Ronaldo paralajmëron Juven

Juventusi është i paralajmëruar. Kur mbeten edhe pak javë nga finalja e Championsit që do të luhet në Cardiff mes bardhezinjve dhe Realit të Madridit, Los Blancos mund të krenohen me formën e mrekullueshme të Cristiano Ronaldos. Fituesi i Topit të Artë po kalon një moment vërtet të artë, me Ronaldon që është duke udhëhequr Realin drejt një fundi sezoni fantastik me golat dhe paraqitjet e tij në fushë. Ky i dy muajve të fundit është ndoshta Cristiano më i mirë i të gjitha kohërave. Në moshën 32-vjeçare, CR7 po shfaqet më deçiziv se kurrë për Los Blancos që synojnë ta mbyllin sezonin me dy trofe, La Ligan dhe Championsin.
Në Vigo ndaj Celtës, Ronaldo shënoi një dygolësh për ta afruar skuadrën e Zidane gjithnjë e më shumë me fitimin e titullit kampion. Vetëm në muajin e fundit, 4 herë fituesi i Topit të Artë, ka realizuar plot 13 gola. Mes viktimave të preferuara të CR7-tës janë edhe Bayern i Mynihut dhe Atletico e Madridit. Pas një fillimi jo shumë pozitiv të sezonit, Cristiano ka shpërthyer në momentin më të rëndësishëm për t’u treguar të gjithëve se kush është dhe se i meriton 4 Topat e Artë që ka fituar në karrierë. Përballë mbrojtjes së Juventusit as një si ai s’do ta ketë të thjeshtë, por në një Ronaldo në formë të tillë, e sigurtë është që Reali do të ketë më shumë shanse për të triumfuar në Cardiff.

Artikulli paraprakMcAllister: Kur ka dialog ka edhe zgjidhje të qëndrueshme
Artikulli tjetërMadrilenët më pranë titullit