë, nëse nuk është i rikuperuar plotësisht. Mjekët e Realit kanë filluar trajtimin special me injeksione, duke tentuar mrekullinë për ta rikthyer atë të gatshëm për ndeshjen e ardhshme ndaj Sitit, e cila do të luhet javën e ardhshme. Të gjithë i kanë sytë nga Ronaldo.
Benzema ia doli të luante vetëm 45 minuta në Angli ndaj Sitit dhe braktisi fushën e lojës për shqetësimet muskulore. Edhe Karim Benzema është në dyshim për gjysmëfinalen e kthimit dhe do të provojë të jetë me çdo kusht në fushën e lojës. Francezi është një pikë shumë e fortë e skuadrës së Zidanit, pasi sa herë që ai mungon, reparti i sulmit çalon.
Nuk ka dy, por tre. Hese Rodrigez është një tjetër shqetësim për trajnerin Zidan. Sulmuesi spanjoll ka ndier dhimbje në kofshë dhe, me shumë mundësi, nuk është i gatshëm për ndeshjen e ardhshme në kampionat kundër Sociedadit. Reali po luan në dy fronte, por rivali më i madh për momentin duket se janë dëmtimet.