Ronaldo nuk tërhiqet

“Më ço te Manchester United”! Është ky mesazhi që Cristiano Ronaldo i ka dërguar menaxherit të tij Jorge Mendes. Ylli portugez ka vendosur të largohet nga Reali i Madridit pasi ka fituar gjithçka me Los Blancos në këto 8 vite dhe nuk ka më stimuj për të qëndruar në kryeqytetin spanjoll. Dëshira e 4 herë fituesit të Topit të Artë është të rikthehet te United pasi është i lidhur ngushtë me ngjyrat e Djajve të Kuq. Për Cristianon interesohen disa klube të mëdha, por 32-vjeçari dëshiron vetëm United-in, duke i mbyllur dyert Paris Saint Germain-it, Chelsea-t, por edhe Bayern Munich që ishte gati ta bënte një tentativë për Ronaldon.
Sipas mediave angleze, Manchester United do t’i ofrojë Realit të Madridit shumën e çmendur prej 175 milionë paund plus kartonin e David de Geas për të bërë të mundur rikthimin e yllit luzitan në “Old Trafford”. Pak ditë më parë Ronaldo bëri të ditura qëllimet e tij teksa deklaroi: “Do të largohem nga Reali, nuk ka më kthim pas”. As telefonatat e kapitenit Sergio Ramos dhe trajnerit Zinedine Zidane nuk e kanë bindur CR7-tën të ndryshojë mendim. Cristiano Ronaldo është gjithnjë e më pranë rikthimit të bujshëm te Manchester United për të bërë sërish të lumtur tifozët e Djajve të Kuq, të cilët e adhurojnë 32-vjeçarin luzitan.
Ndërkohë, Real Madrid ka filluar të përgatitet për largimin e mundshëm të Cristiano Ronaldos nga skuadra spanjolle gjatë verës. Edhe pse në klub janë të bindur se mund t’i ndryshojnë mendjen e portugezit, direkt janë hedhur sytë drejt futbollistëve që mund të blejnë për të zëvendësuar golashënuesin më të mirë të skuadrës apo edhe qoftë për të kënaqur tifozët.
Emri i parë, që klubi ndjek prej kohësh, është ai i Kilian Mbape, lojtar që parashikohet të jetë një nga yjet e të ardhmes në futbollin botëror. Megjithatë, tifozët kërkojnë gjithmonë emra shumë të njohur dhe si rrjedhojë, ndiqen me interes edhe polaku Robert Levandovski i Bajern Mynih dhe Paulo Dibala i Juventusit. Për të tri këta lojtarë mendohet se madrilenët duhet të shpenzojnë më shumë se 100 milionë euro për të blerë secilin prej tyre.
Për lojtarin është raportuar se interesohen Manchester United, Manchester City, Chelsea, PSG-ja dhe klube nga Kina, derisa së fundmi u fol edhe për Bayern Munich. Por këta të fundit kanë reaguar me një komunikatë duke i quajtur thashetheme. “Thashetheme për Bayern Munichun për qarkullojnë anembanë botës, në media apo edhe në rrjetet sociale”, shkruhet në komunikatën e klubit. “Teknologjia ka bërë që lajmet të përhapen me shpejtësi, por jo çdo gjë që raportohet është e vërtetë”, shkruhet më tej në reagimin e Bayern.

Artikulli paraprakChampions, Kukësi gjen kampionët e Moldavisë
Artikulli tjetërMeksika shtang në shtesë Portugalinë