Ronaldo, nga një fëmijë i llastuar në një lider i Juventusit

Më herët ishte kritikuar për personalitetin e tij individualist, mirëpo tani portugezi e ka dëshmuar veten se mund të punojë për ekipin, që nga transferimi i tij në Juventus nga Real Madridi.
Cristiano Ronaldo u transferua në Juventus për t’i ndihmuar klubit italian ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve. Megjithatë, vetëm 30 minuta pasi e filloi ndeshjen e parë evropiane për klubin e tij të ri, ai ishte në lot, pasi që ishte ndëshkuar me karton të kuq, shkruan goal.com, transmeton Gazeta Express.
Kjo ishte një shfaqje habitëse e emocioneve, një që sugjeronte se Ronaldo ishte thellësisht i lënduar. Ai ishte i zhgënjyer që nuk kishte arritur ta dëshmonte vlerën e tij menjëherë në klubin e ri, saqë edhe pengesa më e vogël ishte shumë e madhe për t’u përballuar.
Vendimi i tij për të mos shkuar në ceremoninë e UEFA-s, në gusht, pasi që e kishte mësuar se çmimi për lojtarin më të mirë do t’i jepej Luka Modricit ishte një dëshmi tjetër se Ronaldo dëshironte gjithçka për vete dhe nuk mund ta pranonte refuzimin.
Juventusi ishte në dijeni për këtë personalitet të Ronaldos. Ai ishte parë duke iu bërtitur bashkëlojtarëve të tij që nuk ia pasonin topin. Një herë, ai kishte reaguar i zemëruar pasi Gareth Bale e kishte shënuar një gol. Ai i kishte fajësuar bashkëlojtarët e tij për disfatën ndaj Atletico Madridit në vitin 2016.
“Nëse do të ishin të gjithë në nivelin tim, ndoshta ne do të ishim liderë”, kishte thënë Ronaldo.
Megjithatë, gjërat duket se kanë ndryshuar në Juventusit. Portugezi është bërë njëri ndër liderët në zhveshtore, jo për shkak të reputacionit të tij, por për shkak të veprave dhe sjelljes së tij.

Së fundi, ai e dëshmoi se është lider duke e kujtuar Paulo Dybalan, pasi shënoi gol kundër Sassuolos.
Edhe menjëherë pas transferimit në Itali, Ronaldo kishte bërë të ditur se ai ndihej më mirë në Juventus sesa në Real Madridi, pasi që, për të, Juventusi ishte më shumë si familje dhe të gjithë janë më të sjellshëm.
Përkundër famës së tij, ai hyri me një sjellje të përulur në zhveshtoren e Juventusit, i pyeti bashkëlojtarët e tij të rinj për vende të mira dhe restorante, si dhe u interesua për historinë e klubit.
Kolegët e tij të rinj u shprehën të mahnitur nga etika e tij e punës, por Ronaldo i habiti edhe me zemërgjerësinë, duke i festuar golat e shënuara nga bashkëlojtarët, po aq sa të tij. Ai tani i ka nëntë asiste, një më shumë se në të gjithë sezonin e tij të fundit në Spanjë. Vetëm Suso ka më shumë asiste se Ronaldo në Serie A.
Ai tani është lider për “Këpucën e Artë” të Serisë A, me 18 gola, mirëpo edhe në fillim kur e kishte pasur të vështirë ta gjente rrjetën e portës, nuk dukej se ishte tejet i pakënaqur me veten.
Duket se Ronaldo dhe Juventusi po jetojnë në simbiozë dhe janë duke e nxjerrë më të mirën nga njëri-tjetri.
Trajneri Massimiliano Allegri e ka lavdëruar Ronaldon duke thënë se ai sillet si një lider, ndërsa mesfushori Blaise Matuidi ka thënë se portugezi i frymëzon të gjithë futbollistët rreth tij.
Ronaldo mund të jetë njëri ndër sportistët më të famshëm në botë, por duket se falë transferimit në Juventus, tani po del në pah një anë e re e super yllit portugez.

Artikulli paraprakTalenti shqiptar rinovon me Barcelonën me superklauzolë
Artikulli tjetërTjetër shuplakë nga Gjermania për Ramën: Qeveria të respektojë parlamentin dhe pavarësinë e gjyqësorit