Ronaldo përfundon pushimet, nis stërvitjen te Reali

Përfunduan pushimet për Cristiano Ronaldon. Sulmuesi portugez, bashkë me bashkëkombasin e tij mbrojtësin Pepe, zhvilluan seancën e parë stërvitore në qendrën sportive të Realit, për të qenë gati për startin e Primera Division, ndërkohë që pjesa tjetër e ekipit është ende nën efektin e triumfit me Sevillan në Superkupën e Europës pas 120 minutave lojë. Dy lojtarët luzitanë, kampionë Europe me Portugalinë në Francë 2016, bënë vrapime të lehta rreth fushës, si dhe ushtrime fizike në palestër, duke ndjekur një program individual.
Një muaj pas finales së Euro 2016, Ronaldo duket se e ka lënë pas dëmtimin që e detyroi ta përfundonte para kohe sfidën me Francën, megjithatë mbetet për t’u parë nëse do të jetë gati për ndeshjen e parë të kampionatit me Real Sociedadin që do të zhvillohet në Anoeta më 21 gusht. Në fund të këtij muaji Ronaldo pritet të nënshkruajë kontratën e re, që do ta mbajë të lidhur me Los Blancos deri në moshën 36-vjeçare.

Artikulli paraprakMarko Pjaca: Dua të bëhem më i miri
Artikulli tjetërPunimet në Kryeministri nga firma ku punon vajza e Lindës