Ronaldo: Neymar e fiton “Topin e Artë” në Paris

Ish-sulmuesi i Real Madridit, Ronaldo, ka folur mbi përplasjen e ish-ekipit të tij të bardhë, Real Madrid, me PSG-në në Ligën e Kampioneve. “Fenomeni” e ka bërë këtë në një prononcim për “SFR Sport”, teksa ndodhej në Paris, i ftuar special i Neymar. Braziliani ka pranuar se do t’i pëlqente të ishte pjesë e skuadrës parisiene në një pikë të karrierës së tij, teksa ka udhëtuar shumë herë në kryeqytetin francez, ku ndihet si në shtëpi: “Ka klube, me të cilat do të më pëlqente të luaja, nëse do të isha në aktivitet. Një prej tyre është PSG. Unë kam ardhur në Paris disa herë. Jeta ime ka qenë kaq shumë herë e lidhur me këtë qytet, sa ndihem si parisien, por kurrë nuk e kisha këtë mundësi”.
Ronaldo ka pranuar se kurrë nuk kishte një ofertë zyrtare nga PSG: “Kam luajtur në klube të mëdha europiane. Karriera ime më mori në Itali, Spanjë dhe Holandë”. Pikërisht Ronaldo, me fanellën e Barcelonës, shënoi ndaj PSG në finalen e “Recopa”, takimi që përfundoi 1-0. Tani ambasadori i Real Madridit pret me padurim duelin e ardhshëm mes dy ekipeve. Nga ana tjetër, ai foli për dy yje të grupit parisien. Së pari e bëri këtë për Kylian Mbappé, tek i cili sheh ngjashmëri me lojën e vet: “Ai duket si unë”. Në fund lavdëroi edhe bashkëkombasin e tij, Neymar: “Ai ka gjithçka për ta fituar ‘Topin e Artë’ në Paris”.

Exit mobile version