Cristiano Ronaldo thotë se dëshiron të ketë shtatë fëmijë dhe të fitojë të njëjtin numër “Topash të Artë”. Por, 32-vjeçari ende mbetet në fokusin e kritikave të fundit, pasi shënimi i një goli në shtatë ndeshje të La Liga-s për këtë sezon është shumë më poshtë rezultatit të tij të zakonshëm. Në një intervistë me “L’Equipe”, Ronaldo tha se po qëndron i qetë pas fillimit të ngadaltë të sezonit në kampionatin spanjoll, duke këmbëngulur se ai mund të kontribuojë më shumë për ekipin e tij sesa vetëm me golat.
“Unë jam i lumtur dhe ndihem mirë. Duhet të qëndroj i qetë dhe të vazhdoj të punoj, sepse mund të bëj më mirë, tha Ronaldo. Ju shikoni tek mua një makinë golash, një djalë, i cili ka për të shënuar gjatë gjithë kohës. Nëse ky nuk është rasti, të gjithë nuk kanë interes të dinë nëse kam luajtur mirë apo jo. Unë jam gjykuar vetëm për të shënuar, gjë që ndonjëherë nuk është gjithmonë më e rëndësishmja. Unë e pranoj kritikën, por nuk pajtohem. Prandaj, nuk i lexoj apo dëgjoj ato që thuhen për mua. Por, nuk kam zgjidhje tjetër, përveçse ta pranoj. Nuk mund ta kontrolloj botën”, u shpreh Ronaldo.
Ronaldo është në një situatë shumë më të mirë në Ligën e Kampionëve, ku ka shënuar gjashtë herë në katër ndeshje në grupe. Megjithatë, Real Madridi momentalisht është i dyti në Grupin H, pas humbjes 3-1 ndaj Tottenhamit, në ndeshjen e tyre të fundit, më 1 nëntor. Përfundimi si i dytë në grupin e tij do të thoshte një ndeshje kundër një fituesi të grupeve të tjera në raundin e 1/16, që do të mund të nënkuptonte një ballafaqim me PSG-në, ndoshta. Por, Ronaldo këmbëngul se si dy herë radhazi kampionët e Europës, nuk kanë frikë nga asnjë kundërshtar i mundshëm: “Unë nuk kam frikë nga PSG-ja, jemi dy herë radhazi kampionët e Europës. Duhet ta respektojmë këtë. Ne do të preferonim ta përfundonim të parët në grup, por gjëja më e rëndësishme është para së gjithash kualifikimi”.
Duke parë më përpara, ylli i Portugalisë tha se ende ka shumë më tepër, çka ai do të donte të arrinte, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj: “Unë dua shtatë fëmijë dhe të njëjtin numër “Topash të Artë”. Kjo do të thotë se nuk kam ndërmend të ndalem këtu. Sa kohë që luaj, do t’i fitoj të gjitha, që mund të fitoj. Ëndrra ime është “Topi i Artë” i pestë, ndërsa vitin e ardhshëm do të ketë edhe një tjetër”.